Me nisjen e kësaj jave, në Komisionin Hetimor që po mbahet në Kuvend për çështjen e mega-skandalit të Inceneratorëve, situata është bërë eksplozive.
Në pamje të parë ky spektakël parlamentarë i radhës (kujtojmë se të gjithë komisionet e tillë kanë dështuar) është dukur sikur më shumë po ngre tymnajë duke shumuar punën e SPAK në këtë drejtim.
Nga shumë komentatorë politik ky komision i ngritur dhe drejtuar nga Partia Demokratike e drejtua nga Lulzim Basha, është konsideruar si sabotues dhe mbulues për të vërtetën. Kësaj hipoteze i kanë mëshuar jo vetëm eksponentë e analistë të Rilindjes por edhe zëra brenda “Shtëpisë së Lirisë” e cila faktikisht ka zëra të rëndësishëm brenda si Belind Këlliçi.
Por dita ditës e veçanërisht që nga kjo e hënë po duket se situata nuk është ashtu si duket.
Kryetarja Jorida Tabaku e mbështetur edhe nga “kundërshtarë” brenda llojit si Belind Këlliçi, po e shtyjnë përpara hetimin dhe duket se e kanë shumë seriozisht.
Vizita e Tabakut në SPAK dhe takimi i saj me “shefin e madh” Arben Kraja, duket se alarmoi përfaqësuesit e Edi Ramës në komision të cilët e kërcënuan kryetaren me kallëzim penal, sepse kishte shkuar e pa-mandatuar prej të gjithë anëtarëve.
Këtë panik e shtoi edhe më shumë një deklaratë e SPAK, sipas të cilës ky institucion ishte i hapur për çfarëdolloj fakti dhe indicie që ndihmon në hetimin e tyre për Inceneratorët.
Me pak fjalë SPAK legjimitoi “Komisionin Tabaku” dhe madje, la për të kuptuar se po ndjek me përparësi çdo dëshmi dhe dokument që del gjatë punimeve të tij.
Po përse kjo javë në komision nisi me kaq tension veçanërisht, nga pala e përfaqësuesve të mazhorancës?
Sepse kjo është java që do të flasin “kokat” e vërteta të kësaj afere: Kryeministri Edi Rama dhe Sekretari i Përgjithshëm i qeverisë, Engjëll Agaçi, Erion Veliaj dhe Arben Ahmetaj.
Në këtë vazhdë e hëna nisi me kryetaren e në detyrë të bashkisë Durrës Emiriana Sako, e cila e ndezi situatën jo vetëm me arrogancën e saj por edhe braktisjen e hetimit parlamentarë.
“Përgjigjen do ta merrini në 6 mars”, (dita e zgjedhjeve në Durrës), ju shmang ajo disa herë pyetjeve decizive, duke nënkuptuar se ne bëjmë ç`të duam përderisa marrim vota.
Pas Sakos edhe pse nuk pati debate çështja e nxeh edhe më shumë, pasi nisi dëshmia e profesor Shkëlqim Cani i cili ka qenë ministër Financash në kohën që nisi kjo aferë.
Kujtojmë se Cani dha dorëheqjen në atë kohë nga posti i lartë për arsye që nuk u mësuan kurrë por që shumë thonë, se kishte të bënte pikërisht me këtë aferë.
Dhe në fakt Cani sot e pranoi nën betim, se kishte qenë kundër ngritjes së Inceneratorit të Elbasanit/alfapress.al











