Nga Aleks KAPLLAJ
Kryeministri shqiptar Edi Rama është rast unik në botë, që nuk i “njeh” zgjedhjet e lira e demokratike në Itali.
Edhe pse kanë kaluar tre ditë nga dalja e rezultateve të zgjedhjeve në vendin fqinjë, Edi Rama nuk e ka uruar akoma fituesen e zgjedhjeve të 25 shtatorit, Giorgia Melonin dhe aleatët e saj.
Në të gjitha vëndet demokratike apo ispiruese për të qenë të tilla, është detyrim protokollar diplomatik ndërshtetëror, që të urohet çdo fitues i zgjedhjeve, që është frut i vullnetit të lirë të qytetarëve që votojnë të lirë përfaqësuesit e tyre në vendet demokratike. Kjo ndodh edhe nëse ata nuk janë të krahut politik të kryeministrit apo presidentit në detyrë të vendit urues!
Mos njohja e rezultatit të zgjedhjeve në Itali nga kryeministri shqiptar Edi Rama, është në linjë me qëndrimet e tij edhe në të kaluarën, kur u zgjodh president Donald Trump. Atë kohë Rama e quajti presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, shame of our cilivisation”, turpi i njerëzimit”. Por pak më vonë, ishte Edi Rama, që insistoi të siguronte një foto me presidentin Donald Trump.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Europian, uruan menjëherë fituesen e zgjedhjeve në Itali, në respekt të vullnetit të qytetarëve italian dhe të demokracisë të konsoliduar të këtij vëndi dhe në respekt të partneritetit historik Evro-Atlantik të Italisë e që do të vazhdojë të jetë i tillë edhe me qeverinë e dalë nga zgjedhjet e fundit. Italia është vëndi themelues i Bashkimit Evropian, ku ne si vend dhe si komb synojmë të integrohemi.
Njëkohësisht, rëndësia gjeopolitike, ekonomike dhe historike e marrdhënieve tona me vëndin fqinj, është një detyrë e çdo istituzioni, qoftë qëveritar ashtu edhe partiak, në ruajtjen dhe forcimin e këtyre marrëdhënieve pa paragjykime bindjesh politike.
Një vënd si Shqipëria që në zgjedhjet e fundit parlamentare, kishte shumë mangësi në standartet e zgjedhjeve të lira, ku përveç akuzave të opozitës për manipulimin dhe blerjen e votës nga qeveria në fuqi e Edi Ramës, ishte vetë raporti i ODIHR, që i vuri në dukje me rakomandimet e saj, në vend që të mësojnë nga demokracia dhe eksperienca e saj 70 vjeçare, e përbuzim atë me qëndrimet dhe paragjykimet e kryeministrit Rama.
Por duke njohur (in)koherencën e kryeministrit shqiptar, cilësi e fortë e tij, jam i bindur se do të jetë i pari që do sigurojë një foto me kryeministren e ardhshme të Italisë, Giorgia Melonin, duke e shoqëruar me një buzëqeshje të “sinqertë” mjekër-përkëdhelëse, të bashkangjitur me urimin për fitoren e saj!










