InfoPressAlbania
  • KREU
  • Artikuj
  • Opinione
  • Politikë
  • InfoPress
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Lifestyle
  • WEB TV
  • Të ndryshme
    • Aktualitet
    • Lajme
    • I përzgjedhur
    • Sociale
    • Shëndetësi
    • Histori
    • Kulturë
    • Kuriozitete
    • Horoskopi
    • Show Biz
No Result
View All Result
InfoPressAlbania
  • KREU
  • Artikuj
  • Opinione
  • Politikë
  • InfoPress
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Lifestyle
  • WEB TV
  • Të ndryshme
    • Aktualitet
    • Lajme
    • I përzgjedhur
    • Sociale
    • Shëndetësi
    • Histori
    • Kulturë
    • Kuriozitete
    • Horoskopi
    • Show Biz
No Result
View All Result
InfoPressAlbania
No Result
View All Result
Home Të ndryshme

Suplementi letrar/ Tregim nga Vita Blloshmi: “Një këngë me lahutë”

16 Korrik, 2023
in Të ndryshme
A A
Suplementi letrar/ Tregim nga Vita Blloshmi: “Një këngë me lahutë”

NJË KËNGË ME LAHUTË
-Tregim-

-Grua, të duhet ndonjë gjë, se po dal në pazar sot, dëgjoi Maria zërin e të atit, ndërsa po thurte gërshetin e saj të verdhë si kalli gruri i sapo pjekur.
-Jo, nuk më duhet asgjë, veç udha e mbarë e u kthefsh shëndosh!,-foli e shoqja. Ishin kohë të trazuara dhe, sa herë që Marashi dilte në pazar, ajo rrinte me gjak të ngrirë.
-Bacë, a nuk po e puth sot vajzën tënde para se të dalësh? -tha Maria dhe iu hodh në qafë. Ai e shtrëngoi fort dhe e puthi në ballë.
-Hey të pastë baca ty! Si do të ik pa e puthë këtë lule të bukur që më ka falë Zoti, -tha ai dhe e përqafoi fort vajzën.
Maria ishte motra e vetme e tre vëllezërve më të mëdhenj se ajo. Ishte lulja e shtëpisë, siç e quante i ati. Vëllezërit e adhuronin, por në të njëjtën kohë ishin edhe autoritarë me të. Pak për zakonet e atyre anëve e pak për kohët e vështira që kishin ardhur.
Maria mbaroi së thururi gërshetin, u shikua në pasqyrë e kënaqur me pamjen e saj dhe nxitoi të merrte çantën e shkollës. Ajo ishte në vitin e tretë të shkollës së mesme.
-Nënë, sot vonohem sepse kemi 6 orë dhe pas mësimit kemi prova për koncertin, – i tha ajo së ëmës duke dalë.
– Mirë, moj bijë, por kujdes se e di ti, mos na korit.
Maria puthi nënën dhe tërhoqi mbas vetes portën e avllisë. Në fund të rrugës po e priste Danieli. Ata ishin rritur bashkë, ishin moshatarë e mes tyre gjithmonë kishte qenë një miqësi shumë e sinqertë. Por vitin e shkuar Danieli i kishte shprehur dashurinë e tij e ajo në fillim kishte mbetur e befasuar. Në fshatin e tyre nuk kishte ndodhur ndonjëherë që dy të rinj të lidhnin marrëdhënie dashurie midis tyre. Zakonisht lidhjet martesore bëheshin me familje të fshatrave që ishin matanë lumit. Kështu e donte zakoni. Por edhe Maria e donte Danielin. Të dy kishin vendosur ta mbanin sekret dashurinë e tyre deri sa të mbaronin shkollën.
Danieli ishte një djalë shumë i bukur, zeshkan, me sy ngjyrë jeshile, që sa herë që qeshte i ndrisnin. Vajzat në shkollë dukej sikur do ta hanin me sy, por nuk i afroheshin se vinin re që ai ishte gjithnjë i shoqëruar nga Maria kur vinte në shkollë e kur ikte pas mësimit për në shtëpi. Ishin në të njëjtën klasë. Ai kishte vetëm një motër 10-vjeçare, që e donte si dritën e syve.
Prindërit e Danielit ishin njerëz që nuk përziheshin shumë me pjesën tjetër të fshatit. Gojët e liga thonin se Zefit, babait të Danielit i pëlqente të hidhte ndonjë gotë raki, por kush nga ato anë nuk e bënte. Ai ishte njeri i prerë e thonin që i mbetej qejfi shpejt. Ndaj edhe rrinte disi në hesap të vet edhe në shoqëri.
