Nga: Ing.Petrit IMERAJ
Zona e Nikaj-Mërturit, ka një sipërfaqe të përgjithshme afër 18 000 ha dhe kufizohet nga: Nga veriu-Parku Kombëtar të Thethit dhe Valbona, nga lindja-Komuna Fierzë dhe Bujan e rrethit Tropojë, nga jugu-Liqeni i Komanit, në perëndim-Komuna Shalë, Shosh- Shkodër. Në të gjithë hapësirën e Nikaj-Mërturit do hasësh në mrekullitë që gjënden të fshehura nën egërsinë malore të florës dhe vegjetacionit.
Në këtë zonë gjenden; liqene malore në 2000 metër, shpellat, ujëvarat, kanionet. Kjo zonë është e pasur me florë dhe faunë të larmishme në të gjithë rajonin me rëndësi të madhe kombëtare, rajonale dhe ndërkombëtare. Edhe përse numri i turistëve nuk është shumë madh, por banorët e këtij rajoni ofrojnë produktet e tyre turistike, ku vizitorët mund të gjejnë akomodim në shtëpitë e tyre dhe të njihen me kulturën dhe traditat e vjetra të kësaj krahine, ku gjen të gjallë akoma eposin e kreshnikëve dhe lahutarin e moçem në derë të kullës.
Pjesë nga Nikaj Mërturi do të përfshihen në ‘Parkun e Alpeve’, kategoria e II e IUCN-së (Park Kombëtar), për rrjedhojë do jetë pjesë e iniciativë rajonale, ballkanike, duke u përfshirë në parkun e ardhshëm ndërkufitar mes Kosovës, Malit të Zi dhe Shqipërisë. FLORA&FAUNA Pasuritë e shumta të cilat janë mbrojtur me fanatizëm nga banorët por edhe vetë egërsia e alpeve, ka ndikuar që ky rajon malor të ketë një botë të larmishmë të florës dhe të faunës, aty ekzistojnë një numër i madh i llojeve të bimëve të identifikuara në këtë rajon, i cili nuk është i eksploruar plotësisht.
Kjo bimësi është e shpërndarë në rajon, në respekt dhe varësisht nga klima, shtrirja dhe lartësia mbi nivelin e detit. Nga llojet më të rëndësishme të florës që mund të përmendim janë: grashina (vicia villosa), tërfili i kuq (trifolium rubens), ylli alpin, forsythia europea, etj. Fauna e cila gjendet në këtë zonë malore është mjaft e pasur, por e koncentruar në vende të caktuara. Në këtë zonë gjenden gjitarë, shpendë, amfibë, zvarranikë, insekte, etj, ku mund të përmendim: qelbësin, rrëqebullin, ariun e murrmë, macja e egër, dhia e egër, shqiponja, gjeli i egër, trofta e rrjedhave, salamandra e zezë (lloj i rrallë), etj. Në zonë gjenden lloje të florës dhe faunës endemike të rradha dhe relikte të cilat gëzojnë status të vecantë mbrojtjeje.
AKTIVITETET
Me pasuritë e mëdha që disponon krahina e Nikaj-Mërturit, ofron mundësi të shumta për kryerjen e aktiviteteve rekreativo-sportiv, janë të shumta aktivitetet që zhvillohen në këtë rajon malor nga popullata vendase, pjesë e tyre mund të jenë edhe vizitorët. Janë mjaft atraktive ngjitjet në shkëmbinj, ecjet malore, pushtimi i majave deri ne 2625 M.G Hapet, 2561 M.Hekurave, eksplorimet në shpella, (kakverri, bira e zezë, shpella e Rajës). Ekskursionet ditore dhe pushimet fundjavave, kampingjet, aventurat e ndryshme, ski aplinizmi, ecjet me rrathë bore, skijimi i lirë, rafting, fishing etj. Janë të gjitha këto aktivitete që kryhen, duke ju falenderuar natyrës së egër dhe të virgjër të këtij rajoni.
KULTURA DHE TRADITA
Mikëpritja është gjithmonë arma më e fortë për ta identifikuar një traditë dhe një kulturë të një vendi. Kjo krahinë shquhet për mikëpritjen e banorëve të saj. Kur hyn miku n’kulle , qeshin trent e saje.
VESHJET KOMBËTARE
Gratë: Këmisha, shamia kokës, brezat, pshtjellake. Burrat: Shoka, corape, tirq, shalle rreth kapeles, etj. Ansambli Nikaj-Mërturi, pjesë e rëndësishme e Ansamblit ‘Dardania’-Tropojë. Lojrat tradicionale: hedhja e gurit, rrëzimi i duarve, tërheqja e litarit etj. Objektet kulturore datojnë qysh në kohën e lashtë si vendbanime iliro-romake (vargu, mulaj), kulla, mullinj, kasha, vegla pune etj.
GASTRONOMIA
Tradita e vjetër e përgatitjes së ushqimeve është prezent pothuajse në çdo shtëpi të kësaj zone, si një ndër krahinat malore me menu më të pasur të gastronomisë. Ushqimet më të preferuara nga menuja e gastronomisë së zonës së Nikaj-Mrturit janë: maza e zier, leqeniku, kryelana, fli, ferliku, pite, petë çereme, pulë me qervish, etj.
“Nqs do te shkruhet siç duhet historia e Shqipnise dhe në të nuk pasqyrohen vlerat njerzore dhe natyrore te Nikaj-Mërturit, ajo nuk do jet e plotë”