Kushtetuta është akti juridik themelor i një shteti. Ajo përbën ligjin më të lartë në Republikën e Shqipërisë dhe si pasojë të gjitha ligjet dhe rregulloret e tjera të shtetit duhet të jenë në përputhje me dispozitat e Kushtetutës. Kjo parantezë vë theksin tek rëndësia e ligjit themeltar të vendit, i cili jo pak herë në 20 vitet e fundit ka marrë goditje të forta nga klasa politike shqiptare. E megjithatë, duhet nënvizuar fakti se sfida që i ka bërë dhe po i bën qeveria “Rama” Kushtetutës është padyshim e pangjashme me asnjë rast të mëparshëm. Përtej shkeljeve me projektligje antikushtetuese të sjella nga qeveria, të cilat jo pak herë janë kthyer nga krerët e shtetit, si Nishani dje ashtu edhe Meta sot, puçet kushtetuese tw ekzekutivit po kthehen së fundmi në një praktikë tepër të rrezikshme për themelet e shtetit ligjor dhe të së drejtës. Qeveria “Rama” duket se po e kthen në një Sagë të vërtetë sfidën ndaj Kushtetutës.
Kush e ka harruar, mjafton të kujtojmë 16 Qershor e 2017-ës, me thirrjen skandaloze të kryeministrit Rama në fushatën zgjedhore drejtuar efektivëve të policisë që të bëjnë fushatë për PS pas orarit të punës. “Në momentin që lënë uniformën pas punës të përkushtohen për të marrë sa më shumë vota për PS. Në mënyrë që të mos e lejojmë rikthimin e hijes së turpit mbi uniformën blu që ne e kemi pastruar dhe lartësuar më shumë se asnjëherë më parë,” apeloi Rama atë ditë nga Kuçova. Kjo thirrje antikushtetuese kaloi thjesht me një falje nga kryeministri, a thua se nuk kishim të bënim me një shkelje të rëndë të Kushtetutës nga Rama por me një gabim në lojë me “nacut e Rilindjes” në tavolinë e ekzekutivit. “Ndjesë për zhurmën e krijuar nga thirrja ime për punonjësit e Policisë! S’ishte aspak qëllimi im çka thonë keqdashësit,por gabimi mbetet imi!” shkruante Rama në atë kohë. Më i turpshëm ishte reagimi i organit të Akuzës, i cili si pas deklaratës së Kryeministrit por edhe më pas, kur Lëvizja Socialiste për Integrim paditi Ramën në Prokurori për shkelje të ligjit , as nuk e vuri ujin në zjarr. Fundja, Kushtetuta ishte shkelur!!!
Por nëse në rastin e mësipërm kemi të bëjmë me një episod të qartë të shkeljes flagrante të Kushtetutës nga ana e Kryeministrit, ky i zbuluar sot, me shkresat zyrtare mes Presidencës, Ministrisë së Mbrotjes dhe vetë deklaratave të zv.ministrit Lleshi, përbën një puç klasik nga Rama ndaj ligjit themeltar , duke i vënë kapakun “sagës rilindase”. Në parantezë, vlen të theksohet se “standard” pak ditë më parë, në konsultim me juristë e konstitucionalistë zbardhi se një ndër arsyet e refuzimit të dekretit nga Meta mund të ishte fakti se Sandër Lleshi ishte ende ushtarak aktiv në saj të gjyqit të fituar me ministrinë e Mbrojtjes dhe se kjo binte në kundërshtim të pastër me Kushtetutën e vendit. Dhe kjo u vërtetua sot me arysetimet e bëra publike nga kreu i shtetit, të cilat nxorrën zbuluar të gjitha sagën e histerive rilindase të cilat folën për veprime antikushtetuese të Presidentit dhe përfshirjen në mes të interesave politike meskine.
