Situata aspak normale që po kalon Futboll Tërbuni dhe mënyra e trajtimit të disiplinave të tjera sportive nga bashkia, ka sjellë reagimin e kandidatit për kreun e bashkisë Pukë, Rrok Dodaj, i cili përmes faqes së tij zyrtare ka shigjetuar politikat e ndjekura, si dhe ka bërë përgjegjës kryebashkiakun për menaxhimin.
Në shpalosjen e programit të tij të sportit, Dodaj nuk ka ngurruar të evidentojë një fakt që nxjerr në pah keqpërdorimin e ekipit për përfitime personale, teksa ka përmendur kryebashkiakun si president ekipi dhe vëllain e tij si drejtor teknik .
Ja çfarë shkruhet ne programin e kandidatit Dodaj:
“Gjatë këtyre viteve sporti në Pukë është përqëndruar tek ekipi i Futbollit “Tërbuni“, duke lënë në harresë sportet tradicionale, për të cilat Puka ka një emër dhe reputacion konkurues në kompeticione kombëtare.
Braktisja e këtyre sporteve është dëshmi e qartë e mungesës së vizionit për zhvillimin e këtyre disiplinave si dhe nxjerr në pah një aspekt tjetër të mënyrës se si e shohin në perspektivë qasjen ndaj kësaj fushe drejtuesit dhe menaxhuesit e tyre.
Futboll Klub “Tërbuni“ është krenari e çdo pukjani, dhe si i tillë askush nuk mund të përvetësojë historikun e këtij ekipi, i cili shpeshherë vitet e fundit është përdhosur për mënyrën se si është trajtuar, duke i dhënë profilin e një formacioni që veshin bluzat dhe luajnë për rezultatet e vëllezërve menaxherë (njëri president, tjetri drejtor teknik).
“Presidenca“ ia ka borxh tifozerisë dhe qytetarëve llogaridhënien për shndërrimin e këtij ekipi në seleksion futbollistësh, të cilët kanë krijuar perceptimin tek tifozeria se nuk interesohen për garën, por më shumë për kalkulime që i shërbejën interesave okulte të drejtuesve të tyre, të cilët e shohin këtë sport si burim dhe mjet përfitimesh për biznesin dhe familjarët e saj. Koha e eksperimenteve dhe allishverisheve me sportin në Pukë do marrë fund.
Kemi detyrimin ligjor dhe obligimin moral dhe qytetar për krijimin e politikave të mirëfillta që nxisin zhvillimin e sporteve duke u mbështetur në talentet vendase, duke i promovuar dhe duke u krijuar kushtet e duhura. Sportdashësit dhe qytetarët pukjanë, e dinë se si paratë e shpenzuara për rrogat e futbollistëve, të stafit, akomodimi në hotel etj, ndonëse vijnë nga taksat e tyre, adresohen dhe kanalizohen dukshëm për në xhepat e presidencës.
Ne do e zhvillojmë sportin, disiplinat e ndryshme do kenë gjithë mbështetjen maksimale, talentet do subvencionohen dhe do stërviten në kushte optimale, infrastruktura sportive do jetë e niveleve bashkëkohore, të gjitha këto janë pjesë e prioritetit dhe vizionit tim për sportin”.