Pasi u përshëndetën me njëri-tjetrin, Maria e Danieli morën rrugën drejt shkollës. Diku u bashkuan me bashkëmoshatarë të tjerë. Gjatë rrugës po flisnin për detyrat e shtëpisë, për temën e letërsisë, për festivalin e këngës në televizion, për zyshën e re të anglishtes dhe për mënyrën trendi se si ajo vishej. Ishin të rinj me plot ëndrra, si gjithë moshatarët e tyre. Mbi krye të fshatit rrinte hijerëndë mali, sikur donte t’u kujtonte që ndër këto vise jo çdo gjë është si në vendet e tjera…
Atë ditë Maria se ç’kishte një ndiesi të keqe. Në gjoks e shtrëngonte diçka, sikur donte t’i merrte frymën. Në pushimin e madh ajo ndenji brenda në klasë. Me gjithë lutjet e Danielit për të marrë pak ajër, ajo nuk doli. Sapo filloi ora e fundit e mësimit ajo pa në oborrin e shkollës Simonin, djalin e axhës.
– Po ky, çfarë kërkon këtu? – mendoi…
-Maria, merre çantën dhe shko. Ka ardhur kushëriri të të marrë, – e njoftoi dikush nga drejtoria e shkollës.
Ajo u rrënqeth dhe në mënyrë të pavetëdijshme mori çantën dhe u nis drejt derës. Ktheu kokën dhe pa Danielin, që dukej sikur po i lutej që mos ta linte vetëm.
Simoni nuk tha asnjë fjalë, por nga fytyra kuptohej që diçka e keqe kishte ndodhur. Ajo nuk po merrte kurajon ta pyeste. Ndjente gjithnjë një shtrëngim në gjoks. Kur po i afrohej shtëpisë, pa një grumbull me njerëz. Zemra iu drodh dhe si një pulëbardhë e trembur u gjend në oborr. Dikush u mundua ta ndalonte o t’i thonte diçka, por ajo u rrëshqiti nga duart dhe sakaq u gjend brenda në shtëpi. Ajo çka pa ishte e tmerrshme. Në një arkivol ishte shtrirë baca, babai i saj i shtrenjtë. Bërtiti aq fort sa zëri i saj u dëgjua deri në fshatin përtej… Pastaj nuk kuptoi më asgjë dhe ra pa ndjenja. Kur u përmend pa se dikush i vinte alkol në hundë, dikush i thonte që duhej të bëhej e fortë se gjakun do ta merrnin dyfish…Gjakun?!… Çfarë gjaku?… Dhe Maria sërish humbi ndjenjat. Një çast hapi sytë dhe po kërkonte përreth të shikonte Danieli. Pse nuk ka ardhur Danieli?, pyeste veten. Veshët i kapën një bisedë që po bënin burrat e fisit me njëri-tjetrin. Xhaxhai, babai i Simonit, po thoshte se që nga ky moment burrat e asaj shtëpie janë në gjak me ne. Dhe përmendi emrin e Zefit, babait të Danielit. Ishte ai që kishte bërë vrasjen. Maries iu errësuan përsëri sytë. Domethënë tani familja e saj dhe ajo e Danielit ishin në gjak. Kjo ishte një tragjedi e re. Çfarë do të bëhej tani me dashurinë e saj e të Danielit? Si kishte ndodhur që tani familjet e tyre ishin në armiqësi? Në mendje i erdhi vetvetiu tragjedia e Romeos e Zhuljetës, që e kishte lexuar kohët e fundit. Megjithëse diferenca kohore ishte me shekuj, skena shqiptare me ringjalljen e kodit të gjakmarrjes po rikthente mesjetën.
Gjithçka kishte ndodhur thuajse papritur e në pak minuta. Marashi gati ishte përplasur me Zefin në pazar përpara një lokali. Trotuari ishte plot me burra dhe babait të Danielit i merreshin këmbët, ngaqë i kishte ngritur disa gota.
Marashi e kishte shtyrë pak për të hapur rrugën, duke i thënë:
-Kontrolloje atë dreq gote, se ajo ta avullon mendjen dhe ta humb burrërinë.
Të tjerët kishin qeshur për një çast. Kjo e kishte vrarë më shumë të ofenduarin, i cili pa e zgjatur, kishte nxjerrë revolen dhe e kishte qëlluar dy herë në gjoks, duke e lënë Marashin të vrarë në mes të trotuarit.

