REDAKSIONALE
Siç edhe pritej, rezultati sado i deformuar i zgjedhjeve të këtij viti po kërkon mandatin e Lulzim Bashës në tavolinë. Megjithëse kritikët e Bashës kanë gjetur kohën më të papërshtatshme, duke terguar një papjekuri politike, tezat e tyre për dorëheqjen e Bashës gjejnë peshë në publik. Sidomos, në publikun e majtë dhe mbi të gjitha në mediat pranë pushtetit që do të përkëdhelin sedrën e tyre.
Gjithsesi, tentativa e tyre politike për t’i zënë vendin Bashës edhe pse e ngritur mbi bazat e demokracisë brenda partisë nuk është dhe aq demokratike. Kjo jo sepse ne besojmë se Basha duhet të vazhdojë të jetë kryetari i PD sepse ai nuk ka pasues, madje as se nuk shohim pasues në PD. Por, pasi puna e Lulzim Bashës në krye të PD duhet të vazhdojë deri në zgjedhjet brenda partisë që do zhvillohen në verën e këtij viti.
Ndërkohë që argumentet e tjera të kandidatëve apo grupimeve në PD për të marrë postin e kryetarit janë shpeshherë të pavlefshme. Pretendimi se Lulzim Basha nuk mund të përthithë elektoratin e djathtë për të votuar PD rezulton i pasaktë sipas të dhënave nga KQZ ku PD ka rritur shifrat e votuesve të saj dhe njëkohësisht mandatet e deputetit. Vetë në qarkun e Tiranës, ku është dhe numri më i lartë i deputetëve, PD ka mundur të përthithë më shumë votues dhe të rritet me 4 deputetë. Edhe në qarkun e Elbasanit që njihet për veçantinë e tij dhe drejtimin nga bota e krimit të organizuar PD ka mundur të marrë një rezultat tejet pozitiv me mundësitë dhe mjetet në dispozicion.
Por, argumenti i demokracisë brenda partisë është gjithashtu tejet i rëndësishëm në aspektin e funksionimit të një partie. Mirëpo edhe në këtë pikë kundërshtarët e Bashës nuk janë të qartë dhe të sinqertë. Kërkesa e tyre për dorëheqjen e Bashës nuk është e bazuar mbi statutin e PD por mbi dëshirën e tyre për të shmangur një garë brenda partisë me kryetarin aktual. Ky i fundit në sytë e demokratëve është shumë më pranë se sa pjesa tjetër e kandidatëve potencialë. Këto të fundit deri më tani nuk kanë ofruar asnjë alternativë konkrete dhe koherente për të shmangur problemet themeltare që ka hasur PD.
Këtu duhet të veçojmë se gabimet që ato i mveshin Bashës apo dhe kritika që kanë karshi akteve të tij politike nuk mund të jetë e mjaftueshme për të deklaruar se ato kanë një alternativë të besueshme. Jo, ato dëshirojnë që kritikën e tyre ta veshin si një plan të tyre politik. Kështu përpiqen të kamuflojnë mungesën e një plani se çfarë duan të bëjnë me PD dhe mbi të gjitha si duhet ta bëjnë këtë pjesë. Për rrjedhojë sot nuk kanë asnjë alternativë se si duhet të sillet PD me problemet e përdorimit të shtetit për të blerë votën dhe jo vetëm.
1. Si duhet të sillet Lulzim Basha?
Shqipëria është futur në një proces të vështirë pas zgjedhjeve të 25 prillit. Këto kanë qenë një palë zgjedhje që nuk prodhuan zgjidhje por çuan në një fazë tjetër ngërçin politik dhe me gjasë institucional. Përdorimi i të dhënave shtetërore të e-albania nga PS dhe gjithashtu provat e qarta për blerjen e votave dhe manipulimin apo dhunimit të vullnetit të votuesve janë shenja të një mazhorance që nuk mund të prodhojë politika në favor të shqiptarëve.
Rama e ka të qartë që abuzimet janë aq të qarta saqë edhe diskrecioni i tij në blerje dhe abuzime nuk e mbulojnë dot krimin elektoral. Ndaj ai ka nisur të përdorë marifetet e manualit të pushtetit autoritar. Ftesa e tij për PD është një kërkesë mëshire dhe falje që ai i kërkon Bashës dhe deputetëve të PD. Një ftesë që dukshëm do të fitojë kohë dhe njëkohësisht të drejtojë sytë jo më nga fajtori që është ai por nga Basha që me gjasë do të sulmohet në rast të rënies në këtë diskurs publik.
