5 persona janë shpallur në kërkim nga policia e shtetit të dyshuar si të përfshirë në grabitjen e parave ne Rinas. Numri i personave që po hetohen është edhe më i madh. Hetuesit kanë në administrim 3 furgonë, që dyshohet se janë përdorur nga grabitësit, dy prej të cilëve u gjetën të djegur nga policia pas grabitjes. Mjeteve ju janë fshirë numrat e shasisë për të penguar identifikimin e tyre.
2 mjetet e djegur tip Mercedez-Benz dhe Vito nuk janë denoncuar të vjedhur në polici. Nisur nga kjo hetuesit kanë dyshime se furgonët janë importuar nga shteti i Kosovës, ndërsa koha ku dyshohet se kanë hyrë në vendin tonë është e papërcaktuar. Ndërsa furgoni me mbishkrimin Hetimi Tatimor që u përdor nga grabitësit për të hyrë në aeroport, ka qenë i modifikuar me pjesë nga makina të tipeve të ndryshme.
Deri tani kërkimet policore dhe pamjet e sekuestruara nga kamerat e sigurisë të disa prej bizneseve në Tiranë e Durrës, ku dyshohet se grabitësit mund të kenë loguar furgonin e modifikuar me mbishkrimin “Hetimi Tatimor”, nuk kanë dhënë rezultat.