* * *

Tashmë Danieli, sipas zakonit, ishte mbyllur në shtëpi prej një viti sëbashku me babanë e tij. Ishin munduar t’iu kërkonin ndjesë vëllezërve të Marashit dhe djemve të tij, por ata nuk e kishin pranuar. Përkundrazi, u kishin çuar fjalë se gjaku do të lahej me gjak, sipas kanunit. Kësisoj burrat e shtëpisë ishin mbyllur brenda e nuk dilnin. Gjaku mund të binte mbi secilin nga meshkujt e shtëpisë, qëfshin edhe fëmijë, pavarësisht se kush e kishte bërë vrasjen. Motra e vogël e Danielit bënte pazarin e kryente të gjitha shërbimet që i duheshin familjes. Nëna e saj merrej me tokën e bagëtinë. Femrat e shtëpisë mund të lëviznin lirshëm, sepse sipas kanunit gratë nuk vriteshin për gjak.
Nuk kishin qenë ndonjëherë në gjendje të mirë ekonomike, por tani situata ishte akoma më keq. Shtëpia nuk ka mbarësi pa punën e burrave. Babai tymoste gjithë ditën çibukun dhe nuk fliste fare. Tashmë nuk pinte më raki, por e keqja ishte bërë. Në shtëpinë e tyre ishin të rrallë miqtë që hynin e dilnin, përveç ndonjë shoku të Danielit, që i sillte ndonjë libër, apo fletore detyrash nga shkolla. Ai bënte çmos që të mos e humbte vitin shkollor.
Maria kishte filluar të shkonte në shkollë, por asgjë nuk ishte më si dikur. I mungonte shumë baca, i mungonin fjalët, përkëdheljet e përqafimet e tij. Por i mungonte edhe Danieli. Çuditërisht ajo nuk arrinte ta urrente Danielin, i cili nuk kishte asnjë faj për vrasjen e të atit. Faji i tij i vetëm qëndronte në faktin që ishte i biri i atij që kishte qëlluar me revole. E kjo mbyllte thuajse çdo mundësi e perspektivë të lidhjes së tyre. Nuk mund të kishte lidhje krushqie me familjen e hasmit.
Një ditë motra e vogël e Danielit iu afrua dhe pa folur i futi diçka nën dorë. Ishte një letër nga Danieli, ku ai i tregonte gjendjen e tij shpirtërore dhe i shprehte keqardhjen për humbjen e babait, duke i kërkuar edhe falje, pa çka se faji nuk ishte i tij direkt. Maria flinte me atë letër, por edhe e fshihte që mos binte në dorë të vëllezërve. Danieli ishte i biri i gjaksit e ata do të tërboheshin po të merrnin vesh për lidhjen dashurore të motrës me atë djalë. Koha kalonte e motra e vogël e Danielit, pa rënë në sy, i sillte Maries letra nga Danieli. Edhe Maria shkruante fshehurazi ndonjë pusullë e ia jepte korrieres së tyre të vogël. Ishte e vetmja urë lidhjeje midis tyre.
Ndërkohë që ata vazhdonin të shkëmbenin letra fshehurazi, babai i Danielit pësoi një infarkt dhe ndërroi jetë. Maria për një çast mendoi se me ikjen e gjaksit nga kjo botë çështja do të lehtësohej sadopak, por në një bisedë midis vëllezërve të saj ajo kapi frazën: “Vdiq gjaksi, por gjaku mund të merret mbi djalin e tij të vetëm, Danielin. Kështu shuhet ajo shtëpi që nuk lë trashëgimtarë djem”. Maries iu drodh zemra kur dëgjoi këto fjalë. Me një fjalë vëllezërit e saj mund të vrisnin njeriun me të cilin ajo ishte dashuruar e ëndërronte të lidhte jetën me të. Qau shumë atë natë dhe të nesërmen i dërgoi një letër dramatike Danielit, ku shprehte frikën për jetën e tij e për dashurinë e tyre.
* * *