Kryetari i PD, është i detyruar të vazhdojë betejën e tij për të vërtetuar dhe për të dëshmuar përditë krimin elektoral. Jo vetëm për ta bërë publike por për t’ia ngulitur në kokë shqiptarëve dhe mbi të gjitha faktorit ndërkombëtar se të qendruarit në krah të Ramës është një turp i pashlyeshëm jo vetëm në afatshkurtër por edhe në CV e tyre afatgjatë.
Sakaq, beteja e tij për të demokratizuar PD duhet të vazhdojë duke nisur që me zgjedhjet brenda PD-së. Mbi të gjitha nëse ai do të fitojë zgjedhjet e brendshme në PD, duhet të vazhdojë të modernizojë një parti politike që për të zhbërë vrasësit elektoralë brenda PS duhet të jetë skrupuloze dhe gjakftohtë. Pa harruar në këtë pikë edhe mesazhet në komunikimin publik.
Ajo që u vërejt këtë periudhë ishte aftësia e Bashës për të qenë korrekt edhe serioz në komunikimin publik. Por kjo duhet të vazhdojë edhe më tej, pasi PD në këto 8 vite ka qenë shpesh e pavendosur për strategjinë publike dhe gjithashtu jo rrallë kanë shpëtuar nga vëmendja publike skandale të shumta që ka zbuluar ajo në parlament. Një qasje e tillë do ta ndihmojë jashtëzakonisht shumë edhe në zgjedhjet e radhës, mbi të gjitha për të bindur publikun e pavendosur për problemet reale të qeverisë.
2. A duhet të bashkëpunojë PD me Ramën?
Opozita në Shqipëri është një institucion që nuk ka mundësinë të ketë pushtet politik si pasojë e mungesës së pavarësisë së institucioneve të tjera. Paditë e depozituara në SPAK në lidhje me mbi 100 raste të blerjes së votës u shumëzuan me zero ndërkohë që drejtorë e funksionarë të qeverisë abuzonin haptazi me funksionin e tyre publik sepse kishin një siguri ekstra që nuk do të hetoheshin.
Kjo do të thotë që edhe nëse opozita nesër mund të ngrejë komisione hetimore për këto probleme, sërishmi SPAK mund të shumëzojë me zero paditë që komisioni mund të dërgojë në zyrat e tij. Për rrjedhojë e vetmja mënyrë që opozita të bashkëpunojë është që të përfitojë pushtetin politik të munguar brenda institucioneve të kushtetutës.
Mjetet e qeverisë në favor të saj janë të pafundme për një demokraci kaq të brishtë sa e jona. Reforma administrative ka qenë vrastare për demokracinë vendore duke sajuar një gerrymandering në kurriz të demokracisë dhe jo vetëm. Andaj është jetike një rindarje e re administrative territoriale dhe gjithashtu një logjikë e re për pushtetin vendor që nuk duhet të centralizohet.
Kështu të vetmet rrugë të një bashkëpunimi është rishikimi në bazë të një vullneti për të rikthyer demokracinë dhe kontrollin realisht në diçka funksionale. Vetëm kështu opozita do të ketë mundësi dhe shanse të konkretizojë punën e saj politike. Në të kundërt ajo do të detyrohet të ndërmarrë veprime drastike dhe të dhunshme për demokracinë pasi vetë jeta e saj politike rrezikohet.
Të mos harrojmë që akti i djegies së mandateve sado i nxituar për disa erdhi si pasojë e shkatërrimit të parimit të demokracisë parlamentare. Një akt që erdhi pasi mazhoranca i mohoi një të drejtë të thjeshtë kushtetuese ajo e ngritjes së komisioneve parlamentare.
Shqipëria sot ka nevojë për një demokraci funksionale dhe shtet ligjor. Kjo do të jetë e mundur me një opozitë dhe me një grup parlamentar të përgjegjshëm. Pesha e qeverisjes është ironikisht në duart e opozitës, artikulimi i saj dhe mënyra se si do të riorganizohet do jenë shenjat e asaj që qeveria do të duhet të përballet shumë shpejt.