Komiteti Teknik i Ekspertëve, në mbledhjen e kësaj të hëne vendosi që masat e vendosura për mbrojtjen ndaj Covid, ora policore dhe maskat në ambiente të mbyllura, të mos ndryshojnë.
Pavarësisht se një ditë më parë u konfirmua prania e variantit Delta në vend, shifrat janë të qëndrueshme.
“Siç u bë i qartë, u vu re që ka një numër në rritje të rasteve. Shtrimi në spital mbetet në nivele të qëndrueshme, ajo çka është më e rëndësishme është që numri i rasteve të shtruara të sëmurëve rëndë, janë persona që s’janë vaksinuar. Rastet po rriten në komunitetin që mbeten të pavaksinuar.
Duke u mbështetur në këtë situatë, Komiteti Teknik mendon që edhe pse në Shqipëri është vërtetuar prezenca e variantit Delta mbrojtja është njësoj dhe niveli i masave nuk ndryshojnë. Masat do të jenë po të njëjta”, tha Zv.Ministrja Mira Rakacolli.