Duke parë atë shtëpi që kishte mbetur vetëm me një djalë dhe mund të shuhej me vrasjen e tij për gjak, burrat e fshatit ishin vënë në lëvizje për të arritur pajtimin e gjakut. Meqenëse gjaksin e kishte dënuar natyra me vdekje, le të mos e kalonin gjakun mbi atë djalë të ri e të vetëm, që nuk kishte asnjë faj. Në shtëpinë e Marashit hynin e dilnin burra të fshatit. Pinin kafe e ndonjë gotë raki, bënin biseda me orë, por vëllezërit dhe djemtë e Marashit nuk lëshonin pe. Donin që gjaku të merrej sipas kanunit.
Një ditë në fshat erdhi një plak i urtë nga një fshat i largët, që njihej për mençurinë e tij. Ai kishte pajtuar shumë gjaqe në gjithë krahinën. Quhej Gjin Mali. Ai takoi tre-katër burra të fshatit dhe u çoi fjalë djemve të Marashit se në darkë do të ishin në shtëpinë e tyre për të biseduar. Djemtë u bënë gati ta prisnin plakun e mençur me ata që do ta shoqëronin nga fshati. Në shtëpi kishin ardhur edhe dy vëllezërit e Marashit.
-A do miq, o i zoti i shtëpisë?-foli plaku i urtë sapo kaloi derën e oborrit.
Marku, vëllai i madh i Maries, që drejtonte shtëpinë në këmbë të Marashit, hapi derën dhe u doli përpara miqve.
-Bujrum. Mirëse ju ka pru Zoti. Qofsh faqebardhë o Gjin Mali që erdhe në kullën tonë.
-Mirë se ju gjeta. Faqja e bardhë është fjalë e madhe. Shpresoj të dal faqebardhë nesër nga ky konak,-tha Gjin Mali, duke kapërcyer pragun e kullës.
Pas përshëndetjeve të para, sipas zakonit, u ndërruan kutitë e duhanit dhe u sollën kafetë. Pastaj gotat me raki. Duke ngritur gotën me raki, miku i urtë që e kishin vënë në krye të oxhakut, tha:- Tu ngjattë jeta, o i zoti i shtëpisë. Babanë tuaj, Marashin, e kam njohur. Ishte i urtë e kishte burrëri. Sytë tuaj më thonë se të njëjtën burrëri e gjej edhe tek ju. Një vaki e rëndë ju ka rënë në derë, por dera e mençur dallohet edhe në zgjidhjen e vakive të tilla.
-E dimë se jemi vonuar në marrjen e gjakut, por konaku ynë nuk e ka traditë me u korit,-foli vëllai i madh i Marashit.
-Me e tërheq këmbëzën e pushkës me lehtësi, nuk është urtì,-foli Gjin Mali. Me tërheq këmbëzën e pushkës duhen një pendë qe, aq e rëndë është tërheqja e saj.
-Po ai që e tërhoqi këmbëzën e pushkës kundër vëllait tonë nuk e mendonte kështu, – foli përsëri vëllai i madh.
-Nuk e di se sa ishte në gjendje të mendonte dhe nuk e dimë nëse këmbëzën e tërhoqi mendja e tij apo rakia. Tani ai është nën tokë e nuk mendoj se mund të na japë një përgjigje,-tha Gjin Mali.
-Përgjigjen duhet t’ia japim ne, duke marrë gjakun. Kanuni e burrnia kështu e duan,-foli prapë vëllai i parë.
-Burri i mirë kurrë nuk ngutet, – foli plaku i urtë, pak i bezdisur nga ndërhyrjet e shpeshta të vëllait të madh.-Unë kisha dashtë të dëgjoja edhe fjalën e djemve të Marashit, me pa a është trashëguar tek ata urtia e burrnia e tij.
-Dera jonë nuk ka qenë kurrë më e nderuar se sonte që keni ardhë ju, o plak i urtë,-foli Marku, djali i madh i Marashit. – Babai ynë iku pak shpejt e nuk e di nëse pati kohë të na e linte gjithë urtinë e burrërinë e tij.
-Me çka po më dëgjojnë veshët farën e mirë e paska hedhur në tokë pjellore,-tha plaku i maleve.- Po ma ka ënda të të dëgjoj.
Në kullë ra qetësia. Vëllezërit e Marashit sikur u ndjenë pak të spostuar në kuvend. Ndërsa djemtë e ulur pranë e pranë dukej sikur përbënin një bllok më vete. Burrat e tjerë që shoqëronin plakun e urtë po dëgjonin në heshtje. Maria me nënën e saj nuk ishin në odën e burrave, por derën e kishin lënë pak hapur dhe i dëgjonin të gjitha. Zemrat e tyre rrihnin me një ritëm të shpejtë. Në kullën e tyre kurrë nuk ishte bërë një bisedë e tillë me aq peshë.
