Dje vonë lexova lajmet për mbledhjen e Asamblesë së Partisë Socialiste në 4 shtator. Kudo flitej për të larguarit e mundshëm nga qeveria, edhe jo pa të drejtë. Deviza që ofron sot Partia Socialiste është individi. Aty flitet për përgjegjësi individuale, ndërsa vizionari i çdo reforme është po ashtu një individ, Lideri. Përshembull, ndërsa largpamësia e tij, e kishte përgatitur Liderin edhe për rezultatet e hidhura të reformës në drejtësi edhe brenda të majtës, kjo largpamësi u mungoi çuditërisht edhe bashkëpuntorëve të tij më të ngushtë, të cilët “hëngrën” mollë, dardha e mandarina pas krahëve të tij edhe të partisë. (Dhëntë zoti të ketë lënë ndonjë kokërr portokalle akoma në pemë.)
Nuk ka nevojë për ndonjë aftësi të madhe intelektuale, për të vëzhguar mënyrën sesi funksionon mazhoranca. Ajo është sot një grup partiak funksional, shumë larg të qenit një grupim partiak efektiv. Praktikisht komoditeti i dakordësisë pa asnjë debat, është i parezistueshëm në grupimin funksional socialist. Kërkesa “e familjes së madhe” ndaj çdo anëtari është dakordësia, edhe anëtarët duhet të jenë të gatshëm të ofrojnë vetëm atë. Asambleja apo kryesia funksionale socialiste janë sot “buqeta” me profile të heshtura anëtarësh, të cilët pranojnë pa ekuivok si informacionin më të drejtë, njohurinë më të saktë, apo vendimmarrjen më të mirë atë që ofron lideri. Duke mos ushtruar fjalën, anëtarët e familjes socialiste kanë hequr dorë nga ushtrimi i të menduarit.
Pamundësisë për të qenë të lirë, i kanë veshur “kostumin” e mirënjohjes ndaj liderit dhe familjes socialiste. E pra në 4 shtator, përtej kuriozitetit të publikut, ankthit të antarëve të qeverisë, edhe sustpancës në fjalimin e Liderit çudia do të zgjat vetëm disa orë. Asgjë nuk ndryshon dot më. Ministrat që mund të lenë zyrat, do të varin një fotografi tek muri i ministrive, si e vetmja shenjë për t’u mos harruar nga njerëzit, që drejtuan. Ministrat “fatlumë” do të hyjnë në skuadër me të njëjtat objektiva njësoj si ato që ikin. Ata nuk do të duhet të shohin asgjë tjetër veç dritë të shkëlqyer, do të duhet të bëjnë atë që u kërkohet. Ndërsa ata/ato më eficentët në përmbushjen e detyrave e menaxhimin e fondeve kanë më shumë shanse që një ditë të mbajnë “përgjegjësi” individuale.
A ka ndonjë rëndësi për ju , a do jetë Bora apo Edona ministre? (Megjithëse mua më argëton pa masë lepurushja Bora) Apo kush do të zëvendësojë Delinën, Oltën, apo Fridën? A di më njeri ku ndodhet Gent Cakaj, ish-Ministri gjeni edhe Sekretari i Përgjithshem i Rinisë së Partisë Socialiste? Për publikun ato janë vetëm emra pa asnjë rëndësi, por edhe fryma brenda të majtës tregon që emrat janë tërësisht të parëndësishëm.
Ato nuk krijojnë më asnjë reagim, as brenda asamblesë socialiste, e cila ushtron vetëm pyetjen kush është kjo/ky? Ndryshimi i emrave në fakt është e vetmja mundësi që Lideri dominues ka për t’u përshfaqur si lider transformues, ose siç kanë qejf ta quajnë këtë proces disa analistë të oborrit “të rishpikë vetveten”.











