InfoPressAlbania
  • KREU
  • Artikuj
  • Opinione
  • Politikë
  • InfoPress
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Lifestyle
  • WEB TV
  • Të ndryshme
    • Aktualitet
    • Lajme
    • I përzgjedhur
    • Sociale
    • Shëndetësi
    • Histori
    • Kulturë
    • Kuriozitete
    • Horoskopi
    • Show Biz
No Result
View All Result
InfoPressAlbania
  • KREU
  • Artikuj
  • Opinione
  • Politikë
  • InfoPress
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Lifestyle
  • WEB TV
  • Të ndryshme
    • Aktualitet
    • Lajme
    • I përzgjedhur
    • Sociale
    • Shëndetësi
    • Histori
    • Kulturë
    • Kuriozitete
    • Horoskopi
    • Show Biz
No Result
View All Result
InfoPressAlbania
No Result
View All Result
Home InfoPress

Mister “pupuliti” – nga Flutura Açka

20 Maj, 2020
in InfoPress, Opinione
A A

Dje rastësisht më zuri syri një video të vizitës së Kryebashkiakut të Tiranës në një familje shqiptare, nga ato të shpeshtat e stilit “plagium” të tij, për të cilat jo shumë dekada më parë dënoheshe në Itali.

Pasi e kishte hequr maskën e tij të shtrenjtë FFP2 (apo FFP 3, të cilën po ta vesh në Europë sot në publik, gjobitesh, sepse ruhen vetëm për ekipet mjekësore që përballen drejtpërdrejt me Covid-19), me një tortë në dorë, tek përqafonte zonjën e mirë të shtëpisë që po vizitonte, i foli edhe për Teatrin Kombëtar dhe i kërkoi asaj miratimin popullor të shembjes dhe madje shakatoi me të edhe me zhurmën që kishte bërë Teatri Kombëtar tek “thyente hundën” para forcës së tij, mu ashtu siç meritojnë ndërtesat e shëmtuara.

Madje shtoi me sigurinë prej “Alice and Bob” se asnjëri prej atyre që janë kundër shembjes, nuk kanë qenë ndonjëherë në teatër! Po i fliste një njeriu, që jo për faj të saj, mund të mos kishte qenë ndonjëherë në teatër dhe as e dinte se ç’është teatri si koncept, si një nga helikat e padukshme të ADN-së së njerëzimit.

Një natë më parë e kisha parë në një studio me një copë pupuliti në dorë tek kafshonte ajrin që nxirrte nga nxitimi se mos i harronte justifikimet që do të përdorte për gjëmën që i kishte bërë teatrit, në një nga ato show të mbrëmjes ku thirren shpesh për t’u pastruar politikanë që në mëngjes janë në shkallët e gjykatës a në derë të prokurorisë e ku kanë rast të kërcënojnë gazetarët.

I foli asaj nëne të mirë me një ngazëllim të paparë, a thua se po vinte drejt e nga ceremonia e inaugurimit të Teatrit të ri Kombëtar. Por atë që nuk i tha asaj nene – e cila argëtimin ka vetëm televizorin dhe hyn tek ata që mendojnë se ata që dalin në televizor janë burra të mirë – ishte se deri te dita e krimit të shembjes së Teatrit, ai kishte bërë disa krime të vogla dhe të mëdha njërin pas tjetrit. Se kishte nisur emisarë prej muajsh e muajsh me fletushka nëpër festivalet teatrorë për të intimiduar aktorë që të firmosnin kundër teatrit.

Se bashkë me vrapin për shembjen e teatrit, kishte nisur një fushatë personale mjalti me ata që besonte se mund t’i blinte, se i thërriste për kafe e dreka nëpër saletet e fshehta të një hoteli të njohur në qendër, u blinte dhurata, mbase edhe ndonjë zarf.

Se kishte nisur një fushatë të tërë përçarjeje dhe denigrimi për kundërshtarët, se kishte kurdisur një aparat të tërë malinj që të rrëmonte të kaluarën, familjen, fisin, miqësitë, prejardhjen, gratë, dashnoret, deftesat e shkollave, dëshmitë e penalitetit, gjithçka që ai duket se e ka mjeshtri për të ndërtuar alibitë e tij, për të përbaltur “armiqtë” që vendosën të qëndrojnë dhe të mos shiten. Nuk i tha asaj nëne të mirë se ishte betuar para shefit të tij të bënte dorëzaninë për ta shembur Teatrin Kombëtar, por me kushtin që ai të ishte atavizma e shefit të tij në politikë.

