Lëvizja Vetëvendosje ka fituar thellë zgjedhjet në Kosovë dhe do të formojë qeverinë e ardhshme.
Sipas rezultateve të publikuara nga Komisioni Qendror Zgjedhor, kur janë numëruar 88.7% të votave, pa llogaritur votat me postë dhe pa votat me kusht, Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit ka siguruar 47.79% të votave, duke shënuar fitore mjaft të thellë.
PDK-ja e Enver Hoxhajt, është partia e dytë, me 17.3% të votave.
Ndërsa LDK-ja e Isa Mustafës dhe Avdullah Hotit, ka marrë një rezultat dërrmues duke u mposhtur për herë të parë në bastionin e saj, Istogun e Ibrahim Rugovës. Vetëvendosje ka fituar bindshëm edhe Prishtinën, të cilin LDK-ja e ka udhëhequr në disa mandate.
LDK ka marrë vetëm 13% të votave të përgjithshme. Ky është rezultati i saj më i dobët ndonjëherë, dyfish më i ulët se në zgjedhjet e para një viti e gjysmë.
Albin Kurti flet pas fitores: Nuk do të ketë hakmarrje, na pret shumë punë e angazhim!
“Qytetarët sot u bënë bashkë dhe morën pjesë masivisht në zgjedhje dhe u vërtetua vullneti i qytetarëve. Me orë të tëra kanë qëndruar në acar dhe kanë udhëtuar me orë të tëra për të votuar. Ky referendum u fitua .është dicka e pashembullt në Kosovën e pasluftës. Dua të falënderoj të gjithë qytetarët që kanë votuar sot. Dua të falënderoj te gjithë komisionerët dhe aktivistët që u angazhuan që të kemi një proces të mirëfilltë motiv. Dua të falënderoj mërgatën për mijëra kilometra të udhëtuara, për qindra euro të shpenzuara vetëm që të kryejnë obligimi ne tyre e të votojnë.
Me veprimin tuaj e keni treguar dashurinë për atdheun e juaj. Dua të falënderoj policët të cilët qëndruan për orë të tëra në gatishmëri në këtë proces. Dhe dua të falënderoj edhe ata që i dua më së shumti, aktivistët e VV’së. Dua të falënderoj edhe kundërshtarët. Pa ta nuk ka kuptim demokracia. Na pret shumë punë e angazhim. Rruga përpara është e gjatë dhe do të ketë pengesa, do të bëjmë ndonjë gabim por qëllimin e kemi fisnik. Nuk do të hakmerremi ndaj askujt por do të kërkojmë përgjegjësi. Kjo ditë do të mbahet mend nga gjeneratat që do të vijnë si ditë kur fitorja u erdhi qytetarëve”, deklaroi Kurti.
Vjosa Osmani: Kosova do të ndryshojë, është koha për një kapitull të ri!
“Nëse ka ende që mendojnë se vështirë bëhen ndryshimet, fitorja jonë është përgjigja më e sinqertë. Qytetarët e Kosovës e ndëshkojnë keqqeverisjen, e dinë kur është mjaft e kur është koha për kapitull të ri. Kosova do të ndryshojë. Do të zhvillohet duke krijuar mundësi të barabarta për të gjithë”, ka thënë ndër tjerash ajo.
Albin Kurtin e ka uruar edhe kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, i cili shprehet se do të bashkëpunojë ngushtë me fituesit e zgjedhjeve.
Basha: Procesi i zgjedhjeve në Kosovë, shembullor dhe me standarde evropiane.
Do të jem i lumtur të bashkëpunoj ngushtësisht me qeverinë e re të Kosovës, si sa i përket proceseve të integrimit euroatlantik dhe vijimit të njohjeve ndërkombëtare, ashtu dhe për zhvillimin ekonomik të të dy vendeve tona.
Urime VV, Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit për fitoren e zgjedhjeve. Kosova ka sfida të mëdha përpara. Jam i bindur se partia fituese e zgjedhjeve dhe partitë e tjera do të arrijnë ti adresojnë dhe zgjidhin ato në të mirë të qytetarëve të Kosovës”, shkruan Basha.