Viti që lamë pas u shënjua nga ngjarjet ndoshta më të pazakonshme. Për ne shqiptarët, barrës së madhe të pandemisë, i parapriu edhe fatkeqësia e tërmetit. Por edhe 2021 ka nisur disi çuditshëm.
Ndoshta të lodhur nga kufizimi i lirisë dhe qëndrimi brenda në periudha të gjata për gjatë 2020, si kurrë ndonjëherë pasditja dhe mbrëmja e 1 janarit të këtij viti ishte më e gjallë se kurrë.
Sheshi “Skënderbej” në kryeqytet ishte plot me njerëz, ndërsa në rrugë trafik mbytës.
Këtë e justifikon ndoshta edhe fakti se ndërrimin e viteve nuk e pritën dot jashtë mbrëmë për shkak të kufizimit të orarit të lëvizjes por edhe motit me shi që nuk ishte aspak i favorshëm.
Hedhjen e përvitshme të fishekzjarreve në qendër të kryeqytetit patën fatin ta shijonin live vetëm uniformat blu dhe gazetarët e terrenit që raportonin në media atmosferën e ndërrimit të viteve.




















