1.Familja nacionaliste dhe patriotike e Gjyrezve të Rusit.
Familja e Gjyrezi është një ndër familjet më të vjetra, 350 vjecare të qytetit të Shkodrës. Familja Gjyrezve të Rusit ka mbajtun në të gjithë historinë e saj në 100 vitet e fundit një qëndrim nacionalist, patriotik dhe demokrat. Sulejman Gjyrezi i vjetri, ka kenë avokat para pavarësisë 1912 dhe ka patun për grue motrën e Hodo Pashë Sokolit. Nga kjo familje kanë dale gjithmonë përfaqësues të cilët i janë përkushtue me shumë dashuni Shkodrës dhe kombit deri në vetmohim. Qëndrimi i familjes Gjyrezi, të Rusit para luftës së dytë botnore ka kenë në krahun Nacional-demokrat. Qamil Gjyrezi “i vjetri” ka ken mik i Luigj Gurakuqit dhe bashkpuntor politik i tij, sekretar i partisë liberal-demokrate. Selim Gjyrezi, vëllau i vogël ka kenë pjesë e krahut nacional-demokart, antikomunist. Selim Gjyrezi asht pushkatue mbas shpine në 1944, duke u largue për në Kosovë, nga kriminelët e Brigadës së Shefqet Pecit. Shkrimtari Ismail Kadare shkruan: “Viti 1943 ishte viti i parë i vrasjeve pas shpine. Vrasjet pas krahëve ishin motërzimi ballkanik i terrorit rus, atë që kishte profetizuar”. Agron Gjyrezi asht “Dëshmorë i demokracisë”, i ranë në krye të detyrës në vitin 1993, asht nip i kësaj familje. Kurse Rasim Gjyrezi duke kenë kordinator i Lëvizjes së Postribës të Shtatorit 1946. Rasim Gjyrezi asht vra në Krebaj të Anës së Malit, nga kriminelët e ish-sigurimit të shtetit. Rasim Gjyrezi ka kenë, me grupin nacionalist dhe ka luejtun një rol shumë të madh për kryengritjen e Postribës të 9 Shtatorit 1946. Ai ishte një njeri shumë punëtorë, qytetarë, por ardhjen e pushtetit komunist e priti shumë keq. Shpesh ish-kriminelët dhe organet e sigurimit, te dala nga lufta nacional-clirimtare, i banin presion psikologjik dhe politik, duke e burgosun dhe përdhunosun, mbas instalimit të diktaturës komuniste në 1994. Prandaj me shumë vetëdije dhe përkushtim, ai u përfshi në organizimin e lëvizjes së Postribës, për ti thanë ndal krimit të shtetit komunist që po pregatitej me ardhjen e tij në pushtet.
Lidhjet familjare me Kazazët ishin një argument tjetër, për ti’u bashkue kësaj lëvizje. E motra e Gjyrezve, Sadije Kazazi, ka kenë e shoqja e Adem Kazazit, një trimneshë e cila i ka përballue me shumë guxim, shantazhet dhe torturat e klikës komuniste mbas 1944. Ajo ka mbajtun një qëndrim shumë burrnorë, në burgjet e komunizmit. Hamza Kazazi, në artikullin e tij “Kryengritja e Postribës” shkruan: Saiti, Doktor në drejtësi, komandant i batalionit “Besnik Cano” të rinisë së Ballit, luftoi me armë në dorë pushtuesin dhe qe në krye të rinisë vullnetare në Kosovë. Saiti i plagosun qe strehue tek Sadija, e veja e Hafiz Kazazit, motër e Rasim Gjyrezit, i vrarë heroikisht në Krebaj. Rasimi me njerëzit e tij do të sulmonte Shkodrën nga “Ana e Malit”1.
Kur filloi kryengritja e Postribës, Rasim Gjyrezin bashkë me të shoqen i gjeti në Krebaj të “Anës së malit”. Një ditë mbas kryengritjes, ai do të gjindej i rrethuem nag forcat e ish-sigurimit të shtetit. Si patriot dhe trim, ai filloi menjëherë pushkën, mbasi e njihte shumë mirë, psikologjinë e kriminelëve të ish-sigurimit të shtetit.
Ai kishte me vehte dy pushkë dhe sa herë që ju mbarojshin fishekët e njërës pushkë, ja mbushnin tjetrën, deri sa Rasimi, do të vdiste mbas një luftimi shumë gjatë. Familja e Hysë Dobrovodës, ku ai kishte qëndrue disa ditë me radhë, me dërrsat e hekuna prej dyshemeve të dhomës, i improvizuen një arkivol dhe e varrosën Rasim Gjyrezin në fund të prozhmit. Kjo ishte historia e shkurtën e nacionalistit dhe patriotit Rasim Gjyrezi, që së bashku me shumë intelektualë dhe patriot të tjerë u vranë dhe u burgosën pa të drejtë nga pushteti i kohës.
