Irena Progni, anëtare e Këshillit Kombëtar të PD
Të nderuar moçalistë politikë të promovuar pa asnjë lloj kriteri e kontributi, gjithënjë të pakënaqur dhe në llogore lufte, jo me kundërshtarin politik e për fitore, por për karrigen tuaj personale!
Unë besoj se, më së shumti PD humbi zgjedhjet, për shkak të makinerisë shtetërore të rilindjes, që përdori ligjin, forcën, paranë, pushtetin, privilegjet e ç’nuk përdori për të nxjerrë Tom Dosh-a, mbi 83 mijë vota të pavlefshme nga 1,6 milionë votues në total, e lloj lloj skemash me partiçka të dala prej jush, që u bëtë arsyeja e humbjes, gjithashtu.
Ju erdhët nga hiçi, kontribuat një hiç, u pozicionuat me titujt më të rëndësishëm nëpër poste partie e qeverie, dhe sigurisht, vazhdoni të kërkoni rehatinë dhe komoditetin tuaj mbi djersën, mundin e shpinën time.
Ju moçalistë, ndër vite, u bëtë drejtorë e deputetë të përhershëm, kryetarë të pazëvendësueshëm, zyrtarë mediokër, që as teefonin nuk na hapnit, neve, që punuam e duartrokitëm për ju, në naivitet, ndër dekada!
Ju moçalistë u bëtë ministra e presidentë, si kameleonë ndryshuat çehre për interesin tuaj, por jo tonin, neve iu deshëm vetëm për fasadë e mbështetje, dhe për në llogore, anipse ishim pa punë e pa bukë!
Ju moçalistë politikë, që mendoni se, fitorja u vjen nga facebook-u, dhe as familja juaj nuk iu voton, edhe pse rrini të fshehur nën maskën e partisë, demokratët e ndershëm, të papunë e të pabukë, ju njohin si dreqin!
Ju moçalistë politikë, që e dini edhe vetë, që keni marrë e mbani poste të pamerituara, në kurriz të demokratëve të ndershëm shqiptarë, anipse keni veshur kostum e maskë posti, e dini mirë sa grosh vleni, nëse jo, na pyesni ne, që nuk kemi lënë fushatë pa punuar e pa takuar ata, që ju i keni gjobitur rëndë, anipse ju kanë duartrokitur pa dëshirë, të detyruar!
Sigurisht, siç ju në PD ka edhe me qindra e mijëra, që përveç babëzisë për pushtet, nuk ia ndjen për mua, që po shkruaj, e ndonëse kontributi im është disafish më i madh se i juaji bashkë, nuk ua ndjen për ata mijëra demokratë të ndershëm, të pabukë, që vetëm kanë punuar e duartrokitur për ju, e ju kurrë nuk jeni interesuar e pyetur për ta, e kjo nuk ju jep asnjë të drejtë të kërkoni manipulueshëm mbështetjen e tyre!
Unë kam moral t’ju kërkoj juve llogari për kasaphanën e sotme të krijuar prej jush, ndërsa ju nuk keni e nuk mundeni të më kêrkoni llogari mua dhe as një demokrati të vërtetë!
PD jemi ne, PD është gjaku dhe djersa jonë!
PD janë demokratët e ndershëm, që ju i keni shkelur e harruar qëllimisht, lënë e harruar në hije qëllimisht, sepse keni funksionuar si leva a mjete të pushtetit për paranë tuaj dhe jo për mirëqenien e demokratëve dhe as të shqiptarëve të ndershëm, që sot ndjehen pa parti e pa atdhe, prej jush të nderuar moçalistë politikë!