Kryetari i Partisë Lëvizja e Legalitetit, Shpëtim Axhami, ka shprehur mbështetjen e tij për protestat që po zhvillohen në vend, duke theksuar se numri i pjesëmarrësve po rritet dita-ditës dhe se kjo, sipas tij, është një dëshmi e ndërgjegjësimit në rritje të qytetarëve për kauzën që ato përfaqësojnë.
Në një reagim publik, Axhami u shpreh se përpjekjet për të diskredituar protestën përmes sulmeve ndaj organizatorëve apo pjesëmarrësve të veçantë nuk e ndryshojnë faktin se kërkesat dhe parimet e saj gëzojnë mbështetje të gjerë qytetare.
“Çdo ditë e më shumë po shtohen pjesëmarrësit në protestë. Ky është një lajm i mirë dhe një tregues i qartë se qytetarët po bëhen gjithnjë e më të vetëdijshëm për rëndësinë e kauzës që ajo përfaqëson”, deklaroi ai.
Sipas kreut të PLL-së, shumica e qytetarëve nuk pajtohen me mënyrën se si është qeverisur Shqipëria ndër vite, ndërsa kërkojnë më shumë zhvillim ekonomik dhe investime, por pa cenuar interesat kombëtare dhe pasuritë strategjike të vendit.
Axhami theksoi gjithashtu se shumica e shqiptarëve mbështesin mbrojtjen e pronës private, transparencën, drejtësinë dhe shtetin ligjor, duke kundërshtuar korrupsionin, krimin dhe pandëshkueshmërinë.
Në këtë kuadër, ai bëri të ditur se Partia Lëvizja e Legalitetit mbështet protestat që po zhvillohen aktualisht dhe u bëri thirrje qytetarëve që t’u bashkohen atyre në numër sa më të madh.
“Sa më shumë qytetarë t’i bashkohen kësaj lëvizjeje, aq më pak hapësirë do të kenë ata që përpiqen ta diskreditojnë protestën dhe të shtrembërojnë qëllimin e saj”, u shpreh Axhami.
Në përfundim të mesazhit të tij, kreu i PLL-së nënvizoi se “zëri i shumicës nuk mund të heshtë”, duke e mbyllur reagimin me moton e partisë: “Atdheu Mbi të Gjitha”.











