Sali Berisha, gjatë “Foltores” në Kavajë, ka dhënë lajmin se gjykatësi në Paris, ka pranuar padinë e tij për Sekretarin Amerikan të shtetit, Antony Blinken, i cili e shpalli non grata në 19 maj të këtij viti.
Berisha e ka paditur Sekretarin e Shtetit për shpifje. Ai thotë se deklaratat e Blinken, se Berisha është i korruptuar, i kanë cënuar dinjitetin dhe janë të pavërteta.
Berisha ka kërkuar që në gjykatë të paraqiten provat e korrupsionit të tij, siç thuhet në deklaratën e Blinken, për shpalljen e tij non-grata sëbashku me familjarët.
“Dua të ndaj me ju për herë të parë lajmin se gjykatësi i Parisit ka pranuar padinë e Sali Berishës. E ftoj Sekretarin e Shtetit, Antony Blinken të dërgojë në Gjykatën e Parisit çdo provë, fakt apo dokument që ka për Sali Berishën. Por ju garantoj se ka zero”, u shpreh Berisha.
“Problemin tim unë e kisha zgjidhur. Kisha zgjedhur rrugën dhe këtu para jush do të them rroftë drejtësia”.
Më tej, Berisha bëri thirrje për bashkimin e demokratëve dhe hapjen e partisë, duke denoncuar Lulzim Bashën si “peng të Edi Ramës”.