Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ishte i pranishëm ditën e sotme në Elbasan. Përballë mbështetësve të PD-së, Basha tha se qyteti i Elbasanit është kthyer në qendër të kronikave pas lajmeve mafioze që kanë ndodhur në ditët e fundit.
Më tej, Basha falenderoi të gjithë drejtuesit e strukturave të Partisë Demokratike dhe të gjithë demokratët e qarkut të Elbasanit nga Përrenjasi dhe Librazhdi, në Gramsh, Peqin e Cërrik, e padiskutim këtu në qendrën e qarkut, në Bashkinë e Elbasanit dhe në qytetin e Elbasanit.
Basha tha se 25 prilli ishte dita e zgjedhjeve të vjedhura nga regjimi Rama-Doshi, e se ishte masakra elektorale më e madhe dhe vjedhja më e madhe e votave në 30 vite histori pluralizëm. ‘Kryepolici i vendit i cili është kryepolici i Edi Ramës, mori në mbrojtje bandat që u sulën për të terrorizuar, për të blerë dhe për të kërcënuar qytetarët e Elbasanit me pistoletat e tyre me tyta të kromuara, të cilat nuk nguruan t’ua vënë në kokë dhe drejtuesve lokal të policisë së Elbasanit.’ tha më tej kryedemokrati.