Disa muaj pasi që KALLXO.com shpërfaqi mënyrën se si prokurori Rexhep Maqedonci ende pa filluar trajtimin e një rasti të pretendimit për ngacmim seksual, e paragjykoi epilogun e këtij rasti, Këshilli Prokurorial i Kosovës të njëjtit i ka shqiptuar masë disiplinore.
Muaj më parë, KALLXO.com raportoi për mënyren se si prokurori Rexhep Maqedonci ende pa e intervistuar viktimën dhe pa e trajtuar rastin, e paragjykoi rastin dhe e fyu raportuesen.
Në nisje të bisedës së publikuar nga KALLXO.com, Maqedonci e quante “të poshtër” vajzën që ka ngritur rastin, duke e paragjykuar epilogun e rastit.
Lidhur me rastin në fjalë nga KPK është thënë se informacioni i pranuar nga KALLXO.com është trajtuar nga Këshilli dhe pasi që ndaj prokurorit Rexhep Maqedonci është iniciuar procedurë disiplinore, të njëjtit i është shqiptuar një masë disiplinore.
“Në emër të Kryesuesit të Këshillit Prokurorial të Kosovës, z. Bahri Hyseni, ju njoftojmë se prokurori Rexhep Maqedonci, lidhur me rastin e përmendur nga ju, i është nënshtruar procedurës disiplinore, është mbajtur seanca dëgjimore në KPK, dhe është marrë vendimi përmes së cilit prokurorit Maqedonci i është shqiptuar masa disiplinore”, thuhet në përgjigjen e pranuar nga KPK.
Lidhur me vendimin e Këshillit, Maqedonci ka të drejtë ankese në Gjykatën Supreme.
“Sipas legjislaciontit në fuqi, palët kanë të drejtë ankese ndaj vendimit të KPK-së në Gjykatën Supreme. Vendimi i Gjykatës Supreme është përfundimtar”, thuhet më tej në përgjigjen e KPK.
KALLXO.com ka provuar të kontaktojë me kryesuesin e KPK, Bahri Hyseni, për të marrë një koment lidhur me këtë rast, por i njëjti nuk e ka hapur telefonin.
Po ashtu, KALLXO.com edhe përmes email-it i është drejtuar kryesuesit dhe zëdhënësve për media, por të njëjtit nuk kanë dhënë informacione se për çfarë mase bëhët fjalë por vetëm kanë konfirmuar se ndaj prokurorit Maqedonci është shqiptuar një masë disiolinore.
Pas raportimit të KALLXO.com, një numër i madh i organizatave joqeveritare reaguan duke kërkuar shkarkimin e prokurorit.