Që Çajupi është treguar i padrejtë ndaj Dr. Gjergj Adhamidhi Bej Frashëri-t pak kush e di sepse është ves i shoqërisë tonë tej e tëhu që nuk thellohemi po i marrim gjërat shabllon si na i hedhin për konsum. Fasada përqafohet për dreq. E kam fjalën për Doktor Adham-utin e Çajupit që mbeti një vepër e cila shenjoji karrierën e tij. Pak a shumë në veprën e tij Çajupi e kalon në groktesk doktorin duke e njehsuar me një dallkauk i cili kishte si metod shërimi eleminimin, pra nëse të dhëmb krahu, prije të shpëtosh tjetrin…nëse të dhëmb syri, nxirre të shpëtosh tjetrin.
Çajupi, inatin me doktorin e kishte personal pasi doktori ishte shprehur kundër martesës së tij me kunatën e vetë, vajzën e patriotit Thanas Mitre. (Lexo Kristo Frashërin)
Gjithësesi, përtej gjuajtjes nën brez që Çajupi i bëri baxhanakut të vetë në tentativë, vepra e tij mbetet monument ndaj injorancës me tituj e pushtet.
Le të vijmë në ditët e sotme. Ndodhi vrasja e vogëlushes në Himarë. Reaguam. Do vazhdojmë ta bëjmë. Reaguam ndaj shkeljes së ligjit. Reaguam ndaj arrogancës që përfaqësues të shtetit që presupozohet ta ruajnë ligjin, e shkelin të parët dhe dhunshëm madje. Me pak fjalë kërkuam zbatimin e kuadrit ligjor në fuqi dhe konkretisht VKM-së Nr. 321 të datës 28.05.2014 “Për sigurinë në det ….”.
Çfarë ndodhi? Menjëherë adhamudhët i ranë për shkurt…zbrazën detin nga skafet. Pra, në vend të zbatojnë ligjin shkojnë përtej ligjit. Sipas adhamudhëve pritet të hiqen dhe makinat nga rrugët.
Po pse është e rrezikshme kjo:
1. Sepse jeta nuk mbrohet duke u mbyllur në shtëpi, por duke rregulluar aspektet e saj me ligj e duke garantuar zbatimin e ligjit;
2. Sepse tregon që shteti nuk e garanton dot zbatimin e ligjit;
3. Sepse paaftësia e strukturave shtetërore nuk mund të lërë pa punë qindra e mijëra që merren me turizëm në det. Shikoni vendet fqinje, për bukuri…sepse zbatojnë ligjin;
4. Sepse nuk e ka fajin llamarina dhe kallçuku, por gangot që shkelin ligjin;
5. Sepse duhen disiplinuar e nxjerrë nga deti shkelësit e ligjit dhe jo ligji.
6. Sepse shteti nuk ndërtohet me fushata, por me institucione të forta që i udhëheq ligji dhe vetëm ligji;
7. Sepse nuk mund të zgjidhësh një problem duke krijuar një problem tjetër;
8. Sepse është paaftësi të mos kërkosh nga Bashkitë, Agjencia Kombëtare e Bregdetit, Policia Kufitare të zbatojnë ligjin.
Është e thjeshtë ore….mjafton të zbatoni ligjin i cili pak a shumë ju ngarkon me detyrat si më poshtë:
– Rregullimin e infrastrukturës ujore, koridoret hyrëse-dalëse , bovat sinjalizuese nga Njësitë e Pushtetit Vendor, pra bashkitë.
– Ndalimin e personave pa leje drejtimi të drejtojnë mjete ujore; (Policia kufitare)
– Bllokimin e mjeteve që shkelin ligjin; (Policia kufitare)
– Paisjen me detyrim të çdo plazhi me roje plazhi i cili ka detyrë funksionale edhe njoftimin e policisë kur mjetet motorrike futen në zonat e ndaluara.
Ndërkohë Parlamenti duhet të bëjë ndërhyrje në Kodin Penal duke shtuar si vepra ato që konsumohen nga drejtuesit e mjeteve detare në mënyrë të parregullt.
P.s vetëm Ministrin mos nxirrni nga Ministria pa punë e madhe se i latë nja 2000 familje pa bukë për dimrin.
P.p.s aksidentet në fakt si kanë shkaktuar ata që turizmin e kanë punë, por ata që ndihen të fortë mbi ligjin.