-Rruga e largët do ju ketë lodhur, plak i urtë. Unë mendoj të shtrojmë sofrën, të hamë një kafshatë bukë e të pushojmë. Nata do na japë këshillë e nesër flasim me mendje më të kthjelltë, – tha Marku, djali i madh.
Maria me të ëmën, sa dëgjuan këto fjalë, nxituan të bëjnë gati sofrën dhe mezetë e përgatitura.
-Ju bëftë mirë, buka burra,-tha vëllai i madh i Marashit, duke u ngritur nga vendi. Pas tij u ngrit edhe vëllai tjetër.-Ne po shkojmë e shihemi nesër në mëngjes.
-Po rrini edhe ju, o axhë, e hani një kafshatë bukë. Muhabet do të bëjmë,- tha Marku.
-O i zoti i shtëpisë!- u dëgjua një zë në oborr.
Të gjithë shtangën. Kush mund të ishte në këtë orë? Marku, si i zoti i shtëpisë doli në derë të kullës. Sytë e tij u shqyen nga habia, kur pa që në oborr ishte Danieli, djali i gjaksit.
-Ti këtu?-i tha.
-A ke besë, o Mark? Më ka dhembur shumë vdekja e babait tuaj e sonte kam ardhur të kërkoj besën e djalit të tij.
-Hajde brenda. Kulla është e mbushur me burra e ti, derisa pate kurajon me trokitë në derë, e ke vendin midis tyre. Je në besën time,-i tha ai dhe i priu përpara drejt dhomës ku ishin burrat.
Një heshtje morti ra kur ai hyri në dhomë.
-Çfarë kërkon djali i gjaksit në kullën tonë? Nuk i njohka zakonet apo ka harruar se është në gjak me ne?- foli vëllai i parë i Marashit dhe nxori revolen nga brezi.
Plaku i maleve u çua në këmbë.
-Kur hymë në kullë, unë e dorëzova pushkën tek dera, siç e do zakoni. Këtë duhej të kishe bërë edhe ti, por me sa duket je ti ai që nuk i njohka zakonet,-iu drejtua plaku i maleve vëllait të parë.
-Ja ku më keni, nëqoftëse doni të merrni gjakun,- foli Danieli, duke i dalë përpara.-Mua më ka lodhur kjo pritje, siç më ka lodhur mungesa e të folurit me ju, siç më ka lodhur mungesa e daljes ndër shokë, e vajtjes në shkollë. Babai im bëri një krim për një fjalë goje. Ai tani nuk është më. Vritmëni mua në vend të tij e mbyllet kjo punë. Le të shuhet dera e shtëpisë sime, nëqoftëse kështu është shkruar.
Maria, në dhomën tjetër, sapo dëgjoi zërin e Danielit dhe fjalët që u thanë në odën e burrave u zbeh dhe u mbajt me zor pas së ëmës.
-Babai yt paska lënë një djalë trim e të urtë,-i tha plaku i maleve.
-Danieli bëri zë në derë të kullës e është mysafir i kësaj kulle.Kërkoi besën time e është në besën time,-tha Marku.
-Epo këtu nuk ka vend për ne,-tha vëllai i madh dhe u nis drejt derës. Vëllai tjetër e ndoqi pas.
-Uluni burra. Tani do të shtrohet sofra. Nata është e gjatë dhe do të kemi kohë të flasim,-tha Marku. Ai i tregoi një vend Danielit afër njërit nga burrat e fshatit dhe gratë shtruan sofrën. Plaku i maleve pa lahutën e varur në anë të oxhakut, e mori në dorë dhe iu drejtua Markut:
-Kush i bie lahutës në këtë shtëpi? Paskam nevojë të dëgjoj një këngë burrash.
Më i vogli nga djemtë e Marashit e mori lahutën në dorë.
– Kur i këndonte baba lahutës kisha qejf me e ndigjue. Këngët e tij i mësova të gjitha. Po të ishte gjallë ai, nuk do të rrinte pa e këndue një këngë përpara plakut të maleve,-tha ai.
E ndërsa sofra u shtrua e po mbushej me meze, ai nisi një këngë të lashtë që i kushtohej besës.

