Nga Edlira Devolli-LEKA
Sot realizuam takim shumë të rëndësishëm me strukturat e PD dega Durrës.
Më poshtë gjeni fjalën time të mbajtur në këtë takim.
_______________________________
Përshëndetje të gjithëve,
Ju falenderoj për pjesëmarrjen në këtë mbledhje që është shumë e rëndësishme për situatën në të cilën ndodhet partia Demokratike e Shqipërisë, por edhe dega jonë.
Në vlerësimin tim, nga kontaktet që kam pasur dhe kam me kolegët demokratë të Durrësit, ju siguroj se jemi shumë më shumë se në këtë sallë.
Shumë nga ata të cilët në fillim vrapuan te foltorja dhe në 6 Mars u rreshtuan në shtëpinë e Lirisë, sot nuk janë më atje, sepse kuptuan që ata i përdorin vetëm si numra, dhe se Partia Demokratike e vlerave, moralit, kontributit dhe meritokracisë është këtu.
Foltorja shantazhon, ofron dhe manipulon, mos e harrojmë këtë. Shumicën e kanë kontaktuar duke i ofruar poste dhe shumë nga ne këtu kemi refuzuar, sepse nëse vendoset një urë komunikimi dhe bashkëpunimi ajo vendoset në të mirën tonë të përbashkët, jo për pazare postesh.
Si mund t`u kërkohet demokratëve të mbledhin vota për LSI apo PL tani? Kur LSI i përdhosi dinjitetin demokratëve duke i hequr nga puna dhe duke i hedhur në mes të rrugës në 2013.
Mos harrojmë 21 Janarin 2011, të cilin e organizojë Edi Rama për bllokun e korrupsionit të Ilir Metës, e neve demokratëve na mbeti fatura negative e 4 të vrarëve në bulevard.
Sali Berisha dhe Ilir Metaj nuk kanë fytyrë të dalin më para shqiptarëve. Dhe marrëveshja e fundit që kanë bërë është në kurriz të demokratëve, në listat e këshillit bashkiak, në zonën e sigurt do ketë më shumë këshilltar nga LSI se sa nga foltorja. Pra LSi nuk do shpenzojë para, nuk do konsumojë burimet njerëzore, pasi këto shërbime do ja kryejnë demokratët e foltores. Ata do marrin postet dhe do bëjnë pazare në këshill… atë që dinë të bëjnë më mirë.
pra marrëveshja Berisha Metaj i shërben vetëm interesit të LSI.
Edhe diçka tjetër, me Berishën nuk fitohet, është figurë e konsumuar dhe e izoluar nga faktori ndërkombëtar. Edhe ai e di që nuk fiton, por i duhen demokratët për mburojë votash. Shumë demokratë e kanë abandonuar ndaj ju them se jemi shumë më shumë në numër.
Ti ftojmë njerëzit e ndershëm që njohim të na bashkohen. Ti ftojmë ata ish të përndjekur dhe ish pronar që kanë gjetur bërryla deri dje në PD të na bashkohen. Ne këtu jemi shumica morale e Partisë Demokratike.
Sali Berisha dhe ata që i shkojnë pas kanë luajtur boll me ne për interesat e tyre dhe të familjeve të tyre.
Kemi 32 vite tranzicion dhe dita ditës kemi familjar dhe miq që largohen
Nuk e mendoj dot që ime bijë të iki në emigrim për problem punësimi apo prej pasigurisë që ofron ky vend.
Nëse duam, ne mundemi!
Ka ardhur koha të mos mbetemi peng i halleve personale të Sali Berishës, i cili nëse do t`i donte vërtet demokratët dhe PD, do ishte larguar.
Për të qëndruar i jep një dorë dhe Edi Rama, pasi me Berishën dhe Metën si gogola të opozitarizmit Rama sundon i qetë.
Berisha nuk kërkon bashkimin e Pd, por alibinë e humbjes dhe asimilimin e mendimit ndryshe.
Po i dorëzon Ilir Metës partinë Demokratike, kush ka sy të shoh dhe kush ka vesh të dëgjoj thotë populli…
Si përfundim, është detyrë e jona të mbajmë të organizuar demokratët që janë të bindur se me foltoren as bashkëpunohet dhe as bëhet rotacion pushteti.
Teza e bashkimit eshte joshese dukje, por ne realitet eshte thjesht nje mashtrim, te cilin e nxori ne drite procesi per gjoja unifikimin per percaktimin e kandidateve per zgjedhjet e 14 majit, por e tregojne dhe ” pazaret” e posteve qe foltorja po u ofron disa pak drejtuesve ne strukturat lokale te partise.
Faleminderit!