Kryeministri i vendit pranoi sot publikisht, pa më të voglin shqetësim apo përgjegjësi shtetërore se me dekretin e dërguar Presidentit për ministrin e ri të Brendshëm kishte shkelur ligjin, duke dërguar emrin e këshilltarit të tij, që ishte njëkohësisht Gjeneral aktiv. Lleshi siç e pranon edhe Rama në një letër të bërë publike sot, vazhdon të jetë ende Gjeneral aktiv, e duke e ditur këtë fakt, sërish kryeministri i Shqipërisë e ka propozuar atë për ministër të Brendshëm. Deri këtu ka arritur marrëzia antikushtetuese! Kryeministri e ka ditur fare mirë se ka shkelur Kushtetutën me dërgimin e emrit të këshilltarit të tij të sigurisë dhe i kërkon si pa të keq Presidentit që ta rregullojë ai “këtë punë të vogël” duke ja hequr “Sandrit” gradën e Gjeneralit e ta dekretojë Lleshin si ministër! Po si u trajtoka shteti dhe ligjet e tij themeltare si një paçavure pa vlerë?!!!
Qartësisht në Kushtetutë është e nënvizuar se ministri si funksion kushtetues është autoritet civil e në këto kushte emërimi i Sandër Lleshajt në detyrën e ministrit të Brendshëm, paraqet një problematikë themelore në raport me ligjitn themeltar. “Ushtarakët e shërbimit aktiv nuk mund të zgjidhen ose të emërohen në detyra të tjera shtetërore dhe as të marrin pjesë në parti ose në veprimtari politike, ndërkohë që një ushtarak i shërbimit aktiv nuk mund të kandidojë e as të zgjidhet ministër apo deputet pa hequr dorë më parë nga detyra”, thuhej në letrën e Presidentit.
E ndërsa këto argumenta, Presidenti i zbardhi vetëm sot për publikun, Kryeministri i ka ditur ato që në fillim. Ai e ka ditur se Lleshaj ishte Gjeneral aktiv ( pra jo i liruar) e sërish në shkelje të Kushtetutës e dërgoi emrin e tij për dekretim e për më tepër, kur u refuzua nga Meta, dilte e bënte si cub dhe i paditur për arsyetimet e Presidentit, duke folur për shkelje të Kushtetutës!! Z.Kryeministër e ke shkelur me të dyja këmbët dhe këtë herë shqelmi ndaj ligjit themeltar është mjaft i rëndë. Ka rrrëzuar çdo normë funksionimi të shtetit ligjor e normativ. E kuptoni ku jemi gemisur!!
Nga ana tjetër ,duhet theksuar se kjo shkelje kushtetuese e bën të pavlerë edhe ridërgimin e emrit të Lleshit nga Kryeministri, duke kërkuar nga Presidenti heqjen e gradës Gjeneral e më pas dekretimin e tij. Emri i Lleshit si moralisht ashtu edhe ligjërisht është rrëzuar herën e parë, ku me dijeninë e të dyve ( si Ramës ashtu edhe zv.ministrit aktual) u dërgua për dekretim në shkelje të Kushteutës. Dikush duhet të mbajë përgjegjësi për këtë shkelje pasi nëse ky diskutim do ishte në veprim në një vend demokratik me norma standarde të shtetit ligjor, Lleshi sot do ishte nxjerrë jashtë loje dhe vetë Kryeministri nuk do ishte më në detyrë, për shkelje me dijeni të plotë të Kushtetutës së vendit.
Por duket se Kryeministri as ka ndërmend të ndryshojnë logjikë vendimmarrjeje e sjelljeje në raport me Kushtetutën e ligjet e vendit. Gjasat janë që saga e shkeljeve kushtetuese të vazhdojë pa ndalur nga ekipi rilindas që tashmë ka hedhur në tapet Gjykatën Kushtetuese dhe atë të Lartë. Por deri kur do vazhdojë kjo sfidë e pandershme e kësaj Qeverie arrogante ndaj Kushtetutës dhe institucioneve të pavarura ( të atyre që kanë mbetur)? Dhe për sa kohë do lejohet antikushtetuetshmëria të veprojë si normë standarde e funksionimit të shtetit? A do ngrihet opozita e populli të veprojë e të ndalë “sagën e marrëzisë”?