* * *
Të nesërmen gdhiu një ditë e bukur dhe burrat patën dëshirë ta pinin kafen në oborr, nën hijen e një mani të madh. U ulën të heshtur e gjerbnin kafetë, në pritje të fjalës së plakut të maleve. Por ai po heshtte dhe vështronte herë pas here Danielin, që pinte kafenë bashkë me të tjerët, por dukej që nuk ishte mësuar e rrinte si mbi gjemba. Pikërisht në atë kohë e mori fjalën Marku.
-Mbase do të duhej ta fillonim fjalën unë e plaku i urtë,-tha ai.-Por mbrëmë folën dy më të vegjëlit, Danieli që erdhi të kërkojë besë dhe vëllai ynë i vogël me këngën në lahutë për besën. Mbas fjalës së tyre të mbrëmshme kjo kafe në heshtje është si një ftesë për paqe midis dy familjeve tona. Gjakun t’ia lëmë së kaluarës e të shohim përpara. Mendoj se kjo është edhe përcjellja më e mirë për plakun e urtë që ia zbardhi faqen kullës sonë me ardhjen e tij.
-Faqen ma zbardhe ti me këto fjalë, o djali i Marashit. E qofsh faqebardhë gjithmonë. Epo na e sill edhe nga një gotë raki. Ta pimë për kujtimin e Marashit, për djemtë e tij e për këtë kullë që di të nderojë miqtë,-tha plaku i maleve.
Maria erdhi të sjellë gotat e rakisë në një tabaka. Ua dorëzoi gotat të tërëve me radhë e kur u gjend përpara Danielit, la tabakanë dhe i uroi mirëseardhjen, duke e përqafuar si shok klase.

