Selamin dhe Shehun i pranuan sepse Selami e Shehu pranuan humbjen dhe u kthyen të nënshtruar, pranuan bosin Sali Berisha si padrino të partisë dhe u akomoduan në poste. Po bëre ketë, pra po u nënshtrove dhe po pranove bosin, ata, idhujtarët e Sali Berishës, tiranucët e vegjël të cilët të bashkuar së bashku formojnë tiranin e tyre të madh, nuk merren e nuk e gjëmojnë armikun me akuza dhe denigrim, sepse armiku ka bërë pazarin.
Po në rastin e Lulzim Bashës, çfarë ka ndodhur? Gjurmimi dhe përhapja e urrejtjes për Bashën, vazhdon me ritme të njëjta. Sepse Basha nuk është nënshtruar, nuk ka pranuar ti nënshtrohet bosit dhe padrinos Berisha, përkundrazi, Basha synon të vazhdojë qëndresën. Basha nuk ka bërë ndonjë pazar me Sali Berishën ku të njohë padrinon Berisha, në këmbim të një posti.
Mosbërja e këtij pazari nga Basha, i nervozon Berishët dhe servilët e tyre sepse ju shemb atë gënjeshtrën që thonë se Basha është klientelist dhe interesaxhi i nivelit të ulët.
Po të ishte interesaxhi i nivelit të ulët, Basha do pranonte pazarin me Sali Berishën dhe do i bashkohej foltores anti-amerikane, në këmbim të një posti dhe fraksioni në parti. Se interesaxhiu atë bën, pranon pazarin që të jetë rehat për vete.
Sali Berisha dhe të tijët janë të çmendur sepse Lulzim Basha është “interesaxhi” i nivelit të lartë, jo i nivelit të ulët. Lulzim Basha pranon vetëm pazarin ku ai është vetë lideri. Ketë pazar ka pranuar prej vitit 2013. Berisha e di që Lulzim Basha pranon vetëm marrëveshjen ku Basha është lideri, prandaj nxit urrejtje kundër tij.
Berisha e njeh Bashën më mirë sesa e njohin të tjerët, prandaj edhe nuk e ndërpret goditjen ndaj tij. Ai e di se Lulzim Basha është politikan i ftohtë, pa gjak e pa gjaknxehtësi, politikan dinak por i maskuar nën veshjen dhe pamjen e një bankieri europian.
Mbi të gjitha, urrejtjen e tyre për Bashën e motivon fakti që ai ka mbështetës pas vetes. Aq sa janë por i ka. Kjo e tërbon në mënyrë të pashërueshme Sali Berishën.
Sali Berisha është mësuar që kur ai e përzë dikë dhe e shpall armik, personi i përzënë, duhet të mbetet vetëm, të mbetet në rrugë, ti mos i folë kush me gojë, të mbetet pa asnjë mbështetës dhe pastaj i dëshpëruar të shkojë të dorëzohet te Sali Berisha, ti lutet për pranim.
Lulzim Bashën e urrejnë sepse nuk e kanë dëbuar dot ashtu siç duan ata ta dëbojnë, në mënyrë përfundimtare, poshtëruese e pikëlluese, duke e lënë në vetmi. Ata i tërbon fakti se Basha është krenar, nuk u ka kërkuar falje, nuk e ul kokën por vazhdon të deklarojë se vendimi për përjashtimin e Sali Berishës është vendimi i drejtë për PD. Vazhdon të thotë se Partia Demokratike, Grupi Parlamentar i PD, nuk mund të jetë grup që hedh në gjyq Sekretarin e Shtetit e nëse dëshiron të hedhësh në gjyq Sekretarin e Shtetit të Amerikës që ka çliruar Kosovën dhe po mbron shqiptarët, ti duhet ta hedhësh nga jashtë Grupit Parlamentar. Kjo i frikëson aq shumë. I frikëson sepse për pak çaste kuptojnë se kanë përfunduar si Al-Kaeda, kanë përfunduar në organizatë anti-amerikane e anti-europiane e cila kurrë ndonjëherë nuk do të fitojë qeverinë por çdo ditë do futet edhe më thellë në krizë ekzistence.
I tërbon fakti që nuk kanë mundur ta poshtërojnë e ta lënë vetëm, sepse Basha ka deputetë pro tij por mbi të gjitha, gjithësej janë mbi 30 deputetë që nuk janë me Bashën por nuk pranojnë Sali Berishën. Basha ka mbështetës nga Këshilli Kombëtar legjitim dhe nga kryetarët e degëve, ka mbështetje nga kryesitë e degëve. Ka mbështetje popullore!
Kjo e çmend Sali Berishën prandaj ai motivon urrejtje të pandalshme.











