Miratimi para dy ditësh nga qeveria shqiptare e të ashtuquajturës “Paketa Anti-KÇK”, përpos reagimit të shumtë të disa organizatave dhe Komitetit të Helsinktit, të cilët u deklaruan kundër, ka prodhuar dhe një debat politik, i cili fokusohet në këndvështrimin efektiv të paketës, si dhe në përmbajtjen e saj, duke ngjallur skepticizmin e madh për standardet dhe nivelin selektiv të zbatueshmërisë.
Këtij debati politik, i është bashkuar dhe kreu i legalistëve shqiptarë, Shpetim Axhami, i cili përmes një postimi në profilin facebook, ka sjellë versionin “origjinal” të domëthënies së paketës, duke e konsideruar si marrëdhënie kodifikuese me bandat kriminale, pasi përmes kësaj “pacavure” ligjore, u shtrihet “dora e pajtimit” si dhe u sigurohet në mënyrë të kamufluar një terren më bashkëpunues.
Rikthimi i legalistëve në skenën e madhe të debatit politik, është padyshim merita kryesore e kreut të saj Shpetim Axhami, i cili me ardhjen në krye të partisë më të vjetër shqiptare, ka bërë që ky subjekt politik të riorganizohet dhe të formësohet politikisht duke patur synime dhe ambicie të mëdha elektorale në garat e ardhshme.












