Ish-Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, ka ndërruar jetë në moshën 56 vjeçare, pasi prej disa kohësh ishte i shtruar në gjendje të rëndë në një spital të Gjermanisë dhe kaloi në vdekje klinike pa mundësi rikthimi.
Kanë qenë mjekët, të cilët kanë sugjeruar shkëputjen nga pajisjet që e mbanin në jetë, të autorizuar edhe nga familjarët.
Situata shëndetësore e ish-kreut të shtetit u rëndua pas infektimit të tij me Covid-19, dy muaj më parë. Ai vuante nga një sëmundje autoimune në mëlçi dhe nuk arriti t’i tejkalojë pasojat që Covid i kishte lënë në organizëm.
Më 23 prill, ish presidenti u nis drejt Gjermanisë për mjekim më të specializuar, por nuk arriti të mbijetonte.
Bujar Nishani ka lindur më 29 shtator 1966. Mandatin presidencial e mori në 24 korrik 2012 dhe e përmbylli më 24 korrik 2017.
Ai ka patur kontribut të rëndësishëm në kabinetin e qeverisë Berisha, si Ministër i Brendshëm dhe ministër i Drejtësisë.
Kohët e fundit Nishani u aktivizua me lëvizjen e Sali Berishës dhe mori pjesë në disa prej Foltoreve, si një zë i rëndësishëm që kërkonte ndryshime në Partinë Demokratike.