Nga Elsa Sula
I frikshëm, por i vërtetë është realiteti i këtyre kohëve në të cilat po jetojmë, siҫ duket kemi bërë një pakt të heshtur, o të jetojmë kështu, “qenshe” sipas gjykimit tim, ose të presim një biletë e të largohemi prej tokës amë. Të largohemi prej vendit tonë , i cili nga dita në ditë po na ofron vetëm baltën, e për atë copë patriotizmi që na ka mbetur për këtë vend, ende themi më e ëmbël balta se mjalta.
Të rinjtë, e tashmja dhe e ardhmja e këtij vendi për ҫfarë mjalte duhet të të qëndrojmë ende në këtë hapësirë tokësore të bekuar vetëm prej Zotit e që të gjithë pa asnjë lloj ndasie pranojmë pa patur turp se jemi shqiptarë dhe na ҫohet zemra peshë vetëm kur dëgjojmë këngën “Xhamadani vija-vija”, gëzohemi kur Kombëtarja e Futbollit bën gol, krenohemi me trofetë e Luiza Gegës dhe mahnitemi nga bukuritë natyrore kur i reklamon një i huaj, por a vetëm kaq vlen ky vend dhe a është vec kaq sedra jonë?
Kaq!
Thurja e ëndrrave, investimi për rritje profesionale dhe dëshira për të punuar në këtë vend tek të rinjtë është venitur e të gjithë i kanë ëndrrat e tyre për t’i jetuar jashtë këtyre kufinjve, për të cilët u derdh gjak që ne t’i gëzojmë sot. Mbase, njeriu qenka qenie e destinuar për të kërkuar më të mirën e asaj që gëzon, por me rastin e të rinjve që kanë marrë rrugët e botës, nuk po kërkohet më e mira, por një jetë normale, e cila në këtë vend nuk po mundësohet e kjo e ndikuar nga faktorë politikë, ekonomikë dhe social-kulturor.
Në Shqipërinë tonë të fjalës e nderit, kur ishte turp të shkelje besën, ku të parët tanë u munduan të na përcillnin disa vlera morale e shoqërore që rrallë popuj i gëzojnë, kur na përcollën shembujt më të mirë të njerëzve të penës, që kountribuan për këtë vend, për forcimin e tij dhe fort mirë u përpoqën të na ngulisnin në mendje e zemër të ruajmë rrënjët e këtij identiteti dhe të na vrasë ndërgjegjja prej turpit.
Mbase këto rrënjët e forta të të qenurit shqiptar nuk na paskan “përkufizuar” siҫ duhet konceptin e turpit, e ne jemi sot disa individë pa sedër që ndjenja e patriotizmit na është copëzuar nëpër botë,ku kërkojmë të jemi qenie me gjak e sedër, sepse sot në vendin tonë nuk është turp nëse vjedh, madje je shumë i zoti e je më i nderuar prej komunitetit, sesa një mësues apo inxhinier që ka punuar gjithë jetën me djersë.
Turp nuk është nëse je dënuar për prostitucion, kultivim të bimëve narkotike, vrasje me paramendim etj,etj përkundrazi duartrokitesh për veprën e radhës penale dhe shteti nuk bëzan.
Të drejtojë i paafti të aftin tanimë nuk është turp në vendin tonë, ashtu siҫ nuk është turp që arsimimi të shitet e blihet si artikull tregu, cilësia e të cilit nuk është turp se gjendet për dhe. Turp nuk është nëse i dituri hesht para të paditurit dhe nuk është turp as të zgjdhurit për të na përfaqësuar të na përfaqësojnë njëherë në muaj tek bankomati. Në këtë të tashme në vendin tonë nuk po flitet më për turp e ndërgjegje sepse më të ndërgjegjshmit janë më të ulëtit, më pak të vlerësuarit në vendet e punës, më pak të paguarit e modelet më të pakta që promovohen për të rinjtë, ndaj sot të rinjtë kanë marrë të tjera rrugë e kanë mbetur në këtë vend ajo moshë që ende e ruan me fanatizëm ndërgjegjen ose në anën tjetër të medaljes vazhdojnë të qëndrojnë këtu ato që po përkufizojnë ndryshe punën, mirëqenien, sedrën dhe emancipimin.
Të rinjtë janë në kërkim të sedrës së të etërve që na kanë lënë diku nëpër libra historie se di mund të jesh qeverisës, strateg, bashkëpunues, model atdhedashurie dhe përcues i disa vlerave të forta morale e shoqërore, në gëzim të këtyre hallkave askush nuk do të largohej nga ky vend.











