Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka vijuar vizitën zyrtare në Parlamentin Europian. Deputetët Gazment Bardhi, Flamut Noka, Jorida Tabaku, Agron Gjekmarkaj, Albana Vokshi, janë takuar me eurodeputetin Michael GAHLER, koordinator i EPP në Parlamentin Europian.
Lajmi është bërë i ditur nga një njoftim për shtyp i Grupit Parlamentar.
Më poshtë reagimi i plotë:
Eurodeputeti Michael GAHLER, koordinator i EPP në Parlamentin Europian, është një mik i vyer i Shqipërisë dhe një avokat i të ardhmes së saj europiane. Takimi dhe biseda me të është gjithmonë një kënaqësi sepse eurodeputeti Gahler është një njohës i mirë i Ballkanit dhe Shqipërisë.
Si anëtar i Komisionit të Jashtëm në Parlamentin Europian, ne kishim mundësi ta informonin mbi zhvillimet e fundit në Shqipëri, ku Edi Rama dhe mazhoranca e tij, 7 muaj para zgjedhjeve, kanë urdhëruar agresionin ndaj opozitës, përmes burgosjes politike të Liderit të saj dhe deputetëve kundërshtarë të regjimit të Edi Ramës, si dhe përmes asgjësimit të hapësirës kushtetuese të opozitës në institucione.
Ndërkohë që ka urdhëruar agresionin në të gjitha format ndaj opozitës, Edi Rama ka bllokuar implementimin e rekomandimeve të OSBE-ODIHR, duke mos lejuar realizimin e një Reforme kuptimplotë, që garanton zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Asgjësimi i opozitës, ekzekutimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, cënimi i balancave mes pushteteve, bashkëveprimi në qeverisje me krimin e organizuar dhe korrupsioni i kudogjendur, janë metoda që e largojnë Shqipërinë nga Europa dhe e bëjnë të njëjtë me vendet autoritare.