Gjithnjë e më tepër e kuptoja se në shpirtin tim diçka kishte ndryshuar. Isha bërë më ëndërrimtare, më pëlqente të rrija duke menduar për njeriun që më kishte rrëmbyer vëmendjen dhe dashamirësinë time. Atëherë duke mos i njohur mirë natyrën e ndienjave të mia nuk arrija dot të përcaktoja mirë ato që ndieja. Isha vetëm 17 vjeçe, një gjimnaziste dhe fakti që munda të botoj disa poezi në gazetën ku Dritani ishte kryeredaktor më gëzonte pa masë. Kjo ishte me të vërtetë një shtysë mjaft e mirë për inkurajimin tim si krijuese.
Dukej qartë që bashkë me krijimet ai djalë në mënyrë të
pavetëdijshme më kishte rrëmbyer njëkohësisht edhe zemrën e çiltër dhe të
pastër. Nuk është se ia kisha idenë se ç’ishte dashuria, por pa e ditur as vetë
isha bërë robinë e saj. Kjo kishte ndodhur pasi kisha lexuar edhe librin me
poezi të Dritanit ku shprehte ndienjat e tij, imagjinatën dhe botën e tij të
brendshme. Për shumë pak kohë lexova librin e tij dhe i mësova të gjitha poezitë
pëmendësh dhe kur isha vetëm në shtëpi i recitoja me zë të lartë para pasqyrës
duke i shoqëruar edhe me mimikën e fytyrës.
***
Ëndrra vjen tek ti
Ti je larg e dashur, oh sa larg/ Malli me djeg si prushi nën
hi/ Unë do të vij e dashur, a do që tani?/ Në mos ardhsha vetë vjen ëndrra tek
ti.
***
Zënka
Po ne të dy u grindëm kot/ Kujtoje zënkën sa pa kuptim/ Sytë
e tu rigojnë lot/ Thyhet qelqi i shpirtit tim/ U grindëm kot dhe ti e di/ Dhe
kemi kohë s’ shkëmbejmë fjalë/ Akoma do të më mbash mëri,/ S’të djeg dhe ty i
njëjti mall?!
***
Mall për nënën (e cila kish ndërruar jetë)
Malli për ty shkriu borën/ Pritja po më rrudh/ Dy manushaqe syçkat nxorën/ Dhe unë nxitova t’i puth.
***
Sytë e tu
Sytë e tu/ Dy liqene/ Ikën ti/ Mbeten pasqyrë/ Ku shoh
veten.
***
Errësirrë e bardhë
Ndërmjet meje dhe teje e dashur ndjehet një errësirë e
bardhë/ Sa herë jam nisur për të ardhur/ Diellin dhe hënën tënde kur lind për
të pare/ Për tek ty jam nisur, po vij me shumē mund e dhimbje/ Atje ku dielli
lind në perëndim dhe hëna perëndonte në lindje.
***
Një yll
Pashë dikur një kometë të bukur/ Dhe një yll të shnditshëm
që i rrinte pranë/ Tani shoh vetëm errësirrë strukur/ Në qiellin e madh dhe të
pa anë.
***
Këto poezi e shumë të tjera më kishin rrëmbyer brenda vetes. Kishte ndodhur diçka
shumë e çuditshme pasi krejt vëmendja ime ishte drejtuar kundrejt këtij djali,
mund të them burri pasi ai i kishte kaluar 35 vjet e megjithatë ishte akoma
beqar sepse ende nuk e kishte gjetur vajzën ideale me të cilën do të kalonte
jetën.
Sigurisht që unë nuk isha vajza e duhur për të pasi kishim shumë diferencë moshe së bashku. Isha vetëm 17 vjeç ende e parritur dhe Dritani më konsideronte thjesht si një miken e tij për më tepër që ishim dhe një një lagje. Sigurisht që ai më ndihmoi për të botuar në një gazetë letrare, por kjo s’do të thoshte se më shihte me syrin që një mashkull sheh femrën e tij të adhuruar.
Kështu lindi në shpirtin tim një dashuri platonike për këtë djalë i cili nuk e kishte idenë se zemra e dikujt kishte filluar të rrihte për të. Duke i patur shtëpitë në një lagje e shihja në pëllëmbë të dorës shtëpinë e tij. Me mendjen tek ai, i mësova të gjitha oraret kur hynte e dilte nga shtëpia, hamendësoja se në cilën dhomë mund të rrinte ai, etj. Dritani jetonte me të vëllain, kunatën dhe fëmijët e saj pasi prindërit i kishin vdekur dhe nuk mund të jetonte vetëm. Kishte lënë shtëpinë e tij në fshat dhe kishte vendosur të jetonte në qytetin pranë edhe për efekt të punës.
