Ish-kryeministri Sali Berisha ka bërë një reagim në lidhje me futjen edhe anëtarit të katert te familjes së deputetes Emonela Felaj në Prokurorinë e Tiranës.
Berisha me anë të një postimi në rrjetet sociale shkruan se ky është një rekord i zi, teksa Prokurorinë e Tiranës e quan “prokurori familjare”.
Postimi i Berishës:
Prokuroria familjare. Një monstër e re e pseudoreformës së drejtësisë.
Miq, pas përdorimit të vetingut për gjueti shtrigash të bazuar në kritere me origjinë shoqërore, prejardhje krahinore, madje edhe besimin fetar dhe krijimit të drejtësisë së organizatave të Partisë Socialiste, pas shumëfishimit të korrupsionit dhe gjobës që paguajnë në procesin gjyqësor, pas privimit de fakto të qytetarëve shqiptarë nga procesi i drejtë ligjor, drejtesia e re e bazuar në reformën e Soros-Rama solli dhe një monster të re, kurrë të parë apo të dëgjuar ndonjëherë më parë.
Kjo është prokuroria familjare.
Kështu prokuroria e kryeqytetit të Shqipërisë është tani prokuroria e familjes Felaj, e njohur prej vitesh për lidhjet e provuara të saj me malavitën. Kështu, kjo prokurori, në një rast unik në botë si në asnjë vend të lirë, por edhe në asnjë diktature tjetër, udhëhiqet tani nga katër anëtarë me lidhje të para të ndrikull Felaj. Një rekord i zi! #sb










