Nga: Sofokli PERIGONI
Qyteti verior i Pukës, atje ku skajshëm varfëria ka ngulur spirancën e ankorimit të saj, i perifrazuar si “qyteti i kurorës së gjelbër”, për shkak të tablosë që jep masivi i pishave rrethuese, sot, është tretur dhe trajtësuar në imazhin e shëmtuar të “rilindjes urbane”.
Në qytet, po shtrin oreksshëm “kthetrat” betonizimi, i cili vjen, jo nga flukset e ndërtimeve, por nga ngasja e drejtuesve për të paraqitur si ndryshim, përmes zhgërryerjes me beton dhe të veshjes me gurë të gjithçkaje që lidhet me hapësirat publike, duke filluar nga sheshet, trotuaret, lulishtet dhe pjediset e tjera argëtuese.
Qyteti, ngjan me një telajo të shpëlarë. Katrahurë urbane, punime të cilat ngjajnë më shumë me kapriçio drejtuesish, se sa realitet ndërtimor, projekte që serviren për qytetarin në 3D, por në zbatueshmëri janë 3K (korrupsion, klientelizëm, kleptomanizëm).
Propaganda përpiqet të bindë qytetarët se pashpresshmëria është helmi i opozitës, pasi këtu jetohet mirë (sigurisht, duke u bërë sehir dhe karshillëk drejtuesve) dhe se shumë shpejt po hedh shtat një fuqi ekonomike që do të shërbejë si manual zhvillimi për çdo bashki tjetër.
Deliri i zyrtarëve është opiumi me të cilën banorët duhet të ngrysen, vetmashtrimi është ngasja e qytetarëve për t’u zgjuar somnambul duke tundur flamujt e arritjeve në parakalimin triumfalist të “udhëheqësit”, i cili shënon në defterët e tij, çdo miratim apo tundje koke të turmës egazltuese.
Partitizmi dhe partishmëria janë boshti rreth të cilave ngrihet identikiti i drejtuesit institucional dhe i mendimit intelektual. Në evenimente kulturore, sportive letrare apo dhe akademike, audienca është protokoll partie. Flasin “krerët” plot pathos për artin, kulturën, sportin, turizmin, për çdo sferë të jetës, duke artikuluar ndryshimin e madh mes të djeshmes dhe të sotmes.
Dimensioni i ndryshimeve është aq i madh, saqë duhet jo një, por shumë megafonë për të amplifikuar arritjet dhe për të mbytur çjerrazëret e keqdashësve. Drejtuesit e këtushëm nuk kanë nevojë për plane urbanistike, për dokumente strategjike që bazohen në prioritete investimesh, për konsultime me grupet e interesit, për plane afatmesme dhe afatgjata zhvillimi, për asgjë që ka të bëjë me qytetin, pasi këta drejtues udhëhiqen nga në zë i brendshëm, të cilëve në jetën e tyre tokësore (sot flututojnë dhe nuk dihet se ku janë…) u kishte premtuar se do t’u jepte fuqi magjibërëse në të mirë të komunitetit.
Sot, teksa vërejmë ndryshimet dhe arritjet spektakolare në të gjitha fushat, mezipritja e qytetarëve për të “rilindur” dhe për të shijuar këtë apotheozë të qytetit verior është e dukshme.
Gjithandej, në mediume, takime formale dhe informale, ka retorikë propaganduese ku kryefjalë është Puka e së ardhmes. Po, po sigurisht, kjo duhet të jetë kryefjala! Ku më bukur se tek “Ata”, që të kaluarën e tyre e kanë përdorur për të vjedhur të sotmen e qytetarëve, tingëllon më bukur dhe më eufonike fjala “e ardhme”?!
Sot, çdo qytetar, pohon se me politikat e ndjekura, arti dhe kultura janë avangardë, sporti ka njohur progres duke shënuar kulminacione sportive me fitimin e trofeve të ndryshëm, vlerat e trashëgimisë kulturore janë pasuruar dhe janë promovuar deri në UNESCO, turizmi ka shënuar rritje, po, po, këtë vit…
Është shtuar turizmi!
Tingëllon befasuese dhe është një egzaltim që vjen përmes një konotacioni negativ. Ambiguiteti gjuhësor në këtë rast i jep të drejtë shqisës së të shikuarit, dhe në këtë rast, fjala ndoshta është për objektin që për inerci quhet “Turizmi”, dhe jo për flukset turistike apo dhe potencialet e fushës përkatëse.
Kjo është për të qeshur dhe për të qarë njëkohësisht, pasi Puka me të vërtetë ka një potencial të madh turistik, por deri tani është treguar totalisht e paaftë për ta zhvilluar turizmin dhe për të ruajtur e për të promovuar trashëgiminë e saj kulturore dhe natyrore. Mjafton të kujtojmë se në ç’gjendje ndodhen politikat mbështetëse, si dhe shumë aspekte të tjera që lidhen me promocionin dhe atashimin e guidave në funksion të orientimit turistik.
Disa turistë që vijnë në Pukë janë më tepër aksidental. Vijnë nga kurioziteti apo se u bie rruga, bëjnë një xhiro në qendër si të hallakatur, sepse nuk dijnë ku të shkojnë dhe askush nuk i orienton, më pas i hipin makinës e largohen përsëri.
Çdokush i pëlqen gjërat e bukura, dhe rikonstruksioni i qendrës së qytetit është mëse i mirëpritur. Por, kur kjo shoqërohet me probleme dhe jo me zgjidhje të tyre, siç është problemi i sistemimit përfundimtar të ujrave të zeza, i gllabërimit të hapësirave çlodhëse, apo probleme të tjera si në fazën e projektimit ashtu edhe në fazën e realizimit, atëherë ky rikonstruksion fillon të krijojë pakënaqësi te qytetarët, të cilat shtohen e amplifikohen nga propaganda dhe nga “rrahjet e gjoksit”.
Puka, dhe e gjithë njësia, ka nevojë urgjente për punë. Ka nevojë që të gjenerojë punësim për banorët e saj. Ka nevojë ti ofrojë perspektivë të rinjve. Ka nevojë ti bëjë të gjitha këto dhe ti bëjë në mënyrë urgjente, përndryshe Puka është e destinuar të tretet dhe të avullojë në propagandë delirantësh.