ATHINË- Kryeministri Edi Rama ka vizituar sot panairin e punës në Greqi të organizuar për emigrantët shqiptarë që jetojnë atje. Pas vizitave në stendat e panairit, Rama ka mbajtur fjalën e tij para shqiptarëve atje, kur shprehet se sot në Shqipëri ekonomia është zgjeruar dhe mundësitë për biznes janë rritur.
Kryeministri njoftoi se panairi i sotëm do të pasohet nga një tjetër panair i tillë që do të mbahet në vjeshtë dhe kompanitë pjesëmarrëse do të vijnë në Greqi përsëri. Sipas tij këto kompani ofrojnë vende pune dhe paga më të mira se punët e njëjta që ofrohen në Greqi
“Ju që jetoni këtu dhe jeni të lidhur me vendin, jam i bindur se më shumë mërziteni sesa gëzoheni kur merrni lajme nga kanalet e kënetës tonë. Nëse i referohemi pasqyrës së vendit tonë sot nuk ka asnjë lidhje me një dekadë më parë. Kur ne morëm detyrën në Shqipëri kishte 117 mijë subjekte dhe biznese, sot ka 250 mijë. Ekonomia është zgjeruar dhe mundësitë për biznes janë rritur. Kur ne morëm detyrën askush nuk kishte kurajon të mendonte se sot paga mesatare ne sektorin publik do shkonte 930, paga mesatare për mësuesit 950 euro, ndërsa për mjekët mbi 1000 euro.
Të 120 kompanitë të ardhura këtu sot, do të vijnë përsëri këtu në vjeshtë. Këto kompani ofrojnë vende pune dhe paga më të mira se sa pagat që fitohen në të njëjtat vende pune këtu në Greqi. Të gjithë sot ata që e kanë ndjekur dhe e ndjekin Shqipërinë nga kanalet e kënetës, ku vazhdon zhurma e bretkosave që në Shqipëri janë 200 mijë lekë, 300 mijë lekë të vjetra, mund të shohin në fakt se në sektorin e turizmit. Në Shqipëri kemi një treg pune dhe sektorë, që janë konkurrues me të Greqisë, nuk ka paga minimale nën 1500 euro për sektorin e teknologjisë, nuk ka pagë nën 1200 euro për shoferë”, u shpreh Rama.