Nga Edlira Devolli LEKA
Halle halle kjo dynja, halli hallit nuk i ngjan, thotë një fjalë e popullit. Ndërkohë që shqiptarëve u shtrëngohet litari në fyt për 1000 halle, foltoristët shmangin vëmendjen nga problemet që ua shkakton Edi dhe qeveria.
Sali Berisha nuk po dëmton vetëm PD për hallet e veta dhe të familjes së tij non grata për korrupsion dhe minim të demokracisë por gjithë vendin. Mediat nuk flasin për çmimet e shtrenjta, për spitalet pa ilaçe, për shkollat me nxënës të munguar se janë larguar kurbetit bashkë me prindër, se gjëma e braktisjes së vendit është për vello të zezë.
Ato janë fokusuar te hallet e Berishës, si e ka favorizuar dhëndrin e bashkëpunëtorët e afërt duke i dhënë mundësi për gjyqe publike e politike. Dalin mediave për justifikim apo manipulim të përfshirët në dosje korruptive dhe të shpallurit “non-grata”. Sot, “modernistët popullor” që qajnë hallin e popullit janë të veshur me firma nga më të shtrenjtat, që shumë njerëz as i kanë dëgjuar që ekzistojnë.
Këta veshfirmatot u zvarritën mureve, kangjellave si “debatikas të vërtetë”. Janë anëtarë të organizatës anti amerikane, përfaqësojnë veten nën imazhin e “Deputetëve të Bashkuar Anëtarë të Ideve Komuniste”, që shkojnë pas halleve të tyre dhe të shefit legjendar, i cili premton se “po nuk ia falën ç’ka bërë Shqipëria nuk do të gjej paqe dhe PD aq më pak”.
Vazhdojnë të sillen si horra, koha shkon, vitet e ngjarjet nëpër botë pasojnë njëra tjetrën, ai që mbetet aty, stoik i rrëmujave e zhurmave është Sali Berisha me disa pasvanë që u intereson diktati e tij. Ata janë të zhytur në të njëjtën “llucë korrupsioni e përfitimesh”, kush deri në gjunjë, një tjetër në mes, e disa zhytur gjer në grykë.
Mbajnë njëri tjetrin mbi supe, apo në të ndenjura që të zvarriten, mos u ndahet hallka, se po u këput zinxhiri do vjellin ç’kanë gëlltitur tërë këto vite “për të mirën e popullit”. Gërryen e zhgërryen me skenar agjitprop. Rama “fërkon duart” nga ana tjetër, sa herë ka një hall apo skandal vrapon Berisha në media dhe në skandalet e tij për t’ia zbehur dritën e prozhektorit korruptiv qeverisë së rilindur tre herë për meritë të legjendës.
Mjerë vendi dhe Ne në dorë të cilëve jemi dhe kemi qenë, trekëndësh, brinjët e kulmet e të cilit nuk janë prekur kurrë. Tashmë mbajnë njëri tjetrin sa më fort, se nëse rrëshket njëri bien dhe dy të tjerët. Zhbërja ka filluar. Zoti bekoftë Amerikën, Zoti bekoftë Shqipërinë!