Rasim Gjyrezi është dekoruar si “Martir i demokracisë”. Rasim Gjyrezi si shumë nacional-demokratë të tjerë të kohës, e kuptuen shumë mirë dhe e ndjenë po aq mirë se pushteti i ardhun komunist dhe diktatorial në vitin 1944, nuk kishte si të kishte fëtyrë tjetër, përvec asaj që kallxoi, për 50 vite, duke krye krimet ma të randa për intelektualët, nacionalistat dhe demokratët. Megjithatë asht në misionin e gjithsejcilit shqiptarë, që të bajë dicka të mirë për kombin, qytetin dhe rrezistencën kundër të keqes. I tillë ishte edhe Rasim Gjyrezi, i plagosun në Luftën për Mbrojtjen e Shkodrës (Koplikut) në vitin 1920, i cili dha jetën për demokracinë, për Shqipninë, për Shkodrën për kombin shqiptarë, kundër bishës sllavo-komuniste që po e zaptonte dhe do ta përdhunonte kombin tonë për 50 vite.
2.Lëvizja e Postribës, lëvizja e parë antikomuniste në Europën lindore:
Ish kryeministri britanik Toni Bler në një seancë të parlamentit anglez, ndër të tjera përmend edhe dështimin e “Foreing Oficc-it” në Shqipni mbas 1944. Marrveshja e Jaltës për Shqipninë dhe për kombin shqiptarë ishte një katastrofë e vërtetë në planin politik, ekonomik dhe shoqnorë. I gjithë kombi shqiptarë pati konseguenca politike e shoqnore. Kosova u ba pjesë e federatës ish-Jugosllave dhe Shqipnia dhe shqiptarët të gënjyer nga klika e ardhun në pushtet, vuajtën për 50-vite një prej diktaturave ma të egra të njerzimit. Intelektualë, nacionalistë, ish-tregtarë, njerëz të pafajshëm, përjetuen diktaturën dhe dhunën ma të egër në të gjithë Evropën lindore. Prandaj lëvizja e Postribës ka vlera të padiskutueshme gjeopolitike, politike, sociale dhe qytetare. Ajo ishte lëvizja e atyne që nuk besuen kurrë tek komunizmi internacionalist shqiptarë. Sami Repishti për këtë ngjarje asht shprehun : “Ushtarakisht “Lëvizja e 9 Shtatorit 1946 ka kenë një akt i guximshëm i papërgatitun. Lëvizja dëshmonte një politikë kriminale që po zbatohej”.
Rasim Gjyrezi, Riza Dani dhe Dulo Kali, Paulin Pali për nacionalistët, ishin pjesë shumë e randësishme e lëvizjes krahas grupeve të tjera. Këto nacionalista dhe qytetarë patën vetëdijen dhe e parashikuen se komunizmi në Shqipni, do të sillte vetëm varfni dhe krim, prandaj u lidhen me shumë sinqeritet me këtë lëvizje, për të ndikue sado pak për pengimin e vendosjes të pushtetit komunist dhe diktaturës sllavo-komuniste. Në artikullin “Si u organizua kryengritja antikomuniste e Postribës, botuar në gazetën R.D. shkruhej: “Në Postribë situata ishte në shpërthim. Filluan të zhvilloheshin mbledhjet e para, me qëllim pjesëmarrjen sa më të gjerë të fshatrave dhe banorëve të qytetit të Shkodrës. Në muajin korrik, një mbledhje u mbajt në shtëpinë e Cin Serreqit. Në Shegaj të Ibros në Postribë, nën drejtimin e Osman Haxhisë, u mblodhën përfaqësuesit kryesorë të fiseve, edhe nga Hoti i Ri. Në këtë takim merrte pjesë edhe përfaqësuesi i njohur i fisit të Kazazëve, Jup Kazazi, i cili kishte një autoritet shumë të madh në Shkodër e fshatrat rreth saj” 2.
Lëvizja nuk ja arriti qëllimit, por ajo do të mbetet përgjithmonë një simbol i qendresës nacionaliste kundër komunizmit.
Do të ishte në nderin tonë tashma që këto ngjarje të zanë vendin e tyne të nderuem, në historinë tonë, por me vërtetësi. Shqipnia tenton të jetë vend i Europës së qytetnueme. Në vendet e ish-lindjes komuniste, pamvarsisht se komunizmi ka kenë ma liberal, ngjarje të tilla historike kanë vendin e tyne të nderuem në historinë e këtyne vendeve dhe dekomunistizimi i vendit asht krye, që në 10 vjecarin e parë, mbas viteve 90-të dhe tashti shohin përpara për zhvillimin ekonomik dhe shoqnor.
Nacionalistat dhe të gjithë ato grupe politike, të cilat kontribuen në lëvizjet antikomuniste në Shqipni, duhet të marrin vendin që ju takon.
Referenca
1.Hamza Kazazi: “Kryengritja e Shkodrës”. 2018 F.48
2. “Si u organizua kryengritja antikomuniste e Postribës. Gazeta R.D.08/09/2017