Nga, Elona Caslli:
Duke qenë se prej ditësh jeni përpjekur të na sillni në vëmendje qëndrimet e disa artistëve mbi shembjen e Teatrit Kombëtar është e udhës t’ju kujtojmë faktin se Teatri Kombëtar është streha e artistëve, por jo prona e tyre dhe si rrjedhim qëndrimet e ndryshme të artistëve nuk mund të diktojnë qëndrimin e qytetarëve në raport me Kushtetutën në vend.
Ju përpiqeni ta përfaqësoni çështjen vetëm përmes një dileme- Godinë e vjetër apo godinë e re?!
Ndërkohë, çështja shkon përtej një godine dhe mbërrin tek Kushtetuta e Vendit. Mbërrin tek ligji themelor i një shteti që përcakton rendin politik dhe ekonomik e shoqëror të tij, sistemin e zgjedhjeve, organet e larta dhe lokale të pushtetit shtetëror e të administrates shtetërore, organizimin e mbrojtjes së vendit e të forcave të armatosura, të gjykatave e të prokurorisë si dhe të drejtat e detyrat themelore të shtetasve.
Nuk duhet medoemos të kesh kryer studimet për drejtësi apo t’i përkasësh Opozitës ,për të kuptuar se “Ligji i posaçëm mbi Teatrin Kombëtar” është një ligj që nuk është aspak në harmoni me me Kushtetutën e Vendit. Mjafton të lexosh qëndrimin e kthjellët të Presidentit…
1.Ligji shkel parimet e “barazisë përpara ligjit” dhe “lirisë së veprimtarisë ekonomike të shtetasve”, parime këto që gëzojnë një mbrojtje të veçantë nga Kushtetuta;
2.Ligji nr. 37/2018 nuk është në harmoni me parimet themelore kushtetuese të identitetit kombëtar dhe trashëgimisë kombëtare, mbi të cilat qytetarët e Republikës së Shqipërisë kanë vendosur të ngrenë dhe zhvillojnë shtetin e tyre;
3.Ligji nr. 37/2018 bie ndesh me parimet e Konventës Evropiane të Trashëgimisë Kulturore Jomateriale, miratuar në Paris në vitin 2003, duke bërë kështu që veprimtaria legjislative të bjerë ndesh edhe me të drejtën ndërkombëtare të detyrueshme për zbatim;
4.Ligji nr.37/2018 cenon rëndë parimet kushtetuese të ndërtimit dhe funksionimit të organeve të pushtetit vendor të “decentralizimit” dhe “autonomisë vendore”, duke rënë ndesh, njëkohësisht, edhe me parimin e ndarjes dhe balancimit të pushteteve;
5.Ligji nr.37/2018 vjen në kundërshtim me standardet dhe vlerat e Bashkimit Evropian dhe parashikimet e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit (MSA), plotësimi i të cilave është detyrim parësor për Republikën e Shqipërisë;
6.Propozimi i projektligjit, por edhe vetë ligji i miratuar nr. 37/2018, nuk mbështetet në një vlerësim gjithëpërfshirës dhe të plotë për tjetërsimin e pronës publike, krahasuar me përfitimet ekonomike të shtetit shqiptar dhe interesin publik;
7.Ligji nr. 37/2018, nuk është në harmoni me parimet dhe standardet e vendosura tashmë në legjislacionin në fuqi në Republikën e Shqipërisë;
8.Miratimi i ligjit nr. 37/2018, nuk është bazuar në një verifikim dhe vlerësim të thelluar të statusit të pasurive të paluajtshme që përfshihen në këtë projekt, si dhe dispozitat e këtij ligji krijojnë pasiguri juridike në ushtrimin e të drejtave pronësore qoftë për pasurinë publike, por dhe mbi të drejtat private të pronësisë;
9.Në kushtet aktuale, kur Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë nuk është funksionale për të verifikuar këto konstatime apo për të zgjidhur çdo mosmarrëveshje kushtetuese që mund të prodhojë hyrja në fuqi e kësaj norme të veçantë ligjore, ftoj Kuvendin e Shqipërisë, të rishqyrtojë në tërësi ligjin nr.37/2018 “Për përcaktimin e procedurës së veçantë për negocimin dhe lidhjen e kontratës me objekt: Projektimi dhe realizimi i projektit urban dhe godinës së re të Teatrit Kombëtar”.
Mjaftojnë vetëm këto nëntë pika Z. Kryeministër për të kuptuar se Shembja e Teatrit Kombëtar nuk nënkupton shembjen e një godine të vjetër dhe ndërtimin e një godine të re, por shembjen e Kushtetutës në vend.
Ndaj kini mirësinë të mos na fyeni më, me argumentin e godinës së vjetër apo me deklaratën e një artisti apo të një tjetri, pasi është një argumentim aq i zhvlerësuar tashmë, sa përveç Kryebashkiakut në detyrë nuk e përdor më njeri.
Post Scriptum- Nuk duhet t’i përkasësh medoemos Opozitës për të kuptuar faktin se 24 korriku ishte shfaqje e mirëfilltë e diktaturës në vend e cila dhunoi njëkohësisht artistin dhe qytetarin e rebeluar.











