Nga, Majlinda Hoxha
Ora mësimore këtë herë nisi me një intensitet ndryshe diskutimi dhe përgjigja ime erdhi shumë natyrshëm në atmosferën e krijuar.
-Profesoreshë:- Ne, femrat, jemi benefiti i meshkujve.
E di si është? Si çështja e natyrës.
Toka, era, janë elementë femërorë, ndërsa dielli, uji dhe ajri, janë mashkullorë. Të gjithë këta elementë mashkullorë nuk do kishin mundësinë të jepnin kontributin e tyre krijues, pa tokën që i ngjason asaj gruas së mirë që mbledh, mban, përgatit e rrit gjithçka si një nënë e devotshme. Ndërsa era i rrethon me dashuri ledhatuese të gjitha këto krijime, ose i shkatërron nga zemërimi i dominimit mashkullor.
Me pak fjalë parimi femëror kryen veprimtarinë e proçesit krijues në shumë rrafshe, jo vetëm në këtë që paralelizuam (nëse do kishim parasysh edhe një fakt të thjeshtë shkencor si ajo e Katodës , e cila përbëhet nga energji krijuese femëore).
Por të rrimë ca më shumë në ‘tokë”.
Të jesh mashkull nuk përbën shumë diferencë nga njëri-tjetri. Të jesh grua do të thotë të jesh e ndryshme nga njëra-tjetra, por në të njëjtën kohë të kesh dhe të përjetosh të njëjtat thellësi ndjenjash , mendimi e përjetimesh. Kjo na jep neve veçantinë, që të jemi bërë për këta “burra të njëjtë”, duke qenë “gra të ndryshme”. Ndërsa avantazhi I burrave është, që ne jemi gati t’i duam, t’i dashurojmë dhe të përshtatemi për to, në këmbim të më pak gjërave.
A s’jemi ne femrat që rrethojmë çdo gjë që prekim me dashuri, me pasion, me një frymë mirësie e butësie? Që i japim frymë dhe energji gjithçkaje që prekim? Që japim pa kushte gjithçka kemi?
A do ishte bota e tyre njësoj pa ne?!
Është e natyrshme të ngrihen këto pyetje(në dukje retorike), aq sa është bërë mëse e natyrshme të harrohet dhe evidentohet si fakt i rëndësishëm se: bota s’do ishtë njësoj dhe s’do dukej njësoj pa kontributin tonë.
Pasi mashkulli merr frymë dhe jeton për t’u rrethuar e dashur nga bota femërore. Për të shijuar bukurinë e hiret tona. Sepse sytë e tyre kanë dritë vetëm nga reflektimi i shkëlqimit tonë. Ndërsa ne sapo vetëdijësohemi jetojmë për ta, jo nga ata.
Jo, se ne s’mundemi pa to-pasi s’duhet harrur fakti që ne jemi një Amazonë dhe jo vetem ne antikitet. Sepse ruajmë të njëjtën forcë shpirtërore, duke triumfuar mbi atë të meshkujve. Që na bën po aq të pavarura e sfiduese përballë forcës fizike dhe ekonomike, që gjinia mashkullore ka ndërtuar në gjithë këto kohë patriarkalizmi. Por, sepse pikërisht kjo të qënit kështu si jemi-e gjitha shpirt më shumë se trup-na bën aleatet, mbështetëset më të mëdha të tyre.
E për më tej, le të mbetemi ne, benefiti i meshkujve, qoftë edhe për të mbajtur ngrohtë spermën e tyre. Sepse ma merr mendja që egoizmi që i karakterizon, do ndihej më i kenaqur me faktin e mësipërm. Sepse lidhja biologjike është mëse natyrale dhe plotësuese për të dyja palët, e kërkuar dhe e dëshiruar nga të dyja kahet njësoj, por e përdorur ndryshe.
Pa ndalur këtu, në faktin më të rëndësishëm të lidhjes, bashkëjetesës, vazhdimësisë së jetës, sepse për mendimin tim, kjo është diçka shumë e shenjtë dhe hyjnore. Nuk duhet të diskutohet dhe vihet në dyshim në asnjë kontekst, por të pranohet si e qenësishme, si bekim, si pjesa më e rëndësishme jona dhe të jetohet për këtë vazhdimësi.
Ja pra. Jemi ne, ato, tek të cilat ato kanë mundësinë të shohin veten dhe reflektimin e tyre në Ne.
Duke e bërë vazhdimësine e tyre jetëgjatë…
Ishte ky një reflektim imi, shumë i shkurtër, pas diskutimit të nisur në klasë atë ditë. Sepse një pjesë e djemve nga grupi tjetër qënkan ankuar se, s’kanë një ditë ku t’u dedikohet vetëm atyre. Ndërkohë që profesoresha pyeti mendueshëm,:”Po vërtetë, ç’farë benefitesh kanë meshkujt?”
Mars 2018, New York