Si fillim nisa ta mohoj këtë ndienjë të paprovuar më pare, por pas mohimit ndjehesha shumë bosh. Më dukej sikur kish brenda vetes një zbrazëti tepër të madhe të cilën nuk mund ta mbushte asgjë. Fytyra e tij më shfaqej kudo dhe e kisha të pamundur ta harroja. Komunikimi ynë ishte shumë i pakët vetëm kur më botonte poezitë e mia në një gazetë letrare ku punonte si kryeredaktor. Mund ta takoja dhe t’i flisja por më pas ktheheshim në dy të panjohur dhe s’kishim të bënim me njëri -tjetrin. Në këtë mënyrë s’më mbetej gjë tjetër veçse ta adhuroja nga larg këtë djalë, i cili për pak kohë u bë për mua njeriu më i rëndësishëm. Pengesa e vetme për mosrealizimin e kësaj dashurie ishte që kishim mes nesh 18 vjet diferencë dhe për më tepër s’kisha si t’ua shpjegoja prindërve këtë laithitje të moshës ?!
Herë pas here e mbidhja mendjen duke gjykuar veten shumë rëndë se po hyja në udhë të errëta dhe të panjohura më parë. Asgjë nuk më ndalte tani, unë tani isha tjetërsuar, nuk e njihja më veten. Duke lexuar librin e tij me poezi të cilat tashmë i kisha mësuar përmendësh më vajti në mendje një ide. Në fund të librit në kopertinë ai kishte dalë në fotografi dhe kjo ishte e vetmja foto që kisha nga Dritani. Asnjë kujtim dashuror, asnjë prekje, vetëm kjo foto bardhë e zi në fund të librit ishte tashmë bota ime e magjishme ku fluturoja e mrekulluar dhe nuk doja t’ia dija për asnjë lloj pengese.
Shkoja në librarinë e qytetit dhe blija ditë për ditë nga një një libër të tijin dhe më pas e prisja fotografinë dhe kjo ndodhi deri kur në librari nuk kishte më kopje sepse fatmirësisht ishin blerë nga unë si lexuese e flaktë që isha. Pasi e merrja librin e masakroja atë duke e prerë me gërshërë vendin ku qëndronte fotoja. Çmenduria prej adoleshenteje shkoi deri aty sa mora një foton time dhe një foto të poetit i bashkova bashkë dhe i futa në një meladion të cilin e mbaja gjithmonë me vete si simbol i kësaj ndienje të pakufijshme që kishte lindur befas në shpirtin tim të pastër si kristal.
Kohë më vonë e zmadhova këtë foto në përmasat e një portreti dhe ai më dukej sikur ishte pranë meje e sikur më fliste dhe më buzëqeshte. Nuk mungonin rastet kur pyesja prindërit e mi për Dritanin sidomos mamanë, e cila e kishte nga fshati i vet. Mami më tregoi se prindërit i kishin vdekur prandaj tani jetonte tek shtëpia e të vëllait derisa të mund të martohej, por duke patur shumë pretendime nuk kishte mundësi të lidhej me një vajzë për martesë. E si mund t’u tregoja prindërve kur unë isha ende një fëmijë ?!. Jo, jo e kisha të pamundur tu tregoja. Mendoja se me kalimin e kohës do ta harroja këtë histori por fatkeqësisht nuk ndodhi kurrë.
Gjithmonë që vija nga shkolla rrija me orë të tëra nga dhoma e gjumit ku dukej nga dritarja rruga ku ai kalonte për në shtëpi. Humbisja në mendime kur shikoja të shfaqej dhe ecte i vetëm në rrugicat e ngushta të lagjes. E shikoja dhe nuk mund t’i flisja, nuk mund ta prekja, nuk mund ta kisha timin vetëm për mungesë vullneti për t’u shprehur. Në atë kohë ishte dhe mungesa e teknologjisë. Në Shqipëri ende nuk ishin celularët, kompjuterat dhe mjetet e tjera të komunikimit elektronik. Unë kisha në shtëpi telefon me kabëll të Telekomit i cili lidhej me anë të centralit. Duhej t’i telefonoje centralit si fillim më pas ai të lidhte me familjen që kërkoje. Të gjitha këto pamundësi më largonin mua me Dritanin. Nëse do të kisha mundësinë t’i tregoja se sa shumë e doja ai patjetër që nuk do më refuzonte, por përkundrazi do të ishte shumë i lumtur që do të kishte në krahët e tij një vogëlushe.
Edhe pasi shkova në universitet pasioni nuk u shua kurrë. Edhe pse në shkollë kishte shumë raste të cilat mund ti shfrytëzoja ende vuaja nga një fiksim shumë i madh dhe nuk mundesha të lidhesha me askënd tjetër.