Nuk i tha se kishte përdorur qindramijë policë të të gjitha skuadrave, skuadrileve e strukturave që njihen në këtë vend kundër një grushti artistësh e njerëzish të paarmuar që nuk mendojnë si ai. Nuk i tha se kishte shkruar natën si cubat, si kusarët për ta zënë në grackë ndërgjegjjen dhe psikikën e aq njerëzve të lidhur si me frymën e tyre me atë teatër.

Nuk i tha se kishte thirrë orën e tij të ligë për të tërhequr zvarrë një grusht idealistësh që kishin filluar ta donin atë ngrehinë më shumë se shtëpinë e tyre, pikërisht se ishin trembur të mos e humbnin. Nuk i tha asaj nëne se nuk kishte pritur të gdhihej mirë për të dalë e folur e për të bërë protagonistin edhe në një ditë të tillë zie për kulturën dhe historinë shqiptare.

Nuk i tha asaj nëne se për herë të parë në atë broçkullitje të radhës të mbushur me gënjeshtra, mesazhet që e kishin shoqëruar online kishin qenë të gjitha negative, absolutisht negative.

Nuk i tha se për herë të parë edhe ata njerëz që ishin mësuar të hapnin statuse anonime, që hynin dhe i bënin fërtele kundërshtarët e tij, atë ditë ishin topitur, pasi edhe ata ishin mërzitur, sikur zogjtë, sikur pemët, sikur gurët e atij teatri në të gdhirë të asaj të diele vaji.

Nuk i tha asaj nëne se po atë ditë në një nga gazetat me të mëdha europiane akti i tij ishte quajtur “akt nazist” dhe se i kishte shqetësuar ata europinët që nuk harronte t’i doroviste me pemë të ngulura kuturu në emër të tyre. Nuk i tha se kishte gënjyer duke thënë se shembja e Teatrit Kombëtar ishte vendimi më i vështirë i jetës së tij, aq i vështirë sa nuk kishte pritur as dhjetë ditët ligjore për ta shembur.

Nuk i tha asaj nëne se sa gjurmë të pista kishte lënë tek nxitonte për t’ua prishur shtëpinë artistëve, nga të cilat as Zoti nuk e shpëton dot më, sigurisht nëse ka drejtësi diku. Se i kishte shtyrë kompanitë celulare që të shkelnin të drejtat e njeriut dhe t’ua këputnin valët asaj shpure artistësh të zënë në grackë atë natë. Se një ditë më parë kishte folur për mola dhe krimba që po ia hanin vlerën e çmuar brenda teatrit, por që të nesërmen i zuri pa kurrfarë dhimbjeje nën rrënoja.

Nuk i tha se kishte pritur një çast shkujdesjeje të Opozitës për ta shembur dhe se nëse nuk ia gjente anën Opozitës, e cila deri tani vetëm i kishte hedhur ca shashka, atëhere po, mund të kishte probleme me gjithë këto marifete prej marifetçiu “që nuk ia hedh njeri” (siç i përbetua para copës së pupulitit që e kishte marrë me vete në studio).

Nuk i tha se mund ta kishte punën pisk nëse Opozita bënte një premtim publik për ta çuar deri në fund drejtësinë ndaj inkuizitorëve të Teatrit Kombëtar. Nuk i tha se ka një mik “armik të popullit” që rreh, dhunon, zvarrit, helmon, verbon shqiptarët që protestojnë, pasi ka pirë edhe ai “drogën e pushtetit”.

Nuk i tha se ai parku që pretendon se ka bërë brenda parkut të madh, ia nxorri kallp Koronavirusi, ngaqë nuk i hyri kujt në punë, siç do t’i kishte hyrë po të kishte bërë me ato miliona parash dhjetëra parqe të vegjël mes pallateve. Nuk i tha se ai sheshi që lëvdon prej ngrehaluci, është i vetmi në llojin e tij për një kryeqytet europian, i tillë, që ditën i duken zorrët mes ferrave dhe natën nuk kalohet prej mungesës së dritave nëpër shkurrishtat.

Nuk i tha asaj nëne të mirë se tek ai stadium që ai e shet si koloseun e Tironës, edhe bari refuzon të mbijë dhe është një ndërtim ndër më agresivët e ndërtuar ndonjëherë.

Nuk i tha se kishte fyer me një cinizëm të pacak Europa Nostra-n si njëfarë OJF-je pa rëndësi, duke harruar se prej njërës së atyre gjërave pa rëndësi na kishte mbirë edhe ai në derë ne shqiptarëve. Nuk i tha se nën rrënojat e teatrit kishte mbetur edhe flamuri shqipar që qëndrestarët e mbanin përherë aty. Sa gjëra nuk ia tha dot asaj nëne të mirë ai.

Sepse, sikur ta kishte bërë këtë, ajo do t’i kishte thenë: “Po të paska dalë kallaji, mor djalë!”. Ose, ose sipas gjuhës së preferuar të tij dhe të shefit të tij: “Të paska dalë pupuliti, mor djalë!”.

