Përshkimi i korridoreve të tmerrit më jep ndjesinë sikur nuk po eci me këmbët e mia dhe më pushton një zbrazëti në shpirt që nuk mbushet kurrë. A nuk është pikërisht ajo që krijohet nga humbja e një njeriu të shtrenjtë? Zbrazëtia bëhet humnerë kur humbja është e shumëfishtë dhe e padrejtë. Përpara më shfaqen të parët e mi teksa u bënë rezistencë komunistëve maleve të Shqipërisë, e të plagosur nga granatat e plumbat nuk mundëm dot të mbijetonin. Gjithmonë pyes veten : Si mundet vallë njeriu të vrasë njeriun pse mendon ndryshe?
Të njëjtën ndjesi përjetova edhe kur vizitova kalnë e Beratit para nje viti . Teksa shkelja gurët e atyre rrugëve, përpiqesha të ecja në majë të gishtave e sa më lehtë,sepse më dukej sikur shkelja mbi eshtrat e fëmijëve e grave të internuara që kanë ndërruar jetë atje e nuk dihet se ku prehen, apo më bëhej sikur ndjeja rënkimet e stërgjyshes e gjyshes sa herë ngjisnin e zbrisnin rrugët të pangrëna e të sfilitura e me dhimbjen sesi do ushqenin fëmijët e tyre.
As teli i zhveshur i korentit nuk do të më shkaktonte këtë elektroshok dhimbjesh që më përçoi prekja e këtij teli me gjemba me majat e gishterinjve. Mu duk sikur aty u tokëzua e gjithë e shkuara e hidhur dhe ngjarjet më kalojnë para syve sikur të ndodhin tani. Vakumi i tunelit dhe rrënqethja e telit më oshëtijnë në vesh fjalët që Aliu i shkruante në letër nga burgu hallë Narushiijes, vajzës së vetme të Tahir Menës: “ Nanës nxirrja merakun, dhe thuaj tashti që shtepinë shyqyr Zotit e ke plot, mos qaj hallin t`em, kur unë nuk mërzitem pse mërzitesh ti për mu? Fola me Ramizin, do ti them dhe Isas që njëherë ose dy herë në vit të ma bien nanën në takim.” Aliu u dënua me burgim të përjetshëm dhe vdiq në burg në rethana të paqarta.
Marr frymë thellë aq sa mundet të më lejojë humnera që kam në kraharor si dhe ky tel që më duket sikur më është mbështjellë për fyti. Ky tel ua këputi fatin e jetes familjarëve të mi, e mbështolli rreth vetes dhe e bëri gogël për një dekadë burgu edhe për gjyshërit e mi. Ata që i dhanë mbijetesës një dimension tjetër duke e kthyer në artin e përballimit me dinjitet të gjithçkaje që jeta u servirte, ringjallën copëzat e vdekura të shpirtit, rishpikën shpresën dhe ranë përsëri në dashuri me jetën , që gjithmonë të ketë një dorë mbi telat me gjemba e të rrëfejë të vërtetën në përjetësi.
E vetmja gjë që na ka mbetur të bëjmë sot, është të merremi me kujtesën sepse fatkeqesisht, për turpin tonë si shoqëri,persekutorët,bashkëpunëtorët,kriminelët e diktaturës kanë dhënë shpirt paqësisht në shtretërit e tyre, në komfortin e shtëpisë së tyre dhe jo në burgje ku duhet të ishin. Pjesa tjetër që janë përfshirë me ta,kanë depërtuar në institucionet tona këto 30 (tridhjete ) vjet! Ne jemi ata fisnikë që nuk ishim për vetgjyqesi. Pas 90-es shpresuam që gjithkush të çohej para drejtësisë , ata që ishin të implikuar, kupola pasi ky nuk ishte një sistem i krijuar rastësisht. Ky ishte një sistem i ndërtuar për të bërë keq dhe çdo gjë që u bë ishte e qëllimshme. U bë qëllimisht,por ku jemi ne si shoqëri ?Çfarë na mbetet ne kur këta diktatorë vdesin ne shtrat dhe të tjerët përfshihen…dhe ne prisnim drejtësi nga këta kriminelë që u bënë vetë drejtesia!? Ende po jetojmë në një situatë ironike, dramatike. Ne jemi ende te persekutuar. Duhet ta kuptoni këtë pjesë. Po e mbyll me sloganin e Këshillit të Europës, sepse ishte dita e kujtesës për viktimat nga regjimet totalitare. Ishte thënë shume bukur aty: Nuk ka pajtim, Nuk ka paqe pa të vërtetën dhe pa kujtesën.
E vetmja gjë që na mbetet është kujtesa, të rrëfejmë, të tregojmë se do dalin prapë nga ata qe kanë bashkëpunuar dhe do të thonë që nuk ka pas diktaturë, këta njerëz gënjejnë. Kështu që kujtesa është e vetmja gjë që na ka mbetur, fatkeqësisht.











