Një plagosje e dyfishtë me thikë ndodhi dje pas përleshjes mes tre personave në një berberhane në Ishull-Lezhë.
Ditën e sotme (1 mars), policia vendore njoftoi se ka identifikuar dhe arrestuar autorin e dyshuar të krimit.
I ndaluari është D.K., banues në Lezhë, ndaj të cilit kishte denoncim edhe nga njerka e tij për dhunë fizike dhe psikologjike.
Dy të plagosurit janë jashtë rrezikut për jetën, ndërsa kanë pësuar dëmtime kryesisht në duar gjatë përpjekjeve për t’u mbrojtur dhe janë mjekuar në spital.
Kurse motivet e krimit janë të panjohura.
“Në vijim të informacionit paraprak të dhënë ditën e djeshme lidhur me konfliktin e ndodhur në Ishull-Lezhë, në ambientet e një berberhaneje, ku si pasojë e përshkallëzimit të konfliktit, shtetasi D. K. ka goditur me mjet prerës (thikë) shtetasit R. Sh. dhe A. Z., të cilët kanë pësuar dëmtime në pjesën e dorës, jashtë rrezikut për jetën, ju informojmë se: Falë veprimeve të shpejta hetimore, shërbimet e Komisariatit të Policisë Lezhë bënë të mundur kapjen dhe arrestimin në flagrancë të autorit të dyshuar, shtetasit D. K., banues në Lezhë”, thuhet në njoftimin zyrtar të policisë.
Më tej theksohet se:
“Gjithashtu ndaj shtetasit D. K, ka bërë kallëzim edhe njerka e tij, e cila pretendon se ai ka ushtruar në mënyrë të vazhdueshme dhunë fizike dhe psikologjike ndaj saj”.
Hetimet e mëtejshme po o ndjek Prokuroria vendore.











