
Nga: Lirim Gashi
Kur lind foshnja të gjithë qeshin, vetëm ajo qan!
A thu a e din kush përveç yjeve në qiell, se kë e vajton ajo me ata lot të dhimbshëm dhe pafajshëm engjëllor?
Kur lind foshnja në trojet dardane, lotët e saj e bëjnë me vaj edhe qiellin, thotë një legjendë e pashkruar.
E bëjnë me vaj qiellin, sepse toka mbi të cilën bëjnë roje shqiponjat, është e vërshuar me gjakun e pafajshëm të njerëzve të shkelur, shtypur, torturuar, nëpërkëmbur, tmerruar, trishtuar, vrarë e masakruar, vetëm pse janë lindur nga nënat shqiptare, pa e pyetur askënd dhe pa u pyetur nga askush.
Në këto troje ku edhe lules bozhur i vjen era gjak, shkrumb dhe hi, çdo gur e ka një kujtesë po aq të lashtë, sa vuajtjet dhe veprat e njerëzve që kanë shkruar histori.
Disa prej veprave të mëdha i ka bartur era, e të tjerat janë përcjellur brez pas brezi si gojëdhëna, sepse njerëzve të këtij nënqielli pushtuesit gjakpirës ua kanë ndaluar me shekuj mësimin e shkronjave të shkruara, e shpesh herë edhe shqiptimin dhe shkëmbimin e fjalëve të thëna.
Sot kur shkronjat shqipe frymojnë lirshëm, njësoj si njerëzit dhe kur frika, tmerri dhe trishtimi nga armiku i jashtëm ua kanë lëshuar rrugën zhgënjimit dhe dëshpërimit të shumicës me disa ish luftëtarë të lirisë që janë shndërruar në sundimtar dhe plaçkitës të përjetshëm të popullit dhe në rrënues kronik të shtetit, duke e vendosur mendjelehtësisht mbi supe mëkatin e rëndë ndaj gjakut dhe amanetit të heronjve, dëshmorëve dhe martirëve, pluhuri i harresës sikur po i mbulon paturpësisht veprat heroike të më të mirëve prej të mirëve.
Më ka rastisur më shumë të dëgjoj, se sa të lexoj për një njeri, i cili pa asnjë dyshim e meriton vendin në historinë e kombit krah për krah me Adem Demaçin, Ukshin Hotin, Metush Krasniqin dhe Jusuf Gërvallen.
Por jo vetëm kaq : Më ka rastisur shumë më tepër të dëgjoj, se sa të lexoj për një familje, që pa asnjë dyshim e meriton vendin në historinë e kombit krah për krah me familjen Jashari.
Dhe pasi që fjalët shpesh i bart era, e veprat i mbulon pluhuri i harresës, kam vendosur që të shërbehen me shkronja, për t’a përshkruar këtë familje kaq unike, që ka sakrifikuar aq shumë dhe është mburrur aq pak me sakrificen e saj, sa që edhe shkronjat turpërohen para modestisë së saj po aq të madhe sa veprat.
Bëhet fjalë për nofken ”Smajl” të cilën Ramushi legjendar i luftës dhe jo aq legjendar i lirisë, e ka përdorur në betejat e tij të lavdishme kundër hordhive nazifashiste serbe, që e kanë ngritur personin e tij në rangun e trimave më të mëdhenj në historinë e shqiptarëve .
Bëhet fjalë për Smajlin, babain legjendar të gjeneralit Nasim Haradinaj dhe për familjen e tij të përbetuar brez pas brezi, për t’u sakrifikuar për idealin e lirisë dhe barazisë së kombit, sa herë që e kërkon puna.