Pas këtyre gënjeshtrave që i tha asaj nëne, ajo u ngrit dhe i bëri një kafe bojëkafe, sepse ajo e di se kafet e zeza duhen vetëm për të mbledhur zemrën, dhe ky “çun garip” nuk kishte bërë asgjë për të qenë i pikëlluar, edhe pse kishte pikëlluar me egon e pushtetit të tij të pakontrolluar, me pangimjen e përjetshme të mafiozëve, me përuljen latyritëse ndaj shefit, me sigurinë diabolike të plebeut, me mijëra e mijëra e mijëra shqiptarë.

Imazhi mund të përmbajë: 1 person, tekst

Të Lidhura

 “Merr si pushkë jevgu”/ Nga një shprehje e vjetër te një ndërgjegje e re
Opinione

 “Merr si pushkë jevgu”/ Nga një shprehje e vjetër te një ndërgjegje e re

1 Prill, 2026
Nga Denada Isa: Fuqia e një femre në një botë që nuk e kupton gjithmonë
Opinione

Nga Denada Isa: Fuqia e një femre në një botë që nuk e kupton gjithmonë

28 Mars, 2026
Nga Eva Vatoci: Çfarë po ndodh me shoqërinë tonë?
Opinione

Nga Eva Vatoci: Çfarë po ndodh me shoqërinë tonë?

25 Mars, 2026
Nga Albi Lushi: Xhuana, pasqyra e një shoqërie që ka harruar të jetë njerëzore
Opinione

Nga Albi Lushi: Xhuana, pasqyra e një shoqërie që ka harruar të jetë njerëzore

12 Mars, 2026
Nga Denada Isa: “Po e vrasim gjuhën tonë çdo ditë?”
Opinione

Nga Denada Isa: “Po e vrasim gjuhën tonë çdo ditë?”

3 Mars, 2026
Nga Milaim Nela: Dy “vëllezërit” (Rama-Vuçiç), “shantazhojnë” Gjermaninë dhe Europën
Opinione

Nga Milaim Nela: Dy “vëllezërit” (Rama-Vuçiç), “shantazhojnë” Gjermaninë dhe Europën

28 Shkurt, 2026

TË FUNDIT

Reuters: Të dhënat satelitore tregojnë se Toka po bëhet gjithnjë e më e ndritshme natën
Të ndryshme

Reuters: Të dhënat satelitore tregojnë se Toka po bëhet gjithnjë e më e ndritshme natën

10 Prill, 2026

Horoskopi për ditën e sotme, 10 prill 2026
Horoskopi

Horoskopi për ditën e sotme, 10 prill 2026

10 Prill, 2026

Temperatura deri në 40 gradë, njihuni me parashikimin e motit për sot
Aktualitet

Kthjellime e vranësira kalimtare, si parashikohet MOTI për ditën e sotme

9 Prill, 2026

Soni Malaj habit publikun: Jetoj ende me ish-bashkëshortin në të njëjtën shtëpi
Show Biz

Soni Malaj habit publikun: Jetoj ende me ish-bashkëshortin në të njëjtën shtëpi

9 Prill, 2026

"InfoPressAlbania", është një media e re online, e lançuar më 04 Nëntor 2018. Synimi i "InfoPressAlbania" është informimi në kohë reale i ngjarjeve, por edhe zhvillimeve të tjera nga politika, showbiz, sport, kulturë, etj. Moto e "InfopressAlbania" është: Lajmi vjen tek lexuesit përmes këndeve të ndryshme të vëzhgimit. Ne hulumtojmë përtej lajmit për të shpalosur për lexuesit të vërtetën. E veçanta e InfoPressAlbanai qëndron në promovimin e "Modeleve të Suksesit" të bizneseve dhe individëve në fusha të ndryshme, që me shembullin e tyre janë motivues për gjithsecilin. I përkushtuar për të ofruar një mbulim origjinal konstant në të gjithë Shqipërinë mbi fushat e lartpërmendura, InfopressAlbania, synon gjithashtu, të sigurojë akses në lajmin e parë, duke ofruar një staf gazetarësh që do të shërbejnë si sistem rrjetizues për mbulimin e informacionit në të gjithë territorin.

@2024 InfoPressAlbania

No Result
View All Result
  • KREU
  • Artikuj
  • Opinione
  • Politikë
  • InfoPress
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Lifestyle
  • WEB TV
  • Të ndryshme
    • Aktualitet
    • Lajme
    • I përzgjedhur
    • Sociale
    • Shëndetësi
    • Histori
    • Kulturë
    • Kuriozitete
    • Horoskopi
    • Show Biz

© 2024 Infopressalbania.com