Vita Blloshmi

Të Lidhura

Skandal në spitalin e Korçës: Denoncime për degradim, mungesë kushtesh dhe abuzime
Të ndryshme

Skandal në spitalin e Korçës: Denoncime për degradim, mungesë kushtesh dhe abuzime

20 Prill, 2026
Reuters: Të dhënat satelitore tregojnë se Toka po bëhet gjithnjë e më e ndritshme natën
Të ndryshme

Reuters: Të dhënat satelitore tregojnë se Toka po bëhet gjithnjë e më e ndritshme natën

10 Prill, 2026
Mos e qëroni më mollën! Pjesa që po hidhni çdo ditë është…
Të ndryshme

Mos e qëroni më mollën! Pjesa që po hidhni çdo ditë është…

8 Prill, 2026
Kush ishte Franko Krroqi, inxhinieri qê mundi Ramiz Alinë në zgjedhjet e 31 marsit 1991. Premtimi që i dha banorëve autoktonë të Njësisë 8…
Histori

Kush ishte Franko Krroqi, inxhinieri qê mundi Ramiz Alinë në zgjedhjet e 31 marsit 1991. Premtimi që i dha banorëve autoktonë të Njësisë 8…

5 Prill, 2026
Trump kërkon 152 milionë dollarë për të rihapur burgun famëkeq të Alcatraz-it
Të ndryshme

Trump kërkon 152 milionë dollarë për të rihapur burgun famëkeq të Alcatraz-it

5 Prill, 2026
“1 Prilli, Dita  e Gënjeshtave”/ Si ka filluar dhe ç’duhet të dini
Të ndryshme

“1 Prilli, Dita e Gënjeshtave”/ Si ka filluar dhe ç’duhet të dini

1 Prill, 2026

TË FUNDIT

Horoskopi për ditën e hënë, 27 prill 2026
Horoskopi

Horoskopi për ditën e hënë, 27 prill 2026

27 Prill, 2026

Horoskopi për ditën e sotme, 10 prill 2026
Horoskopi

Horoskopi për ditën e premte, 24 Prill 2026

24 Prill, 2026

Alarm për SPAK/ Fermeri nga Lushnja denoncon korrupsionin në AZHBR – “50 milion lekë nën dorë ose nuk e merr grantin”
Aktualitet

Alarm për SPAK/ Fermeri nga Lushnja denoncon korrupsionin në AZHBR – “50 milion lekë nën dorë ose nuk e merr grantin”

23 Prill, 2026

Horoskopi ditor, 9 Prill 2026
Horoskopi

Horoskopi për ditën e enjte, 23 prill 2026

23 Prill, 2026

"InfoPressAlbania", është një media e re online, e lançuar më 04 Nëntor 2018. Synimi i "InfoPressAlbania" është informimi në kohë reale i ngjarjeve, por edhe zhvillimeve të tjera nga politika, showbiz, sport, kulturë, etj. Moto e "InfopressAlbania" është: Lajmi vjen tek lexuesit përmes këndeve të ndryshme të vëzhgimit. Ne hulumtojmë përtej lajmit për të shpalosur për lexuesit të vërtetën. E veçanta e InfoPressAlbanai qëndron në promovimin e "Modeleve të Suksesit" të bizneseve dhe individëve në fusha të ndryshme, që me shembullin e tyre janë motivues për gjithsecilin. I përkushtuar për të ofruar një mbulim origjinal konstant në të gjithë Shqipërinë mbi fushat e lartpërmendura, InfopressAlbania, synon gjithashtu, të sigurojë akses në lajmin e parë, duke ofruar një staf gazetarësh që do të shërbejnë si sistem rrjetizues për mbulimin e informacionit në të gjithë territorin.

@2024 InfoPressAlbania

No Result
View All Result
  • KREU
  • Artikuj
  • Opinione
  • Politikë
  • InfoPress
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Lifestyle
  • WEB TV
  • Të ndryshme
    • Aktualitet
    • Lajme
    • I përzgjedhur
    • Sociale
    • Shëndetësi
    • Histori
    • Kulturë
    • Kuriozitete
    • Horoskopi
    • Show Biz

© 2024 Infopressalbania.com