Albin Kurti dhe Isa Mustafa do të duhej t’i vazhdonin sot bisedimet për formimin e qeverisë. Negociatat tani për tani kanë ngecur, pasi një takim i mundshëm mes tyre u anulua sot në mëngjes.
Akoma nuk dihet nëse përputhja përfundimtare ndërmjet dy partive do të ndodhë apo gjithçka do të nis nga fillimi.
Së paku një “fillim të ri” e paralajmëroi mbrëmë Glauk Konjufca, njeriu i dytë më i votuar në Vetëvendosje.
Ai tha se nëse nuk merren vesh me LDK-në do të provojnë edhe dy-tri variante tjera – derisa vendi të shkojë në zgjedhje – sipas tij kjo duhet të jetë fjala e fundit që del nga ata, shkruan Insajderi.
“Në fund do të ulemi dhe do të shqyrtojmë cilat janë opsionet e Vetëvendosjes dhe do të themi a ja vlen t’i kontaktojmë të tjerët, apo po shkojnë në zgjedhje, apo po hyna në këto marifetet me PDK-në”, ka thënë Konjufca në Pressing.
Bazuar në dakordimet fillestare, Vetëvendosje besonte se do të marrë nën drejtim pozitën e kryeministrit dhe pesë ministri. Kurse Lidhja Demokratike e Kosovës, pozitën e kryetarit të Kuvendit dhe pesë ministri.
Por, në këtë rrafsh mbetet pezull pozita e presidentit të Kosovës, e cila nga pranvera e vitit 2021 do të mbetet boshe pas përfundimit të mandatit të presidentit aktual. Zyrtarët e LDK-së nuk e kanë fshehur se duan që ta sqarojnë edhe pozitën e presidentit të ardhshëm me marrëveshjen eventuale Kurti-Mustafa (Vetëvendosje-LDK).
Ndonëse Vjosa Osmani, kandidatje e kësaj patie për kryeministre kishte deklaruar se posti i Presidentit nuk do të jetë pjesë e pazareve politike.
Por nëse negociatat me LDK-në dështojnë, atëherë duket se do të “dështojnë” edhe vijat e kuqe të Vetëvendosjes ndaj PDK-ës së Kadri Veselit, shkruan Insajderi.
Së paku këta të fundit – ka kohë që ka hequr vijat e kuqe të për gjitha partitë.
“Për ne kanë pas vija të kuqe krejt, por krejt në fund vinë në koalicion me PDK-në, kjo ka me i përcjell edhe në të ardhmen normalisht. Vetëm ne nuk kemi vija të kuqe për askënd, sepse duhet të marrim parasysh këtë kontekst në të cilin jetojmë dhe këtë rregullim politik”, kishte thënë Memli Krasniqi para se të mbaheshin zgjedhjet e jashtëzakonshme më 6 tetor.
Nëse kanë vija të kuqe me Vetëvendosjen ose jo, Insajderi edhe sot e ka pyetur kreun e PDK-së, Kadri Veselin dhe vartësit e tij, Enver Hoxhajn e Memli Krasniqin.
Të njëjtit s’e kanë thënë asnjë fjalë – pavarësisht se që ditën e zgjedhjeve – Kadri Veseli kishte deklaruar se partia e tij do të shkojë përfundimisht në opozitë, shkruan Insajderi.
Zgjedhjet parlamentare në Kosovë ishin të parakohshme dhe pasuan dorëheqjen e Ramush Haradinajt nga posti i kryeministrit pasi që Gjykata Speciale e Kosovës për krime lufte me seli në Hagë, e kishte ftuar atë në intervistë në cilësinë e të dyshuarit.
Zgjedhjet e mbajtura e kanë nxjerrë Lëvizjen Vetëvendosje si parti fituese, duke u pasuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës./Insajderi.com