Nga, Erl Kodra
Pothuaj çdo ditë mendoj për popullin opozitar dhe Partinë Demokratike. Unë kam një arsye të fortë që e bëj këtë; sepse nëse njeriu i shkretë duhet të besojë diku; dhe në rastin tonë e vetmja shpresë mbetet Partia Demokratike.
Shpesh herë përgjatë këtyre mendimeve që më lënë pa gjumë, unë shoh ditën e humbjes në vitin 2013 dhe dorëheqjen e Sali Berishës. E dija se boshllëku që do të linte pas një lider si ai, vështirë se do të mbushej lehtë. Ajo çfarë ndodhi më vonë, mund të them se e kisha parashikuar.
Modeli politik i ndërtuar në Shqipërinë e më shumë se dy dekadave është unik. Vështirë se mund të gjendet diçka e ngjashme në demokracitë e vendeve të BE-së; e kam fjalën për marrëdheniet parti politike/ votues. Ajo është një marrëdhenie e çuditshme posedimi, njëlloj pengmarrje e veçantë, ku partia përdorë disa metoda speciale që votuesi të mbetet i lidhur pas partisë, por jo pas programeve politike dhe ekonomike. Kjo është një situatë komplekse, ku ndërthuren faktor dhe aktor, politikanë dhe biznesmen. Gjithmonë problemi ka qenë tek votat që bëjnë diferencën.
Humbja e Partisë Demokratike në vitin 2013 për mendimin tim kishte njëlloj sensi llogjik. Arsyet janë të njohura. Unë po përpiqem të shoh gjendjen e Partisë Demokratike pas 2013-tës, mjedisin politik të saj dhe jo vetëm; por edhe mjedisin e shoqërisë shqiptare. Ajo çka shohim është kjo;
Sali Berisha jep dorëheqjen si lider i Partisë Demokratike dhe nominon si pasardhës Lulzim Bashën. Fjalën e Berishës si Kryetar i PD-së askush nuk e vinte në dyshim, por sigurisht që me zgjedhjen e tij shumëkush nuk ishte dakort. Çdonjëri prej zyrtarëve të lartë të PD-së së 2013-tës në parti dhe qeveri potencialisht e ka dëshiruar atë pozitë; me të drejtë, sepse tek e fundit qenia Kryetar i Partisë Demokratike është detyra më e lartë politike në Shqipërinë pluraliste. Natyrisht që Partia Demokratike në atë kohë kishte shumë alternativa, por sigurisht që njëri do të ishte Kryetari. Mëtonjësit për fronin e PD-së mprehën shqisat dhe instinktet. Fundja, kështu ka ndodhur përjetësisht për çdo fron; luftë dhe intrigë. Prandaj edhe “Games of Thrones” filloi!
Zakonisht ndodhë, që kur jeton për një kohë të gjatë në pushtet dhe mirëqenie të lartë, ambicia shtohet. Zakonisht ndodhë, që nepsi i kaplon njerëzit e zakonshëm; veçanarisht kur përpara teje hapet mundësia për të kapë majën, prej ku mendohet se siguron gjithçka; para, pushtet dhe lavdi.
Këto janë ëndrrat e njerëzve të zakonshëm dhe vanitoz. Emrat e tyre i njihni mirë, ndaj unë nuk do t’i përmend përvetëshëm, por në grup;
Grupi që e sulmon Partinë Demokratike nga brenda saj, me të gjitha mënyrat, me të gjitha mjetet, me të gjithë forcën e parasë. Fundja ata janë si të gjithë shqiptarët; në këtë rast si të gjithë shqiptarët e mllefosur që inati u del bashkë me shpirtin.
Po a ishte Lulzim Basha zgjedhja më e mirë për trashgiminë e Partisë Demokratike?
Unë e pohoj me bindje se Sali Berisha ka bërë zgjedhjen më të mirë. Ky është një pohim i fortë, dhe unë do të argumentoj pohimin tim.
Sali Berisha është padyshim njeriu politik më i zgjuar në Shqipërinë e pas viteve 90-të. Situatat e vështira që ka kaluar përgjatë tranzicionit dhe mbijetesa në një mjedis të ashpër politik, janë prova, se reflekset dhe përvoja e thellë e Berishës kanë funksionuar.
Unë besoj se Sali Berisha e ndjente se nga zgjdhjet e 2013-tës Partia Demokratike do të dilte e humbur. Rrethanat ishin të tilla, shenjat po e po, ndaj Berisha me kohë ishte përgatitur për skenarin e humbjes, largimin nga Kryetar i Partisë Demokratike dhe gjetjen e pasuesit. Sigurisht që Berisha u ka bërë “testin” të gjithë bashkpunëtorve të tij; të cilët i njihte mirë, me siguri më mirë se kushdo tjetër.
Ndërkohë punët shkojnë keq me politikën shqiptare; klientelizmi politik ka marrë përmasa të paimagjinueshme dhe aleanca bizarre politikë- biznes duhet të marrë fund. Ai e sheh se çfarë ndodh me PS dhe LSI-në, diçka mes sipërmarrjes dhe sindikatës. Sigurisht, ai e sheh se edhe Partia Demokratike ka mëkate; drejtorë dhe ministra që jetojnë nëpër ishuj imunitarë, duke u përkujdesur për “mbarvajtjen e punëve”.
