Deklarata e Erjon Veliajt për shenjtoren Nënë Tereza/ Reagon zëdhënësja e fushatës për Bashkinë e Tiranës, Silvi Bardhi: Edhe kur mendon se po i shërben qytetarëve, i gropos edhe më shumë shpresën.
Kryebashkiaku në ikje i Tiranës, Erion Veliaj, nuk kursen as shenjtoren Nënë Tereza në prag të zgjedhjeve lokale të 14 majit.
Ndërsa ligjëron në mbledhjen e Këshillit Bashkiak, Veliaj ka zgjedhur të bëjë një paralelizëm krejtësisht të pavend mes humanizmit të Nënë Terezës dhe mënyrës që ai ka instaluar për të menaxhuar kryeqytetin.
“Me të shtrirë në tokë u perpoq Nene Tereza në Kalkutë nuk ia doli dot, ata shtriheshin të gjithë në tokë dhe nuk ia dolën, se ndryshe do të ishte bërë Kalkuta një vend për tu kopjuar, dhe sdo të kishte nevojë për shërbimet e Nënë Terezës. Po komb, qytet apo zonë urbane, të ketë lulëzuar duke u shtrirë në tokë, nuk gjendet”, shprehej Veliaj para Këshillit Bashkiak
Në fakt, Kryebashkiaku në ikje i Tiranës, harron se misioni i Nënë Terezës ishte të ndihmonte dhe t´i shërbente njerëzve në nevojë, atyre që vuanin më shumë.
Nëse Veliaj do të ishte pak më i vëmendshëm në vitet e shkollimit, apo do t´i kushtonte më shumë rëndësi fakteve, do të kuptonte se shenjtorja Nënë Tereza u kthye për miliona njerëz në Kalkutë edhe nënë edhe baba, edhe infermiere, dhe mbi te gjitha shërbëtore e tyre!
Misioni i Nënë Terezës ishte t’u jepte shpresë njerëzve qoftë edhe përmes besimit në Zot, dhe jo t´ua varroste përfundimisht shpresën sikundër ndodh sot në Tiranën tonë, ku pas fasadave të kuruara me kujdes, qëndrojnë mure të çara, apo themele të shkërmoqura.
Erjon, ti je antiteza e Nënë Terezës!
Ti edhe kur mendon se po i shërben qytetarëve, i gropos edhe më shumë shpresën.









