Nga, Elona Caslli
Duke qenë se Kryeministri në detyrë ka cituar një segment të mendimit të Prof. Mihal Luarasit lidhur me Teatrin Kombëtar është krejt e udhës t’I risjellim në vëmendje një fragment të shkëputur nga pjesa “ Pse po e vrisni Teatrin Kombëtar’ nga libri “ Kujtesa që nuk fle” Fragmenti në fjalë dëshmon kthjellët qëndrimin e Prof. Luarasit kundrejt çështjes së Teatrit Kombëtar.
Pas një heshtjeje disavjeçare, rifilloi nga puna mekanizmi okult që synon likuidimin e Teatrit Kombëtar të Shqipërisë me qëllimin e mbrapshtë, akaparimin e atyre 11 a 12 mijë metrave katrorë që përbëjnë truallin e tij të patjetërsueshëm. Në ndërkohën e heshtjes, kur njerëzit e Teatrit prisnin hapa konstruktivë për nxjerrjen e këtij institucioni nga kriza e gjatë, ku e futi dhjetëvjeçari i tranzicionit të pafrytshëm, Ministria e Kulturës përgatitej për të kundërtën, duke përpunuar të ashtuquajturit “ akte nënligjore” në zbatim të ligjit nr.8578.dt.10.02.2002.
Ligj i kontestuar fuqishëm nga njerëzit e këtij arti. Të njohësh gabimet e tua është një tregues kulture dhe emancipimi. Aq më tepër është i çmuar ky virtut për institucionet e një vendi demokratik, siç synon të bëhet vendi ynë. Në morinë e ligjeve të vlefshme që miraton një parlament, mund të qëllojë që kalon edhe një ligj i gabuar.
Por, çfarë bëhet?! Çfarë duhet bërë në këto raste? Mos ndoshta për të mbrojtur “ nderin” dhe “ autoritetin” e ligjvënësit duhet të ngulet këmbë në zbatimin e një ligji të gabuar?! A ka të drejtë një institucion i shtetit, cilido qoftë ai, të dëmtojë atë sferë të shoqërisë, mbi të cilën ai ligj i keq do të zbatohet?! Arsyeja e shëndoshë thotë: Jo! Shkëputur nga pjesa- Pse po e vrisni Teatrin Kombëtar të Shqipërisë- Faqe 182 Libri “ Kujtesa që nuk fle”
Post Scriptum- Sa më shpesh e lexoj dhe e shkoqis ligjin mbi Teatrin Kombëtar, aq më shumë bindem se ai që e ka udhëhequr grupin ( nëse ka patur një grup) duhet të jetë njeri tepër i dashuruar me veten dhe them: Si dreqin nuk qëlloi të vinin në krye të ligjvënësve një njeri të dashuruar me Teatrin. Shkëputur nga – Teatri Kombëtar në Udhëkryq Mihal Luarasi











