Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka zhvilluar një takim në Rajonin e Lombardisë në Milano me bashkatdhetarët tanë në Itali.
Një nga organizatorët kryesorë të këtij takimi, ish-deputeti lezhiam Eduart Ndocaj, teksa ka përshëndetur të pranishmit si dhe autoritetet pjesëmarrëse, është ndalur në nevojën e madhe të rrotacionit politik në Shqipëri, ku ndër të tjera ka nënvizuar se: Largimi i Edi Ramës dhe qeverisjes së tij është tashmë detyrë dhe akt patriotik i çdo shqiptari, ndaj dhe emigrantët shqiptarë që jetojnë në çdo vend të botës, të detyruar nga polikat e mbrapshta të këtyre 34 viteve të ikin nga vendi i tyre, të angazhohen masivisht për të kryer këtë mision në dobi të atdheut.
Gjithashtu, Ndocaj u ndal dhe në të drejtën kushtetuese të emigrantëve shqiptarë për të votuar, të cilët janë privuar, pasi sipas tij, nuk i ka interesuar asnjëherë prej qeverive të majta dhe të djathta për t’i përfshirë, pasi kjo votë e tyre ndëshkon korrupsionin dhe pazaret që bëhen në kurriz të Shqipërisë.
Më tej, ish deputeti ka ftuar bashkatdhetarët tanë të mbështesin më 2025-n, alternativën që parashtron Lulzim Basha, pasi me kurajo dhe me vizion po çmonton “trekëndëshin e Bermudës”, duke zhbërë një sistem korruptiv dhe politiko-kriminal që ka mbajtur peng të ardhmen e Shqipërisë.