Të jesh deputet, do të thotë të sakrifikosh kohën tënde dhe të familjes tënde dhe t’a vësh atë në shërbim të qytetarëve të tu:
Të jesh deputet do të thotë, që halli dhe shqetësimi yt dhe i familjes tënde të dalë në vend të dytë, e prioritet të marrë shqetësimi i atyre mijërave qytetarëve, që të besuan ty:
Të jesh deputet do të thotë, të mos të të zërë gjumi nëse nuk ka arsimin e duhur, shëndetësinë e duhur, nuk ka rrugë, nuk ka shkollë, çerdhe e nuk kanë shërbimin e duhur qytetar, ata, që të votuan ty:
Të jesh deputet do të thotë, të jesh shërbëtor i mirë, i denjë, të mos kesh turp t’i shohësh qytetarët e tu në sy, të mos çjerrë makina jote, ora jote, veshjet e tua, llogaritë e tua bankare, shkollimi i fëmijëve të tu, tenderat e tua, bizneset e tua, vilat e apartamentet e tua, pasuria jote e pajustifikuar, shpirtin e vrarë të së shkuarës së qytetarëve të tu, por as të sotmen dhe as frikën e radhës për të ardhmen e tyre:
Të jesh deputet, do të thotë t’mos iu kesh borxh qytetarëve, të çfarëdo bindjeje politike qofshin ata, asnjë lloj borxhi, përkundrazi, të mbjellësh besim dhe shpresë;Të jesh deputet do të thotë, të kesh marrë përgjegjësi në jetën tënde, të kesh eksperiencë pune mjaftueshëm e të kesh kaluar suksesshëm sistemet e vlerësimit të performancës individuale:
Të jesh deputet do të thotë të kesh kontribuar për atë forcë politike, që garon, të mos e kesh abandonuar sa herë interesi yt personal të ka thirrur, të kesh bërë opozitë të shëndetshme edhe kur ka munguar shpresa, edhe kur ka mbizotëruar frika, edhe kur të ka munguar buka për fëmijët e tu, dhe me krenarinë e forcës dhe dinjitetit ke protestuar, ke bërtitur, ke mbajtur qëndrim, ke sakrifikuar:
Të jesh deputet i djathtë duhet të kesh vizion të djathtë, qëndrim të djathtë, arsyetim të djathtë, ide të djathta, në mënyrë që shqiptarëve t’ju ofrosh zgjidhje, t’ju japësh besim, sepse e djathta është ndryshim:
Të jesh deputet do të thotë, të mos e njohësh abuzimin, allishverishin, servilizmin a shit – blerjen e besimit, të postit, të titullit;Të jesh deputet do të thotë, të mos fshehësh pasuritë me makinacione të shëmtuara, por të kesh kurajo të jesh vetvetja:
Të jesh deputet do të thotë të kesh besim në Zot, të kesh frikë Zotin, të duash familjen e të duash njerëzit:
Të jesh deputet nuk do të thotë të jesh patjetër doktor shkencash, por e rëndësishme është të jesh njeri, që ecën me dinjitet nëpër hapësirat njerëzore, si një njeri i lirë, i bardhë dhe, që mbjell diell!











