DVP Gjirokastër
Finalizohet operacioni i koduar “Masa”.
Thyen masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, kapen në flagrancë me 2 automjete me të cilat dyshohet se transportonin emigrantë nga Vendet e Treta, kundrejt pagesës, vihen në pranga 2 shtetas.
Sekuestrohen 2 automjete, 2 radio marrëse si ato të Policisë, 1 palë targa dhe 4 celularë.
Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative, për një rast të transportimit të emigrantëve nga Vendet e Treta, që synojnë të kalojnë ilegalisht kufirin, ka organizuar dhe finalizuar në bashkëpunim me Sektorin Operacional, operacionin e koduar “Masa”.
Gjatë operacionit, shërbimet e Policisë kanë ndaluar në aksin rrugor “Gjirokastër-Tepelenë”, 2 automjetet me drejtues shtetasit A. O. dhe A. M. Gjatë kontrollit në këto automjetet, shërbimet e Policisë gjetën 2 radio marrëse si ato të Policisë dhe 1 palë targa.
Nga verifikimet rezultoi se këta shtetas kishin thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, të cilën 42-vjeçarit ia ka caktuar Gjykata e Sarandës, ndërsa 29-vjeçarit, Gjykata e Shkodrës.
Në përfundim të veprimeve u arrestuan shtetasit A. O. alias A. P., 42 vjeç, banues në Sarandë dhe A. M., 29 vjeç, banues në Shkodër.
Vijojnë hetimet për dokumentimin e veprimtarive të tyre të paligjshme.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.











