DEKLARATE/ Të dashur qytetarë! Prej shumë kohësh skena politike shqiptare është dominuar nga një shfaqje e shëmtuar, ku palët politike aktrojnë me role të turpshme që do ia kishte zili dhe arti bohem, për nga karakteri i personazheve dhe subjekti.
Shqipëria prej 7 vitesh, po përjeton kalvarin e vuajtjeve të pafundme që vijnë si pasojë e një keqqeverisjeje, e cila nuk e ka ndalur galopin e saj në represionin dhe dhunën e vazhdueshme ndaj dinjitetit të qytetarëve, duke e shndërruar shoqërinë shqiptare në një bashkësi pa nerv reagues dhe të asfiksuar totalisht përballë cdo trysnie që vjen nga hallkat qeverisëse.
Po kërkohet mandati i tretë, përmes tambureve të arritjeve dhe retorikës së pashoqe të lincimit të kundërshtarëve politikë, gjë që përbën një premisë të rrezikshme për pluralizmin dhe demokracinë, koncepte këto të tejkaluara këtu e 30 vite më parë.
Shpura qeverisëse, e ngërthyer në babëzitje, në afera të shumta korruptive, në koncensione të panumërta pa asnjë studim dhe efikasitet, oligarkët e shumta që janë mbledhur rreth kryetrafikantit Edi Rama, janë kërcënimi më serioz për standardin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, kryefjalë e kahershme e debatit politik në Shqipëri, si dhe refren i vazhdueshëm i ndërkombëtarëve që monitorojnë proceset zgjedhore prej tre dekadash në vendin tonë. Më shumë se kurrë, shqiptarët duan paqen sociale, e cila garantohet përmes zgjedhjeve të lira, ku secili të ndjehet i përfaqësuar me votën e tij.
Konteksti në të cilin po zhvillohet debati i brendshëm, cirkuistika e palëve me “lojën e kungulleshës”, po jep premisat e një procesi zgjedhor të nxhetë, që do të karakterizohet nga devijime të mëdah të vullnetit ët zgjedhësve shqiptarë.
Garantimi i një procesi zgjedhor të ndershëm dhe të paanshëm, me rregulla loje të qarta, është detyrë e qeverisë, mbrojtja e votës së lirë është detyrë e qytetarëve. Në këto kushte, nisur nga tablo e zhvillimeve në vend, ku palët janë gozhduar në lojën e skemave dhe të kundërskemave, që duan fitore tavolinash, është preludi i një beteje të zjarrtë në mes dhunuesve të votës së lirë dhe mbrojtësve të saj. Qytetarët duan ndryshim. Qytetarët duan përfaqësim, pasi boll kanë parë tash 30 vite se si deformohet dukshëm vullneti i tyre.
Në emër të Partisë Aleanca Demokrsitiane, garantoj qytetarët shqiptarë, se cdo votë e hedhur për subjektin tonë politik, i shërben ridemensionimit të skenës politike, duke afirmuar figurat potenciale që kemi, të cilat janë të denja kombëtarisht dhe ndërkombëtarisht. Jemi të përgatitur strukturalisht, anëkënd Shqipërisë për të mbrojtur cdo votë që hidhet për subjektin politik ADK, si dhe nuk do lejojmë që tjetërsimin e saj për qëllime oreksesh të asnjë forcë tjeër politike.
Më 25 prill, u ftoj të votoni Aleancën Demokristiane, si partia që frymëzon shqiptarët në përmbushjen e aspiratës së tyre për integrim në familjen e vlerave evropiane. Bashkë mundemi të sjellim në Kuvendin e Shqipërisë përfaqësues të denjë që garantojnë axhenda të pastra kombëtare dhe platforma politike në dobi të Shqipërisë dhe shqiptarëve. Zoti e bekoftë Shqipërinë!
Eduart Ndocaj