Nga Edlira Devolli-LEKA
Pse nuk e bëjnë publike marrëveshjen historike?!
Ndërkohë që pritej marrëveshja mes foltores dhe PD zyrtare, Berisha pa konsideruar asnjë nga strukturat e tij bëri “marrëveshjen historike” me Metajn.
Se të gjitha marrëveshjet që bën Berisha o janë historike, o janë… historike.
Madje kjo e fundit, dhe qoftë e fundit, e fundit, do i rëndojë demokratët aq sa do mbetet në historinë e PD përgjithmonë.
Do të kujtohet si marrëveshja historike më negative e mundshme.
Sepse “legjenda rurale” e qytetëruar nën ideologjin e komunistëve, e zhvilluar në postkomunizëm, me kontribute të jashtëzakonshme për zgjatjen e tranzicionit ekonomik e politik në Shqipërinë pluraliste, ka vendosur t`i japi shkelmin e fundit demokratëve.
Pse nuk e bëjnë publike marrëveshjen historike?
Sepse kjo marrëveshje, për sa thuhet nën zë favorizon vetëm PL alias LSI.
Pse mbahet e fshehtë marrëveshja historike e atyre që nuk kanë lënë gjë pa i thënë njëri – tjetrit?
Çfarë ka që nuk duhet të dal?
Berisha dhe shtabi gardh pas tij “e duan shumë” transparencën.
Ta bëjnë publike këtë marrëveshje që ta kuptojnë demokratët e foltores se sa ia vlerëson Berisha mundin dhe sa vlejnë për të.
Nëse marrëveshja nuk publikohet me të gjitha detajet e saj, atëherë Partia Demokratike është në njërën anë të peshores dhe në krahun tjetër janë hallet e familjes Berisha.
Për hallin e tij Berisha e ka shitur “gjithë krahun e peshores dhe peshën e rëndë të PD te bashkëvuajtësi e bashkëfajtori i tij Ilir Metaj”.
Metaj e ka deklaruar herët kur ka thënë nuk sakrifikoj më për Shkëlzenin, “duke nënkuptuar ma shisni mua partinë”.
Kështu Partia Lirisë merr në këmbim të hallit “non grata”, këshilltarët, vendet fituese të listave, merr për “dy aspra” Partinë Demokratike.
I mori votat e demokratëve në 2013 dhe në 2017. Tani ka shansin ta rrënojë tërësisht PD.
Nëse dikush nga foltorja thotë se ” kështu flasin gojët e liga”, publikoni ç`do detaj të marrëveshjes dhe mbylluani gojën atyre që dyshojnë në prapaskenat tuaja.











