Nga Skender Doçi
Jo pa qëllim vendosa titullin “Individi dhe shteti“ dhe jo “Shteti dhe individi”.
Si për shtetin ashtu edhe për individin ka definicione të ndryshme që varen nga natyra e këndvështrimit nga i cili nisesh që janë, historik, sociologjik, filozofik dhe politik. Për më tepër, konceptimin dhe shpjegimin e termave të lartpërmendur e bën edhe më interesant e të larmishëm ndryshimi i të shprehurit dhe përmbajtjes që sintetizojnë sociologët, historianët, filozofët dhe politikanët e ndryshëm përgjatë historisë njerëzore e deri në ditët tona.
Një gjë është e qartë, të gjithë ata që hodhën konceptet e para mbi shtetin, e ndërtuan atë dhe ushtruan funksionet e tij përgjatë historisë njerëzore, si për mirë ashtu edhe për keq, kanë qenë individ ose grupe të përbëra po prapë nga individë. Është i njëjtë me ndërtimin e organizmit tek njeriu, ku qenia dhe ekzistenca e tij si krijesë e gjallë ka për bazë qelizën.
Në qoftë se shtetin do ta quanim një dinasti konceptuale të finalizuar dhe garantuar nga kushtetuta e deri tek rregullorja më e thjeshtë, pavarësisht natyrës se tij është sajuar dhe ndërtuar nga njeriu.
Ndërsa njeriu në vetvete “individi”, është një krijesë e Zotit, e cila lind jeton dhe vdes si një qenie e lirë e pavarur dhe unike. Shteti, qeveria, politika dhe shkenca janë perceptime dhe konceptime të njeriut, ku të gjitha së bashku nuk bëhet fjalë të krijojnë qoftë ëshë një gjallesë të vetme, pa lëre pastaj “një njeri”. Mund të shkatërrojnë shumë njerëz apo një njeri, ta dhunojnë edhe ta vrasin, por kurrësesi nuk mund ta krijojnë atë. Si rezultat i atyre që thamë me lart, çdo organizim apo përpjekje që nuk i shërben “individit” në sensin pozitiv të interesave të tij, pavarësisht fushës dhe natyrës së saj është e dëmshme për shoqërinë në tërësi ose rasti më i mirë është kot.
Marrëdhënien më të rëndësishme përgjatë gjithë jetës së tij, si për mirë ashtu edhe për keq individi e ka me shtetin. Në një shtet demokratik të sanksionuar me kushtetutë dhe ligje, gjithmonë në mes individit dhe shtetit qëndron qeveria me të gjitha institucionet dhe punonjësit e saj nga i pari deri tek i fundit.
Standarti dhe natyra e marrëdhënjeve që ndërtohet dhe reflektohet në këtë “binom”, është modeli që përçohet edhe në marrëdhënjet midis individëve dhe grupeve të ndryshme shoqërore të të gjitha kategorive. Pra, në një farë forme është gjithçka për një shoqëri të lirë dhe të denjë.
Më lejoni këtu, të theksoj edhe një herë disa nga shprehjet e mia, lidhur me konceptin e mësipërm:
Shteti demokratik i së drejtës e konsideron individin të rëndësishëm dhe të fuqishëm sa vetë shtetin.
Ligjet dhe rregullat që lidhen me liritë dhe të drejtat e individit, janë përtej Biblës dhe Kuranit.
Udhëheqësi i mirë çliron dhe motivon energjitë e individit.
Ligjet dhe rregullat e shtetit, nuk i ka më afër dhe më të sajat qeveria sesa individi.
Kush vjedh në shtet, ka prekur në xhepin e secilit qytetar dhe është hajdut gjithandej.
E drejta dhe liria, janë dy shërueset më të mëdha që ka njohur ndonjëherë shpirti i njeriut.
Askush nuk mund të përdor funksionin që kryen, epërsinë sociale apo shoqërore si shkarpë për të qëlluar apo denigruar individin, reputacionin, personalitetin dhe familjen e tij.
Kam dëshirë të theksoj, apo me saktë të bëj një sqarim të vogël lidhur me shkrimet e mia.
Qëllimi nuk është aspak që ti ngarkoj qerren këtij apo atij kahu politik apo përfaqësuesve të qeverive në të kaluarën ose në kohën aktuale. Nëpërmjet disa shkrimeve unë pikësëpari dëshiroj të shprehë mendimet e mia personale dhe ti ndaj ato me lexuesit që më ndjekin, të cilët gjej rastin ti falenderoj. Në të njëjtën kohë jam përpjekur dhe do përpiqem të ndërgjegjësoj (ata që më ndjekin), lidhur me konceptet dhe rrugën në të cilën unë mendoj se duhet të drejtojmë vëmendjen, përpjekjet dhe energjitë tona si qytetarë, për të ndërtuar një shoqëri të lirë dhe një shtet demokratik në themelin e të cilit gjendet individi i lirë dhe interesat e tij legjitime.
Unë nuk marr përsipër të bëj vlerësimin apo kritikun e kaheve politike në Shqipëri, as dallimin që ekziston mes tyre përsa i përket natyrës së qeverisjes vendit përgjatë këtyre viteve të demokracisë, aq më tepër nuk pretendoj të bëj teoricientin apo shenjtin, thjeshtë shpreh mendimet e mia.











