Nga Irena PROGNI, anëtare e Këshillit Kombëtar të PD-së:
Shqiptarëve, në vend të lugës së florinjtë të premtuar nga partia e Dushanit dhe Miladinit, iu ofrua bar, lot, vuajtje, brenga dhe burgje internimi për 45 vjet.
Sot, bijtë e partisë iu ofrojnë shqiptarëve, jo vetëm gradaçela për bllokmenët e rinj të Dushanit dhe Miladinit, por dhe ulërimën e frikshme për bukë e jetë, që ta kenë Shqipërinë si çiflig të tyre, e shqiptarët të ikin nga dheu i të parëve, si lypsarë nëpër botë.
Sot, ambasadat perëndimore, që shqiptarët ëndërruan gjatë, se do t’ju jepnin mbështetje të jetonin lirinë, demokracinë e prosperitetin, iu ofrojnë bar.
Zonja dhe zotërinj ambasadorë perëndimorë,
Shqipëria është një mrekulli pellazgo – ilire, që falë interesave tuaja globale e ndatë si plaçkë lufte, pa i patur borxh asnjë qindarkë askujt.
Nënën më të moçme në Europë e cunguat dhe e latë si trung, duke kënaqur lakmitë e komshinjve ardhacakë në këto troje autoktone shqiptare e tani, prapë na ofroni bar si ushqim, duke përkrahur shkatërruesit e demokracisë shqiptare, duke na kërkuar e kushtëzuar, që të mohojmë gjakun e bijëve, vajin e nënave prehërbosh, varrhumburit, vajzat, gratë e nënat e përdhunuara në trojet e ashtit të tyre.
Vallë kjo është liria, drejtësia dhe demokracia, që ju jetoni e përjetoni në shtëpitë tuaja, kjo është demokracia, që ju iu mësoni fëmijëve në dheun tuaj? Ç’dhembje!
Ama, ky plis i bardhë me shqiponjën dy krenare, që Georg W. Bush mbajti mbi kokë, në vizitën e të parit President të SHBA-ve në Shqipëri, këtu ka qënë dhe këtu, i bardhë dhe i pathyeshëm, do të mbetet në përjetësi.