Partia Demokratike duhej të bëhej më europiane, të mos rrëshqiste edhe ajo në llumin e PS-së dhe LSI. Populli i djathtë dhe shqiptarët në përgjithësi meritojnë reformimin e politikës shqiptare; dhe ky reformim duhet të fillojë nga Partia Demokratike.
Sali Berishës nuk i premton koha fizike për të përmbushur misionin e tij; mandati i dytë qeverisës me LSI-në ishte dërrmues për Partinë Demokratike; një model i shëmtuar që vret programin politik dhe ekonomik të partive politike, për ta zëvendësuar me klientelizmin banal që shet dhe blenë gjithçka.
Lulzim Basha kishte kredencialet e nevojshme për të drejtuar Partinë Demokratike në epokën ‘pas Berisha’. I provuar me detyrat më të rëndësishme shtetërore, Ministër i Transporteve, Ministër i Brendshëm, Ministër i Jashtëm dhe Kryetar i Bashkisë Tiranë.
I ri, i mirëarsimuar, elokuent, i sjellshëm dhe serioz, i zgjuar dhe punëtor, i promovuar edhe ndërkombëtarisht në të gjitha kancelaritë evropiane dhe botërore, Lulzim Basha ishte zgjedhja më e gjetur për të filluar reformimin e Partisë Demokratike, e njëkohësisht edhe reformimin e politikës shqiptare.
Rrethanat nuk janë të zakonshme kur përballë ke Edi Ramën që po e vdes Partinë Socialiste me aleancën më të neveritshme që njeh historia politike e Shqipërisë; mafie, politikë, biznes. Lufta vazhdon me të gjithë forcën e saj brutale, megjithse krejt e pandershme, e ndyrë dhe e pabarabartë, ashtu siç zhvillohen zakonsht të gjitha luftrat mes të mirës dhe të keqes.
Partia Demokratike po mbijeton, gjithashtu edhe Lulzim Basha, që me gjasë këtë pranverë do të kenë betejen finale për të mposhtur të keqen.
Një parti politike duhet të votohet për programin e saj politik dhe ekonomik. Do ju tregoj një ngjarje politike të ditëve të fundit në një vend të BE-së, që mua më ka lënë pa fjalë.
Para 5 muash u zhvilluan zgjedhjet politike parlamentare. Asnjëra nga dy blloqet e mëdha politike nuk fituan shumicën, ndërkohë, që një parti populiste e ekstremit të djathtë pati një rritje të fortë. Histori tjetër kjo e rritjes së kësaj partie, që në të vertet ka vetëm sllogane idiote dhe të shumë rrezikshme.
Për 5 muaj asnjëra nga blloqet nuk ishte në gjendje të krijojë qeverinë; asnjëra nga palët nuk pranonte bashkpunimin me partinë idiote. Diku nga fundi, partia kryesore e së djathtë gati e pranoi aleancën me partinë e idiotëve. Në këto rrethana, dy partitë e tjera më të vogla, pjesë e të djathtës vendosën të mbështesin bllokun e majtë, vetëm që të mos krijonin qeverinë me partinë e idiotëve.
Krijohet qeveria e re. Kryeministër është një socialist. Qeveria e re nuk ka asnjë emër nga dy partitë e vogla që e mundësuan krijimin e qeverisë.
Dy partitë e vogla dhe të djathta i kanë vënë përpara Kryeministrit socialist një dokument me 73 pika (kushte) të tyre, të politikave të tyre, të programit të tyre politik dhe ekonomik. Por nuk kanë marrë asnjë post ministror, në asnjë nivel.
Ata nuk pranuan të jenë pjesë e një qeverie socialiste, por kërkojnë nga ky Kryeministër, që programi i tyre politik dhe ekonomik të realizohet!
Edhe Kryeministri socialist pranoi kushtet që të qeverisë vendin me 73 pika (kushte) të dy partive të vogla. Unë jam i bindur se këtë nuk e ka bërë nga dashuria për pushtetin, por nga dashuria për vendin e tij.
Çfarë morali kristal!
Politika është edhe moral, madje unë besoj me gjithë shpirtë se morali në politikë bën diferencën.
Por me një kusht: që të ketë aq dashuri dhe zgjuarsi që të thuhet dhe të kuptohet e verteta.
Shënim: Ky është një cikël tekstesh, sfidë e imja për zhvillimet politike në Shqipëri, zhvillime të cilat unë i shoh të lidhura ngusht me zhvillimet në Partinë Demokratike, si forca më e moralshme politike e Shqipërisë, dhe shpresa e vetme e saj. Nuk ka gjasa dhe nuk ka mundësi të krijohet ndonjë forcë të re politike anti-sistem që mund ta zëvëndësojë Partinë Demokratike. Argumentet pse, unë do t’i japë në tekstin tjetër.
Unë ju ftoj dhe ju lutem që të më lexoni, kuptoni dhe shpërndani këto shkrime. Ju siguroj se raporti im me këtë tekst është vetëm dashuria dhe asgjë tjetër.