Nga Agron PREBIBAJ
Prenda Sejdia, tashmë është një poeteshë e njohur, e cila e ka krijuar profilin e vet poetik në mënyrë këmbëngulëse; kështu vargu i saj dallohet nga një nerv i fuqishëm ritmik, që sjell një shqetësim sa intim, aq edhe shoqëror. Edhe në poezinë që *Sharlatani i Përçarjes”, pas një leximi mbresëlënës që i kemi bërë, duket kjo. Poetesha me një stil brehtian sjell një poezi të angazhuar, me ide të qarta, ku ajo shfaq mospëlqimin ndaj të shëmtuarës që shfaqet me fytyrën e përçarësit, të atij njeriu që sot rëndom duket nëpër mjediset shqiptare të politikës.
Duke e portretizuar atë me detaje goditëse, ajo shpall hapur mesazhin dhe kundërshtinë ndaj këtij fenomeni social-poolitik dhe këtu sjell në ndihmë fjalë si: kuisling dhe ferr, alien, shpellarë, hipnotizues etj.
Fjalët e gjetura e plotësojnë më mirë kuadratin e idesë dhe portretizojnë me fuqi kreative pamjen e njeriut- monstër i cili rolin më të mirë që bën ka atë të përçarësit. Njerëz të tillë nuk është vështirë të hetohen, por nuk mbetet e lehtë të demaskohen, sepse gjuha e tyre është e kamufluar, ata fshihen pas sloganeve dhe frazave të sheqerosura. Këta janë njerëz që klonohen lehtë nga fara e së keqes dhe ngjizen me të aq shumë sa nuk mund të dalin më prej mantelit të tyre hipokrit.
Poetesha ngre një problem dhe shtron një ide e cila duhet mbajtur mirë në mendje: nga njerëz të tillë duhet kujdes, ata i mposht vetëm syçeltësia, solidariteti njerëzor dhe përqafimi i së mirës, ndërgjegjësimi jonë i përditshëm për vlerat dhe vullneti i ndezur nga pasione të forta për t`u ndërgjegjësuar. E shkruar me varg të çliruar, ku ritmi i brendshëm dhe fuqia e fjalës të bëjnë përshtypje menjëherë, kjo poezi është një agjitim i hapur për njohjen e vlerave dhe kompaktësimin e tyre, vetëm duke i ndërtuar ato me mirësinë dhe dashurinë njerëzore.
Mesazhi i fuqishëm që sjell e krijon bindshëm figurën e antitezës me fuqi noliane.
Sharlatani i Përçarjes
Kuisling e shqipfolës që përçan shqiptarët
A thua se nuk janë vëllezër të një gjaku
Ngjan porsi armiq që i lyp haku
Fuqi rrallë ngërdheshja jote turbulluese përballë njerëzisë
Bardh e zi mbeten imazhet brenda shpellës heshtur
Ferrit ia njeh hapësirat enkas e ndez flakë
Me mashtrimin varfanjak shkapërderdhur të tërën mënxyrë
Me shpellarët alienë gjendeni në një natyrë
Edhe perenditë i pate mashtruar
Ty që djalli trurin të ka klonuar
Ama marrëzinë e bën fort mirë
Vaj medet kur njerëzia dehet nga gjenia vet
Çmendurisht krekosur verbuar në magji
Mister e absurditet brumosur neveri
Ngre spirancën e shuaj marrëzitë
Ti hipnotizues i tmerrshëm dhe kobzi