Një mëngjes vendosa ta merrja kurajon ta merrja në telefon Dritanin pasi dhe ai kishte telefon shtepie dhe numrin ia gjeta tek libri i numratorit të qytetit. Formova numrin, i rashë ziles dhe në momentin kur ai m’u përgjigj nga ana tjetër e receptorit të telefonit unë nuk munda të flas. E kisha të pamundur të nxirrja qoftë dhe një tingull të vetëm nga zëri im. Nuk e bëra dot hapin përpara që të realizoja komunikimin me njeriun që adhuroja. Pas disa kohësh mora vesh se Dritani ishte fejuar dhe së shpejti do martohej, një lajm i hidhur ky për zemrën time të dashuruar. E bëja veten fajtore për heshtjen time dhe ja si kisha përfunduar dhe gjithçka tani mbeti një ëndërr e largët. Tani çdo gjë ishte e kotë. Askush tjetër nuk më hynte në sy, çdo gjë më dukej e errët dhe e pakuptimtë.
Megjithëse shpresoja se në të ardhmen do të gjeja një tjetër dashuri mendja nuk më më ndahej nga ai djalë i cili për herë të parë zgjoi fantazinë dhe etjen për të qënë e dashuruar. Sado vite që të kalonin ajo ndjesi nuk zvogëlohej, por përkundrazi shtohej e shtohej në përmasa të pallogaaritshme aq sa më dukej sikur më pengohej frymëmarrja. Ishte diçka e pastër, kristalore që nuk përafronte me asgjë tjetër. Nuk ndieja epsh femëror ndaj mashkullit që më magjepste përkundrazi ajo që e bënte aq të pakapshme dhe fluide atë marrëzi ishte pikërisht pastërtia e saj.
Nuk mund të ishte një pasion kalimtar pasi i kishte rezistuar kohës dhe dukej që rrënjët e tij ishin tepër të thella në ndërgjegjien e saj të shqetësuar. Kur flija vendosja poshtë jastëkut foton e të adhuruarit tim duke e bërë atë njëherë e përgjithmonë idhullin tim. Në jetë mundohesha ta kisha si model. Edhe studimet e larta i ndoqa për gjuhë-letërsi sikundër Dritani, gjithnjë i mbaja pranë vetes librat artistikë dhe krijimet pasi dhe ai i kishte këto pasione. Nuk hoqa dorë kurrë nga leximi i librave pasi e dija që dhe ai i donte shumë dhe nëpër faqet e librave më dukej sikur gjeja pjesëzat e humbura të shpirtit tim.
Duke qënë e papërvojë në dashuri u mbylla në vetvete dhe nuk flisja me prindërit. Sekretin tim ia tregova një shoqes time të ngushtë e cila më ngushëllonte dhe më jepte kurajo që të mos mërzitesha. Sa e sa poezi i kushtova kësaj dashurie ku në përgjithësi shprehej fryma e tyre pesimiste, jepej dëshira për të patur pranë gjëra të bukura, por fatkeqësisht ato largoheshin shumë larg si yje të shuar.
Paradoksi më i madh ndodhi kur një ditë dëgjova nga dritarja një muzikë që vinte nga shtëpia e Dritanit. Zemra më rrahu shumë fort pasi e kuptova se diçka po ndodhte. Tej e tej dëgjoheshin këngë dasme dhe kjo tregonte se ai po martohej. Bashkë me shoqet e lagjes u struka aty pranë shtëpisë së tij dhe po shikoja me shumë kurreshtje nusen e cila ishte një vajzë zeshkane me flokë të zeza, e cila e veshur ashtu me fustan nusërie ngjante porsi një zanë e bukur. Në ato momente ndjeva keqardhje për veten. Qëndrova aty derisa nusja me dhëndrin kërcyen napolonin dhe më pas u largova nga ai ambjent stresant. Doja vetëm të ikja diku larg dhe të harroja atë që po ndodhte. Ndjehesha e lodhur, e coptuar dhe nuk arrija të mendoja qartë.
Pasi arrita në shtëpinë time u mbylla në dhomën time dhe
fillova të qaj e të qaj aq sa m’u enjtën sytë dhe m’u ngjir zëri dhe të
nesërmen përfundova në spital me të përziera të stomakut dhe ethe. Nuk mund ta
përballoja dot këtë helm në zemrën time. Duhej t’ja nisja nga e para dhe të
gjeja një ëndërr të re por kjo më dukej e pamundur. Askush nuk e zëvendësonte
dot Dritanin me atë thjeshtësinë e tij deri në madhështi. Ai ishte gjithçka për
mua, ishte ajri që unë thithja, ishte muza ime ime e frymëzimit.
…Dhe pas shumë vitesh kurrë nuk arrita të përjetoj një ndienjë aq të thellë
sa një oqean.