Nga Lirim NEZHA
Unë nuk e njoh nga afër Bujar Leskajn,nuk e kam takuar kurrë e aq më pak të kem qënë krah tij nëpër beteja elektorale. Madje,për shkak të largimit tim nuk pata mundësinë as këtë herë ta njoh e të punoj bashkë me të për të dhënë kontributin e për të përbashkuar votat që me shumë gjasa do të rikthejnë PD-në në qeverisje.
Kësisoj nuk jap dot mendim për të shkuarën e tij,por po përpiqem ta ndjek në këtë fushatë jo të lehtë elektorale në qarkun e Vlorës,aty ku ai është drejtues politik i qarkut,por sidomos i degës Vlorë,një dege që për hir të së vërtetës këto vitet e fundit u çmontua keq si një lodër e rënë në duar fëmijësh plangprishës.
Gjithsesi kam dëgjuar fjalë të mira për mënyrën se si po punon e si po përpiqet ta rindërtojë makinerinë elektorale duke kërkuar andej këndej copat e pazëllit të shpërbërë për ta bërë makinën të funksionojë e pse jo të marrë një rezultat të kënaqshëm çka do të jetë edhe si barometër për rezultatin final në të gjithë Shqipërinë.
Dikush mund të më thotë se pasi që jam larguar nuk kam të drejtë të komentoj e aq më pak të thumboj. Por ja që unë ja njoh vetes këtë të drejtë si pjesë të pa ndarë të lirisë time që nuk e këmbej me asgjë. Ma jep këtë të drejtë prania ime në betejat e njëpasnjëshme elektorale që kam zhvilluar prej 30 vjetësh me Partinë Demokratike. Unë nuk kam heshtur as kur isha përkrah tyre e as kur u përpoqën të më shtynin të isha përballë.
Nuk isha kurrë përballë sepse nuk mund të isha për shkaqe emocionale dhe parimore që nuk kanë lidhje me interesa të ngushta,por me integritetin tim moral.
Edhe sot,nga emigrimi ku më çoi sa presioni i pushtetit,po aq edhe brrylat e të ngjashmëve opozitarë,sikundër vihet re lehtë,unë nuk bëj dot ndryshe,përveçse t’i qëndroj sa mundem përballë regjimit të rilindjes dhe të jap sa të mundem në shërbim të kauzës së Partisë Demokratike.
Sepse Partia Demokratike për mua është frymë dhe jo thjesht ca individë që ikin e vijnë si produkt kleringu politik.
Eshtë pikërisht kjo arsyeja që e ndjek politikën,sidomos atë çfarë ndodh në qytetin tim dhe më vjen mirë që të paktën në dukje,ka një frymë që do të mund të konvergojë votat e demokratëve dhe jo vetëm ,në thesin elektoral të opozitës për të larguar të keqen e madhe,rilindjen.
Kur kjo të ndodhë,me siguri nuk ndodh prej atyre që kanë vënë shishet në radhë për qumështin e pushtetit. Ata,sapo ta ndjejnë se nuk u vjen radhe e spostojnë shishen në një tjetër radhë.
Nëse kjo ndodh,natyrisht që i atribuohet demokratëve dhe simpatizantëve të Partisë Demokratike,por po aq edhe drejtuesit politik Bujar Leskaj.
Ndaj uroj me shpirt që Partia Demokratike të rikthehet në vlerat e saj dhe të jetë sikundër meriton,një forcë qeverisëse europiane.











