Nga Erl KODRA
Tani askush nuk ka më dyshime se PD është defaktorizuar plotësisht, madje këtë e ka kuptuar jo vetëm lidershipi i Foltores, por po e kuptojnë edhe militantët më të thekur. Asgjë dhe askush nga ata që e sollën gjendjen në këtë pikë nuk mund të ringrejnë Partinë Demokratike, për më tepër personazhe që po plaken dhe nuk heqin dorë. Ata mund të kenë vetvlerësim të lartë për veten e tyre, por puna është nëse i vlerësojnë qytetarët shqiptar, përndryshe, do të jetë barrë e madhe për ne që të prisim ditën kur ata do të ikin nga kjo botë.
Ka diçka që duhet nënvizuar fort, se Partia Demokratike nuk është pronë private e asnjë individi, kushdoqoftë ai, por është aset kombëtar që i duhet Shqipërisë. Kjo është një aksiomë – të paktën edhe për 20 vitet e ardhshme – sa kohë që shoqëria jonë nuk është në gjendje të prodhojë ndonjë forcë të re politike, të aftë të krijojë valencën e nevojshme për të bërë ndryshimin e pritur. Partia Demokratike nuk është fituese, është defaktorizuar, por një demokrat nuk e voton Edi Ramën, as nuk voton një forcë të re politike. Mirë apo keq, kjo është provuar me dhjetra qindra herë nga shumë personazhe politike përgjatë 32 viteve pluralizëm.
Ka më shumë gjasa që në Tokë të vijnë jashtëtokësorët, se sa Foltorja të fitojë zgjedhjet zgjedhjet lokale ose parlamentare. Kjo është absolute si Ligji i Gravitetit. Shumë shumë ajo mund të fitojë një numër minimal deputetësh. Edhe pjesa tjetër e PD nuk fiton më shumë se një numër minimal – dhe të dyja së bashku nuk mund të kalojnë 35 deri 40 deputetë. Dhe kjo nuk do të ndodh se demokratët do votojnë Edi Ramën, por se nuk do të votojnë një PD të tillë.
Izolimi ndërkombëtar i Foltores tashmë është fakt i padiskutueshëm. Kush thotë të kundërtën gënjen veten dhe ata që e dëgjojnë. Tani është koha që faktet të pranohen si të tilla. Murit me kokë nuk i bihet. Demokratët dhe Shqipëria meritojnë më shumë se sa gënjeshtrat e pacipa. Lufta mes demokratëve duhet të marrë fund. Mjaftë është mjaft.
Cila mund të jetë zgjidhja?
Në të vertetë ka vetëm një zgjidhje – dorëzimi pa kushte i Foltores, duke i dhënë fund aventurës së rrezikshme ku e futën Partinë Demokratike. Si hap i parë, duhet të krijohet një platformë politike, që duhet të përmbajë këto pika:
1 – të ndërpritet çdo ligjërim publik kundër njërit apo tjetrit grupim, në mënyrë që të krijohet një klimë e mirëbesimit reciprok,
2 – të identifikohen dhe të krijohet një grup pune i përbashkët me individ të të gjitha grupimeve, që nuk kanë qenë protagonist të përplasjeve politike përgjatë vitit të fundit,
3 – të miratohet një dokument i përbashkët nga Grupi i Punës, duke vendosur objektiva konkrete për riogranizmin e partisë,
4 – mundësisht brenda fundit të këtij viti të mbahet një Kuvend Kombëtar përbashkues, ku do të zgjidhet një kryesi e vogël, e cila do të jetë përgjegjëse për drejtimin e partisë deri sa të kryhen zgjedhjet lokale,
Ashtu siç shumëkush e ka të qartë, fitorja e asnjërit krah nuk e bën fituese Partinë Demokratike. Ashtu siç kanë ardhur punët, as Sali Berisha, as Lulzim Basha nuk mund të rindërtojnë atë që vet e shkatërruan. Për momentin – askush nuk e ka sfofin për të marrë drejtimin e partisë.
Të jesh politikan i rëndësishëm është privilegj. Por përgjegjësia para demokratëve dhe Shqipërisë është politika më e mirë. Ka momente që heshtja dhe largimi është shërbimi i duhur për vendin. Duket qartë se tani është ky moment.
Të pranosh realitetin është hapi i parë. Të tjerat vijnë pas.